Politika

Denoncimi për gjyqtarin/ A duhet censuruar Facebooku i Berishës?

Ish kryeministri Berisha ka bërë një postim të rëndë në Facebook duke hedhur dyshimin se gjykatësi Dritan Hallunaj (kryetari i një trupi gjyqtarësh të përbërë ngaKlodian KurushiFran PrendiArdit MustafajLiliana Baku) është korruptuar nga dyshja Rama- Meta, të cilët i kanë futur në vende të rëndësishme pune polt 8 njerëz nga fisi i afërt i tij. Berisha citonte sot mesazhin e një qytetari me emrin Fran dhe njoftonte: “Te dashur miq, une po e vendos si status me mirenjohje te thelle mesazhin e Franit, njerit prej nesh qe me shkruan per lidhjet me Ramen dhe Meten te kryetarit te trupit gjykues qe shpalli te pafajshem Arben Frrokun duke hedhur poshte deshmine e atij qe pa me sy dhe njohu vrasesin ne vendin e ngjarjes dhe makinen me te cilen u krye vrasja si dhe targen e saj”. Ky është mesazhi i disatë i Berishës ku ai citon një denoncues që riprodhohet pas disa minutash në media. Ish kryeministri e bëri këtë duke iu referuar një tjetër burimi, i cili i thoshte se ishin duke u fshirë të dhënat nga kompjuteri i ish shefit të arrestuar të interpolit. Ai e bëri këtë gjithashtu edhe për të thënë se ish shefi i interpolit ishte takuar në qeli me ministrin e Brendëshëm, Tahiri.

Pyetja që shtrohet është: a është serioze që media të botojë informacione të pa verifikuara? Aq më tepër që edhe vetë ish kryeministri nuk i ka verifikuar ato, pasi ai shpesh u referohet njerëzve anonimë apo dhe askush nuk mban përgjegjësi për ato denoncime?

Këto pikëpyetje bëhen edhe më të vështira po të mendosh se Berisha është kapur mëse njëherë duke prodhuar gënjeshtra gjigante. A nuk foli ai për çadra pistolietë, thika me helm dhe vrasje pas shpine, menjëherë pas 21 janarit? A nuk bëri ai sikur i ngatërroi emrin kunatit të tij, kur lexoi listën e viktimave në Gërdec? Për t’u afruar në kohë, a nuk bëri ai një gafë qesharake duke ripostuar në Facebook një foto fallco të veturave gjoja super të shtrenjta të nipit të Enver Hoxhës?

Po të nisemi nga këto të dhëna mediat nuk duhet t’i botonin më kurrë deklaratat e ish kryeministrit, pa i verifikuar ato. Por menjëherë sapo bëhet ky pohim, mendja të shkon te deklarata të tjera të forta të Berishës. A nuk e quajtën të çmendur të gjithë kur tha në fillim të viteve 2000 se ishte vjedhur floriri në Kërrabë? A nuk e përqeshën po njësoj duke i thënë se i dukeshin mushkonjat si avionë, kur tha se në bregdetin e Divjakës zbrisnin aeroplanë droge? Por në fakt këto denoncime i dolën të vërteta.

Sali Berisha që denoncon është ashtu siç është në shumë fusha të tjera, plot hije dhe përndritje të mëdha. Ai ka prodhuar gënjeshtra të rënda, por ka bërë edhe denoncime shokuese. Ndaj pyetja nëse duhet botuar ai pa censurë, është një pyetje jo e lehtë për të marrë përgjigje. Nëse shohim si prioritet pastrimin e mjedisit politik shqiptar të mbushur me fyerje dhe shpifje patjetër që thëniet e dyshimta të Berishës, që e majisin më keq atë, duhen anashkaluar. Por nëse prioritet është dalja e disa të vërtetave që në këtë vend shumëkush mundohet t’i mbulojë, atëherë ish kryeministri duhet ribotuar pa doganë, duke marrë përsipër edhe riskun e gafave gjigante të cilat ai i e ka të pamundur ti shmangë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button