Deklarata e Ramës sjell reagime nga Serbia
Deklarata e kryeministrit Edi Rama dhënë për “Politico”, ku theksonte ndër të tjera se Ballkani gjendet mes rrezikut të nacionalizmit, nuk kanë mbetur pa shkaktuar reagime nga politikanë serbë, të cilët kanë vënë më së shumti theksin te “krijimi i mundshëm i Shqipërisë së Madhe”, si një platformë jo e pazakontë mes shqiptarëve.
Në fakt, kryeministri Rama ishte shprehur se, vetëm nëse do të shuhej perspektiva e integrimit të Shqipërisë e Kosovës, por jo vetëm, pasi këtu përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në Bashkimin Europian, atëherë mund të konsideroheshin edhe hapa drejt krijimit të unioneve më të vogla, siç mund të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën.
I pari që reagoi nga Serbia ishte zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, i cili u shpreh se platforma e “Shqipërisë së Madhe” është kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë.
“I bëj një pyetje komunitetit ndërkombëtar. Çfarë do të ndodhte nëse Vuçiç do të thoshte se bashkimi i Serbisë me Republikën Srpska do të ishte i mundshëm nëse Beogradi nuk i bashkohet BE-së? Jam i sigurtë se kushdo do të reagonte dhe do të akuzonte Serbinë se po kërcënonte paqen”, tha Daçiç. “Ndaj dua t’u kërkoj BE-së, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe të tjerëve… Për sa kohë planifikoni të qëndroni të heshtur, ndërkohë që Serbia kërcënohet nga dikush? Apo heshtja është shenjë miratimi?”, shtoi më tej Daçiç.
Ndërkohë, edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanoviç ka reaguar. “Nëse Edi Rama e ka thënë vërtet atë, atëherë kemi të bëjmë me një deklaratë të rrezikshme, një deklaratë që kontribuon jo për mirë në rajon, as në parimet e BE-së, as në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, deklaroi Stefanoviç në Beograd.
“Ata që mendojnë se do të mund të marrin pjesë të territorit tonë në mënyrë të paligjshme, ose të ripërkufizojnë kufijtë me forcë, duhet të kuptojnë se kjo do të konsiderohet si një akt armiqësor ndaj Serbisë”, tha ministri i Brendshëm. Stefanoviç nxiti politikanët anembanë Europës të kuptojnë njëherë e mirë se, paqja, prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik mund të ndërtohen vetëm mbi marrëdhënie ndër partnerë, respektit reciprok, “e jo në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”.
I fundit që ka reaguar ishte edhe Marko Djuriç, kreu i Zyrës për Kosovën e Metohinë në qeverinë e Serbisë. “Dua të informoj Ramën dhe Thaçin se Enver Hoxha ka vdekur, e bashkë me të ka vdekur edhe ideja e Shqipërisë së Madhe, që i përket së kaluarës fashiste të gadishullit të Ballkanit”, u shpreh Djuriç.