Carl Bildt në Prishtinë, bën thirrje që Kuvendi nesër ta ratifikojë demarkacionin
Ish-kryeministri, njëherësh ish-ministër i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, i cili po qëndron në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Pasi Kuvendi i Kosovës sot ka dështuar ta kalojë Demarkacionin, ratifikimi i të cilit po mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Bild ka thënë, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare, në Twitter, se shpreson që një Demarkacioni të ratifikohet nesër.
“Sinqerisht shpresoj që Kuvendi i Kosovës nesër do ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Është e rëndësishme për besueshmërinë dhe perspektivën evropiane”, ka shkruar Bildt, i cili aktualisht është bashkëudhëheqës i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.
Ai ka thënë se me shefin e ekzekutivit kosovar ka pasur “bisedime të rëndësishme”, në atë që ai e ka quajtur “ditë disi të vështirë”, para përpjekjes së re, nesër në Kuvendin e Kosovës, për ratifikimin e Demarkacionit.