Ekonomia

Depozitat bankave, 1,109.4 miliardë lekë, me një rritje 2.8%. Kreditë me probleme 19.3%

Shoqata Shqiptare  e Bankave (AAB) publikon të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2016 sipas IFRS dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin mars 2016 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave për muajin mars, totali i aktiveve të bankave tregtare arriti në 1,328 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 1.3%. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me një raport të kredisë ndaj depozitave rreth 53.1%, dhe i mirëkapitalizuar me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.0 % nga 15.7% në fund të muajit dhjetor 2015. Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, së bashku me interesat e përllogaritura, arriti në 1,109.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 2.8%, duke reflektuar besimin e vazhdueshëm të klientëve në sistemin bankar. Në rritje paraqiten si depozitat e individëve, ashtu edhe ato të bizneseve, por këto të fundit me një ritëm më të lartë rritjeje vjetore prej 11.4%.

Teprica e kredisë, në krahasim me një vit më parë, është 1.4% më e ulët. Kurse në krahasim me fundin e vitit 2015 teprica e kredisë paraqitet në rritje prej 0.53%, e ndikuar nga rritja e kredisë për individët me 0.51% dhe nga rritja e kredisë për bizneset prej 2.66%. Brenda kredisë për biznes, kërkesa për kredi e biznesit të madh ka mbetur e dobët përgjatë tremujorit të parë. Kredia e re e dhënë gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 është rreth 48.1 miliardë lekë. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 kjo shumë e kredisë së re është më e ulët, gjë që shpjegohet me ndikimin sezonal të biznesit: fundi i vitit kërkon realizimin e detyrave të parashikuara, kurse fillimi i vitit përkon me organizimin për detyrat e reja. Rreth 78.6% e totalit të kredive të reja janë dhënë për bizneset. Nga këndvështrimi i qëllimit të përdorimit, rreth 42% e këtyre kredive të reja ishin overdraft-e, të cilat kanë afate të shkurtra shlyerje dhe ofrohen në bazë rinovimi të vazhdueshëm, dhe 40.8% e këtyre overdrafteve të reja janë në monedhën lekë.

Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 1.1%, në krahasim me dhjetorin 2015, si pasojë e rritjes së kredive në grupet nënstandard dhe të dyshimta. Në krahasim me dhjetorin 2015 kreditë nënstandard janë rritur me 15.5% dhe kreditë e dyshimta me 11.6%. Kreditë që kërkojnë vëmendje të veçantë janë ulur me 5%. Kredia me probleme, për shkak të fshirjes së kredive të humbura, në mars 2016 është 22.7 miliardë lekë ose 16.6% më e ulët se në fund të marsit 2015. Kredia me probleme për bizneset ka rënë me 16.1%, ndërsa ajo për individët ka rënë me 18.9%.

Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars arriti në 19.3%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button