Demolli: Do ta votojmë Projektligjin për FSK-në, nesër ia dorëzojmë Qeverisë
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, thotë se ai dhe Grupi Parlamentar i LDK-së, do ta përkrahin Projektligjin e FSK-së, në momentin që ai do të jetë për votim në Kuvendin e Kosovës.
“Me iniciativën e presidentit të shtetit, i cili konform dispozitave kushtetuese dhe konform dispozitave të tjera ligjore, ka të drejtë që të marrë iniciativën për procedimin e aprovimit e ligjeve nga fushë veprimtaria e tij, javën e kaluar presidenti i shtetit ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit draft ligjit për FSK-në, në të cilën parashihet zgjerimi i misionit të FSK-së në periudhën e ardhshme.
I njëjti Draft ligj më vonë iu ka procedua Qeverisë së Kosovës, respektivisht kryeministrit, i cili e ka përcjellë tek tri ministritë përkatëse. Konkretisht e ka përcjell tek ministria e FSK-së, për të dhënë opinionin e vet lidhur me këtë projektligj. Pastaj te Ministria e Financave për deklaratën financiare, si dhe e ka përcjell tek Ministria e Integrimeve Evropiane, për të parë pajtueshmërinë apo përputhshmërinë e tij me ligjet e Bashkësisë evr opiane. Faktikisht ne këtë draft ligj e kemi marrë javën e kaluar dhe menjëherë ditën që e kemi marrë, unë së bashku me menaxhmentin e lartë të Ministrisë së FSK-së, kemi caktuar dy grupe punuese.
Njëri prej tyre do të merret pikërisht me trajtimin, respektivisht me studimin e ligjit, në mënyrë që të jap opinionin e vet lidhur me këtë Draft ligj. Derisa jemi duke dhënë këtë intervistë, mund t’iu them se grupet punuese janë duke punuar dhe ne do të kemi nesër një prezantim të grupit punues para menagjmentit të lartë të Ministrisë së FSK-së. Planifikojmë që të njëjtin t’ia procedojmë Qeverisë së Kosovës gjatë ditës së nesërme”, tha Demolli.
Demolli teksa tregon se ai së bashku me Grupin Parlamentar të LDK-së, do t’i japin përkrahje këtij Projektligji, thotë se do të ndihej mirë, që gjatë periudhës sa ai është ministër i FSK-së, të ndodh transformimi i kësaj force në ushtri të Kosovës.
“ Unë e di që iniciatori i ligjit, respektivisht presidenti i shtetit, ka deklaruar publikisht që çdo veprim që ka ndërmarrë Presidenca është në koordinim dhe bashkërendim me faktorin ndërkombëtar. Andaj ne besojmë se një koordinim dhe bashkërendim i tillë ekziston. Gjithsesi ne do ta përkrahim.
E kam theksuar më parë publikisht, prapë do ta them se edhe unë si ministër i FSK-së, por edhe Grupi Parlamentar i LDK-së, do ta përkrah draftligjin e tillë. Sepse nuk besoj që ka shqiptar në Kosovë, i cili nuk e dëshiron një gjë të tillë të ndodh sa më parë që është e mundur.
E aq më parë që gjatë mandatit tim sa jam ministër i FSK-së të ndodh një gjë e tillë, që për tërë jetën do të figuron në CV-në time në biografinë time, se transformimi i FSK-së ka ndodhur gjatë periudhës sa unë kam menaxhuar Ministrinë e FSK-së”, tha ai.
Demolli tregon se ka pasur biseda me partnerët strategjik të Kosovës, por se nuk ka marrë ndonjë vërejtje apo shqetësim nga ta, lidhur me Projektligjin për FSK-së.
“ Unë kam pasur biseda, por nuk kam ndonjë vërejtje, ndonjë shqetësim në drejtim të tillë. Mirëpo çdo gjë mbetet tek iniciuesi, respektivisht tek sponzoruesi i ligjit që është Presidenca”, tha ai.
Demolli shprehet i vendosur që me apo pa pëlqimin e faktorit ndërkombëtar, ata do të jenë pro këtij Projektligji.
Ndryshe, Projektligji për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, u iniciua ditë më parë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili i dorëzoi këtë Projektligj kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Një ditë më vonë, Kryesia e Kuvendit e ka proceduar Projektligjin në Qeverinë e Kosovës, e cila ka afat një muaj ta procedojë për votim në Kuvendin e Kosovës. Ky projektligj ka ngjallë reagim tek faktori ndërkombëtar NATO dhe SHBA-të, të cilët kanë deklaruar se transformimi i FSK-së duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe jo në mënyrë të njëanshme përmes Projektligjit për FSK-në.