Corriere della Sera: Kriza në Ngushticën e Hormuzit: Mbi 1000 anije dhe ekuipazhe të bllokuara në oqean
Ngushtica strategjike e Hormuzit vijon të mbetet e mbyllur për trafikun detar nga Irani, duke shkaktuar një krizë të rëndë në tregtinë globale dhe duke lënë të bllokuara mijera anije, përfshirë edhe një anije italiane, e cila është bllokuar për 40 ditë, sipas “Corriere della Sera”.
Mes tyre është anija transportuese e automjeteve “Grande Torino”, e kompanisë “Grimaldi Group”, e cila ndodhet në pritje prej më shumë se 40 ditësh në brigjet e Abu Dabit.
Në bord ndodhen rreth 30 marinarë, ndërsa në të gjithë zonën e Gjirit Persik vlerësohet se janë bllokuar rreth 15 000 detarë në afro 1 000 anije.
Situata në përkeqësim
Sipas medias iraniane, kalimi në Ngushticën e Hormuzit është mbyllur plotësisht, duke detyruar edhe anijet cisternë të kthehen mbrapsht.
Raportime të tjera flasin për rreth 800 deri në mbi 1 000 anije të bllokuara, ndërsa tensionet ushtarake në rajon vazhdojnë të mbajnë të paralizuar trafikun detar.
Vetëm pak anije kanë arritur të kalojnë, ndërsa shumë të tjera janë detyruar të ndryshojnë drejtim për shkak të rrezikut nga minat detare dhe përshkallëzimit të konfliktit.
Anije të tjera me ekuipazhe italiane
Përveç “Grande Torino”, në zonë ndodhen edhe anije të tjera me marinarë italianë, si rimorkiatori “Saraceno Primo” pranë Omanit dhe “MSC Euribia” në Dubai.
Edhe pse këto anije mbajnë flamur maltez, një pjesë e ekuipazhit është italian.
Në total, rreth 50 marinarë italianë rezultojnë të bllokuar në këtë krizë detare.
Një “nyje jetike” për ekonominë globale
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme strategjike në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e naftës globale dhe një pjesë e madhe e gazit natyror.
Mbyllja e saj rrezikon të ketë pasoja të rënda për tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit.
Thirrje për ndërhyrje
Ekspertët dhe përfaqësues të industrisë detare paralajmërojnë për një situatë gjithnjë e më kritike për ekuipazhet e bllokuara, ndërsa kërkojnë ndërhyrje ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të rivendosur lirinë e lundrimit.
Kriza në Hormuz mbetet një nga zhvillimet më të rrezikshme aktualisht në skenën globale, me pasoja që mund të shtrihen shumë përtej rajonit të Gjirit Persik. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.