Politika
Dënuar e dëbuar nga Greqia, Kajmaku: Shpifje, akuzat sulm politik
Menjëherë pas akuzave të Partisë Demokratike ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, ky i fundit reagon. Ai shprehet se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek, ndërkohe që sipas tij, këto akuza bëhen vetëm për ta sulmuar atë politikisht.
“Sapo jam njohur me një tekst letre të publikuar nga PD, ku pretendohet se unë jam dënuar dhe dëbuar nga shteti grek. Me përgjegjësi ligjore dhe morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qënë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE, për llogari të biznesit tim familjar. Autorët dhe akuzuesit publikë që shpifin ndaj personit tim, për një qëllim të vetëm, atë të ndotjes politike të kundërshtarit, do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të pretenduara.”- u shpreh Kajmaku.
Përmes një shkrese drejtuar Prokurorisë, PD kerkon verifikim për pastërtinë e figurës për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Sipas opozitës, Kajmaku ka qenë i arrestuar në Greqi dhe nuk ka udhëtuar për 12 vite me radhë drejt vendit fqinj.