COVID-19/ Arrin në 8 numri i viktima, 66-vjeçari nga Fieri dhe 85-vjeçarja nga Tirana
Ka shkuar në 8 numri i personave që kanë humbur jetën në vendin tonë nga COVID-19. Një pacient 66-vjeçar nga Fieri, i konfirmuar me këtë virus, pësoi vdekje të papritur (infarkt) mëngjesin e sotëm në spitalin infektiv.
Ministria e Shëndetësisë raporton se 66-vjeçari trajtohej prej dy ditësh në spitalin infektiv në QSUT. Pavarësisht ndihmës së menjëherëshme të stafit mjekësor, 66-vjeçari që vuante nga sëmundje kronike pulmonare, hipertension, hemorragji gastro-intestinale, nuk arriti të mbijetojë.
Përmes njoftimit të saj, Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social si dhe të telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes.
Ndërkohe ka ndërruar jetë mbrëmë një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila kishte mbërritur te Spitali Infektiv pasditën e djeshme, në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë “paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila ka mbërritur në spitalin infektiv, në gjendje të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për disa orë, 85-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë. E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID-19 në spitalin Infektiv. 85-vjeçarja është viktima e shtatë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri”.