Politika

Deklarata “bombë” e Xhafajt: Kërkesa për t’i hequr imunitetin deputetit Saimir Tahiri, nuk ka asnjë provë ligjore

Në reagimin e parë për kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, personi që mori postin e tij në mandatin e dytë të qeverisë Rama ka bërë një deklaratë që jo shumë e prisnin.

Duke gjykuar si jurist, Xhafaj tha se Prokuroria për Krime të Rënda në dosjen që i ka sjellë Kuvendit me kërkesë për t’i hequr imunitetin deputetit Saimir Tahiri, nuk ka asnjë provë ligjore që të jetë e besueshme. Ministri i brendshëm shkoi edhe më tej me akuza kur tha se sipas tij, në këtë rast fshihen individë të prokurorisë që po përdoren politikisht.

“Dje, pardje kur më pyetët për këtë çështje ju thash që është iniciuar dhe është duke u shqyrtuar nga drejtësia italiane

Gjithë të tjerët që flasin nuk kanë asnjë kontribut në këtë çështje, thjesht po duan ta përdorin

Përsa i përket asaj që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, legale, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova

Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin kur segmente apo individë të prokurorisë po përdoren politikisht në një çështje, apo situatë të nxehtë politike

Flas për sa kam parë dhe sa kam lexuar nga ato që janë bërë publike

Nëse prokuroria ka prova të tjera le të presim dhe le të shohim. Mbetet për tu parë dhe për tu gjykues

Unë jam jurist, jam ligjvënës, dhe jap opinionin tim, dhe precedentë të tillë janë të rrezikshëm për drejtësinë dhe për marrëdhëniet parlamentare, për aq sa unë kam lexuar.

Unë jam i shqetësuar mos ndodh si në operacionin e Vlorës ku para se prokurori të mendonte për vendngjarjen, mbledhjen e provave, etj, mendoi si ta përdore politikisht për një çështje thellësisht hetimore dhe në përgjegjësinë e tij të plotë ligjore

Eshtë gjë e përsëritur”, u shpreh Xhafaj.

Kjo është deklarata më e fortë që vjen nga radhët e mazhorancës, kur shumë të tjerë, deputetë, dhe vetë kryeministri, janë shprehur të hapur për të hequr imunitetin e deputetit Saimir Tahiri, dhe për ta lënë atë në dorë të drejtësisë.

Prokuroria e akuzon Tahirin si të përfshirë në trafikun e drogës gjatë kohës që mbajti detyrën e ministrit të Brendshëm, akuza këto që shpërthyen pasi emri i Tahirit doli në dosjen e përgjimeve të prokurorisë italiane për bandën e Moisi Habilajt, të arrestuar në Itali si kreu i trafikut ndërkombëtar të drogës, njëherësh kushëri i largët me ish-ministrin Tahiri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button