COVID-19/ Rama për RAI3: Njerëzit duhet të rrinë mbyllur, shtetet duhet të bëhen bashkë për mënyrat e menaxhimit të situatës
Kryeministri Rama iu përgjigj pyetjes sesi lindi kjo ide. “Ishte një ide që unë e parashtrova me ministrin e Jashtëm, Di Maio, i cili tha se është fantastike pasi filluam të dëgjonim edhe opinionet e këtyre djemve të cilët ishin shumë optimistë. Disa prej tyre nuk u treguan as prindërve, ma treguan rrugës për në aeroport, se mbase nëse u tregonin nuk do i lejonin, kështu që do i merrnin në telefon kur të ishin në Itali”, u shpreh Rama.
”U themi prindërve të mjekëve që mos u shqetësoni. Italia do t’i ketë parasysh. Rini te qetë, ne italianët jemi një popull i dashur”, ishte reagimi i gazetares së RAI3 në lidhje me këtë rrëfim.
Duke iu rikthyer viteve ’90 nga pyetja në studio, Rama theksoi: Shqipëria ka pasur ditë të paharruara në vitet 90, mes vuajtjeve të 50 viteve. Dukeshim si të dalë nga deti për të trembur fëmijët. Italia na pranoi, na ushqeu, na adoptoi, është shtëpia jonë. Nuk është një shtëpi qe digjet diku nëpër botë, është shtëpia jonë”.
“Si e shikoni Euopën duke e parë si një vend jashtë saj por që dëshiron të futet?, ishte pyetja e radhës.
”Mbase fakti qe s’jemi të pasur s’do të thotë që s’kemi memorie, sepse kjo që po ndodh në Europë nuk kishte nevojë as të vinte ky armik i padukshëm, sepse Europa duhej të reagonte për atë motiv që u krijua nga baballarët e saj, si një hapësirë paqeje, sigurie dhe bashkëpunimi”, theksoi Rama.
”Të shikosh Italinë në këtë situatë na dhimbset por nga ana tjetër jemi përballë një armiku që po sulmon botën, dhe shtëpia jonë e përbashkët që digjet. Nuk mund të rrimë të gjithë mbyllur nëpër dhoma dhe të imagjinojmë se nëse digjet njëra nuk do të digjen të tjerat. Këtu njerëzit duhet të rrinë mbyllur, shtetet jo, ato duhet të bëhen bashkë e të mendojnë mënyrat se si ta menaxhojnë këtë situatë”, shtoi kryeministri Rama.
”E njohim Edi Ramën qe nga koha kur ishte kryebashkiak, kur bëri ndryshime të thella në qytet. Shqipëria që nga 2003 kërkon të hyjë në Europë, pasi pati vërtet një diktaturë të ashpër. Si ka mundësi qe Rama dëshiron të hyjë në Europë, ndërsa disa politikanë tanë duan të dalin, mjafton të shikojmë veprimet e kryeministrit hungarez Orban i cili izolohet nga Europa? ”, ishte komenti i gazetarit David Parenzo në linjë direkte nga Roma.
Po, a pret Rama ndihmë nga Italia për të hyrë në Europë?. ”Nuk ka nevojë pasi e kemi pasur gjithmonë. Di Maio e Conte po na ndihmojnë janë si avokatët tanë në këtë proces dhe në këtë tavolinë ku ka shtete të pasur por pa memorie”, u shpreh kryeministri.
”Kryeministër si jeni me situatën në Shqipëri?, pyeti gazetaria e RAI3.
”Ne e kemi parashikuar këtë rrezik, dhe kemi bërë lëvizjet tona. E kemi vënë autobusin para portës , siç thotë traineri Murinjo. Dhe numrat na dhanë të drejtë. Eshtë një lockdown shumë i ngushtë. Këtu sigurisht duhet të bëhet një logjikim, që s’mund ta bëjë as Shqipëria as Italia, por duhet ta bëjë Europa si dilet nga kjo luftë, ku unë kam frikë se kur armiku të ikë do të kemi të bëjmë me një vuajtje të tmerrshme ekonomike për familjet. Imagjinoni tani që do dalim nga kjo luftë dhe shohim përreth dhe nuk kanë më ato gjëra që kishin më parë”, theksoi Rama.
”Këtu Europa duhet të bëjë një hap. Nuk mund të shkohet përpara duke ju thënë paguani borxhet tuaja dhe kurajoni vetë veten tuaj, sepse është e papërballueshme. Mjafton të lexojnë tekstin vizionar të Mario Draghit dhe ta zbatojnë ato”, ishte sugjerimi i kryeministrit Rama.
“Faleminderit kryeministër, Italia ju adhuron, siç e dine edhe vetë. Mirupafshim”, theksoi gazetaria e kanalit RAI3 në mbyllje të kësaj interviste.