Demo: Bashkitë përgatitje për sezonin turistik, pastrimi vazhdon të jetë sfidë
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u shpreh sot në një konferencë për shtyp me gazetarët, se ndërsa kanë nisur përgatitjet për sezonin turistik, bashkitë janë duke punuar me Qeverinë, me ministrinë e Mjedisit dhe atë të Turizmit, sa i takon shërbimeve parësore si pastrimi.
“Pastrimi vazhdon të jetë një sfidë në territor. Qeveria vazhdon të mbështesë bashkitë me instrumentet e duhura për të përballuar këtë sfidë. Ne nuk jemi ende në lartësinë e duhur dhe duhet ta pranojmë këtë fakt. Besojmë se ka shumë hapësirë për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve në tërësi”, vijoi Demo.
Sipas Demos, çështja e menaxhimit të mbetjeve nuk duhet të jetë një qasje sezonale, por një qasje e strukturuar institucionale në nivel vendor dhe nga agjencitë e qeverisjes.
“Ne jemi në fazën e diskutimeve për të ndërtuar një model shumë më të qëndrueshëm, sidomos kur flasim për menaxhimin e mbetjeve në të gjithë territorin. Deri tani, menaxhimi i mbetjeve është konceptuar kryesisht si një angazhim në zonat urbane, por ne duhet të garantojmë që brenda një periudhe kohe të arsyeshme të sigurojmë mbulimin 100% të territorit nga ana e bashkive”, cilësoi Demo.
Ministri Demo tha se janë miratuar VKM-të për stacionet e plazheve, por edhe kontratat tip që kanë të bëjnë me zhvillime më të mëdha turistike, për t’u siguruar që përfituesit fundorë të këtyre zhvillimeve duhet të jenë bashkitë, të cilat kanë një rol më të madh në administrimin e plazheve në territorin e tyre.
/e.i/j.p/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.