Dade: Vizita e Metës në Athinë, e shkëlqyer
Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme zhvilloi të martën një seancë dëgjimore me zyrtarë të ministrisë së Jashtme për situatën në rajon.
Pas raportimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Çështjeve Politike dhe Strategjike në MPJ, Ferit Hoxha, nënkryetari demokrat i komisionit, Aldo Bumçi foli për një krizë në marrëdhëniet me Kosovën, të cilat, tha ai, sot janë në nivelin më të ulët.
Sipas tij, mungon koordinimi mes ministrive të Jashtme të të dy vendeve, ndërsa takimet e Ramës në Beograd, tha ai, kanë lënë në hije Kosovën, gjë që ka sjellë një reagim të fortë nga pala kosovare.
Në reagimin e saj, kryetarja e komisionit Arta Dade e quajti ‘të papranueshme’ politizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Përtej praktikës, deri në momentin kur Kosova ka përfaqësimin e vet ndërkombëtar, Shqipëria është munduar të mos luajë një rol paternalist dhe kemi qënë të kujdesshëm për këtë. Deklarata që ka bërë ministri i Jashtëm i Kosovës është e nxituar dhe nuk është në frymën e bashkëpunimit dypalësh, që synon të promovojë rolin e pazëvendësueshëm që ka luajtur Shqipëria në gjithë ecurinë e proceseve atje, si gjatë Luftës, gjatë pritjes së popullatës dhe më tej në projektet e përbashkëta për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj”.
Duke përsëritur rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës, ajo theksoi se për shumë çështje atje, politika e jashtme shqiptare ka qenë në linjë me faktorët e rëndësishëm globalë, madje ka punuar ngushtësisht me ta.
“Ndaj nuk kemi pse nisemi nga deklarimet që bëjnë aktorë apo faktorë të rëndësishëm, pasi e rëndësishme është që ky komision të inkurajojë në punën e vet dhe me vizitat dypalëshe që kemi pasur”, nënvizoi Dade.
Ndërsa në përgjigje të komenteve të Bumçit për marrëdhëniet me fqinjin tjetër, Greqinë, të cilat ai i konsideroi “të ngrira” dhe komunikimin dypalësh ‘të mangët’, Dade iu referua vizitës së fundit në Athinë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ku edhe ajo ishte pjesë e delegacionit parlamentar.
“E konsideroj një vizitë të shkëlqyer, me gjithë elementët që ka një vizitë e një niveli kaq të lartë. Pamë predispozicionin dhe angazhimin pozitiv të palës greke për të zgjidhur çështjet e mbartura. Ne na intereson që specialistët dhe grupet e punës të ngritura në ministri të vijojnë përpjekjet që edhe çështjet e mbartura të zgjidhen, por të mos na mbajnë peng per të ardhmen e përbashkët që kemi. Kjo se Greqia, bashkë me Italinë, është një mbështetëse kryesore e Shqipërisë në proceset integruese, por edhe për faktin që kemi mbi 700 mijë emigrantë atje, që rezultojnë të mirëintegruar”, u shpreh kryetarja e komisionit të Jashtëm, Arta Dade.
Në raportimin e tij për situatën në rajon, Drejtori në MPJ, Ferit Hoxha vuri në dukje impenjimin e qeverisë shqiptare për të forcuar miqësinë e mirë dhe bashkëpunimin, në funksion të stabilitetit rajonal, të prosperitetit të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, si dhe integrimit të përbashkët në strukturat euroatlantike.
Kryesore, tha Hoxha, është se rajoni ynë sot është i përfshirë në një realitet që buron nga angazhimet e përbashkëta të ndërmarra nga vendet e rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit, për përmbushjen e reformave sa të përbashkëta, aq edhe të veçanta, sipas problematikave të secilit vend, por dhe që kanë të bëjnë me shqetësimin dhe me forcimin e shtetit të së drejtës në ekonomi por dhe në funksion të asaj që është e përbashkët integrimi europian”, tha Hoxha