Mijëra protestues u mblodhën dje pasdite në qendër të Shkupit duke hedhur vezë dhe gurë mbi ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë, dhe njëherësh duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Si shkas për mbledhjen e protestuesve ishte konferenca e djeshme në të cilën lideri i opozitës të Partisë Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) Zoran Zaev publikoi inçizime të bisedave telefonike në të cilat supozohet se zyrtarët më të lartë të qeverisë maqedonase flasin për vrasjen e të riut maqedonas, Martin Neshkovski, i cili në vitin 2011 u vra nga një pjesëtar i policisë maqedonase.
Protestuesit brohorisnin parulla kundër qeverisë. Derisa kanë gjuajtur me gurë dhe vezë drejtë ndërtesës së Qeverisë duke thyer kështu edhe disa dritare. Ndryshe kreu i opozitës, Zaev sot publikoi biseda telefonike të fshehta të Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, ministres së brendshme, Gordana Jankullovska, zëdhënësit të policisë, Ivo Koteski dhe shefit të kabinetit të kryeministrit Gruevski, Martin Protugjer, të cilët flasin për detaje rreth vrasjes së Neshkovskit.
Gjatë fitores zgjedhore të zgjedhjeve të përgjithshme më 5 qershor 2011, Martin Neshkovski u vra nga pjestari i njësisë speciale të policisë, Igor Spasov. Spasov për këtë vrase është dënuar me 14 vjet burg. Opozita akuzon qeverinë se ka mbuluar përgjegjësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme me pretendimet se Spasov në momentet që ka kryer vrasjen, nuk ishte në detyrë.