Dhomat e huaja të tregtisë propozime për mjedisin e biznesit
Dhomat e huaja të tregtisë në vendin tonë i kanë paraqitur qeverisë një sërë propozimesh, me qëllim krijimin e një mjedisi biznesi më të favorshëm, tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe lehtësimin e tranzicionit të Shqipërisë në BE dhe tregjet ndërkombëtare.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë, krahas propozimeve theksojnë se, janë të gatshëm të mbështesin qeverinë shqiptare në këto përpjekje dhe të ofrojnë ekspertizën dhe burimet e tyre për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë bashkohen në qëndrimin e tyre mbi gjendjen e mjedisit të biznesit në Shqipëri. Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e vendit për biznes dhe investime të huaja, për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve natyrore dhe fuqisë punëtore të talentuar. Megjithatë, anëtarët tanë vijojnë ta rendisin klimën e biznesit si një nga tri sfidat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri dhe ne besojmë se mjedisi aktual është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm”, thuhet në deklaratë.
Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, Dhomat i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare, Parlamentit dhe agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike dhe investimesh në disa fusha.
Dhomat rendisin si të rëndësishme miratimin e një strategjie investimi, e cila të përfshijë reduktimin e ndjeshëm të pengesave burokratike, miratimin e një sistemi të bazuar në rregulla për lëshimin e lejeve dhe ngritjen e një sistemi nxitës incentivash të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Po ashtu, Dhomat theksojnë se, zbatimi i një pakete me qëllim luftën kundër korrupsionit do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri.
Tjetër pikë, sipas Dhomave, do të ishte rritja e efikasitetit dhe besueshmërisë të sistemit të Prokurimit Publik, duke miratuar standardet e të dhënave të hapura të kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike dhe duke iu dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve.
Dhomat njëkohësisht kërkojnë krijimin e një procesi efektiv konsultimi publik, duke ngritur mekanizma zbatimi në legjislacionin ekzistues dhe duke përfshirë në këtë proces edhe vendimet e Këshillit të Ministrave. Sipas tyre, procesi duhet të sigurojë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve si edhe të grupeve të interesit.
Modernizimi i sistemit të taksave për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS), për të reduktuar paqëndrueshmërinë me anë të prezantimit të ligjeve të reja tatimore, jo më shpesh se çdo 4 vjet dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi, sipas Dhomave, do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase.
Dhomat vlerësojnë aktivizimin e mundshëm të Këshillit Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe sugjerojnë që ai të vendosë në mënyrë të veçantë në fokus investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe aktiviteti i tij të përcaktohet në legjislacion, si një institucion zyrtar nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët të administrimit publik dhe sektorit privat.
“KEK-u mund të shërbejë si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh”, thuhet në deklaratën e Dhomave.