Diasporë, na jep një dorë…
“Çudia” e Samitit zgjat tre ditë, ja lojëra demagogjike me Diasporën.Neve nuk na duhet patriotizmi i rremë dhe as romantizmat politike; na duhet qytetaria, një qytetari e re, ndryshe nga ajo që kemi trashëguar në këto kohë tranzicioni. Nëse e shohim Diasporën si një komunitet, që mund të qaset disi në problematikën shqiptare, duke sjellë përvojën e saj nga ku jeton, duke i dhënë asaj një rol realisht mbështetës, duke mësuar nga ajo, kjo shkon mirë. Pra, nëse bëhet fjalë për forume, kontakte e lidhje serioze, duhet ditur që ato lypin ajkën e Diasporës dhe jo një turmë zhurmuesish e patronazhistësh.

Qeveria shqiptare po bën bujë për një tjetër mbledhje të madhe me Diasporën, samit a qysh i thonë. Janë organizuar gjer më sot disa të tillë; nuk merret vesh pse, për ta përfshirë Diasporën në hallet e Shqipërisë apo për të zgjeruar radhët e patronazhistëve. E thashë pak si tullë… (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” Karlo Goldoni) Në parim, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, drejtimi i vëmendjes tek ajo, është një mënyrë për ta bashkuar kombin. Por mendoj se duhen saktësuar disa episode të kësaj teme. Natyrisht, ne nuk vendosim asgjë, por thjesht shprehim ndonjë opinion, sidomos kur shikojmë se një argument, ca më keq një komunitet, mund të keqpërdoren. Cila është qasja jonë në këtë histori?
Mbaj mend, fëmijë, në Korçë, në lagjen tonë, vinin shpesh “amerikanët”, domethënë emigrantët shqiptarë që jetonin në SHBA. Shumë prej tyre ishin të organizuar në shoqata dhe shprehnin dukshëm atdhetarizëm; disa vizita të tyre i mbështeste shteti. Ata ishin me shtetin, po them me Partinë e Punës. Pastaj, kur ra ai shtet e ajo parti dhe u cilësuan ashtu dhe kështu, “këta” u bënë ekstremisht kundër, a thua nuk ishin ata që kishin duartrokitur më parë; përkundrazi, filluan të artikulojnë mëritë e tyre për atë shtet dhe për atë kohë. (Se mos vetëm ata! Pas vitit 90 e këtej, qindra ish-komunistë e shërbëtorë të PPSH-së, madje asish edhe me poste të larta, u gjendën sakaq në “radhët” e para të demokratëve.) Kështu e ka kjo botë. Edhe njerëzit që e dinë veten “të lartë”, bëhen njëfarësoj interesaxhinj mediokër, pa le se ç’ndodh me ata që mund t’i quajmë “të ulët”. Që të mos e lëmë pas dore Samitin, mund të themi se ndonjëherë, edhe shteti ia ka nevojën Diasporës; për t’u dukur më demokratik, më i hapur, më i kohës. Dhe në këto raste, mund të thuhet: Diasporë, na jep një dorë… (Pra, na lejo të të përdorim për të propaganduar ca arritje apo për të groposur ca mosarritje.)
Po hë, si shkon këtë herë ky samiti ynë, i tyre domethënë? E vërteta është që sot jemi në rrethana të tjera. Së pari, Diaspora shqiptare është aq e madhe, saqë asnjë qeveri apo ent zyrtar nuk e njeh plotësisht. Shqiptarët gjenden kudo në botë, në të gjitha kontinentet; por veças në Evropë e Amerikë. Një shumicë e tyre janë tashmë qytetarë të vendeve ku jetojnë e punojnë. Më tej, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, janë aq të ndryshëm: në pikëpamje, në jetën që bëjnë dhe në mënyrën se si e shikojnë Shqipërinë. Gjithsesi, lidhja me ta, është jo thjesht kënaqësi, por një detyrë e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare. Dëshira për t’i parë bashkëkombasit, kudo që gjenden, sa më të qetë dhe sa më të paqtë, është e madhe. Në këtë kuptim, çdo orvatje ndryshe, për t’i futur ata në njërin kamp apo në tjetrin, është një gabim trashanik. Madje, as ata vetë nuk duhet të lejojnë që njëra parti apo tjetra t’i rekrutojnë apo t’i shfrytëzojnë për interesat e tyre. Ata, përkundrazi, mund të shpalosin aq sa kanë fituar nga kultura dhe sjellja e bashkëqytetarëve të tyre atje ku jetojnë e punojnë. (“Kur je në Romë, bëj si romanët.” Servantes)
Fjala është që me Diasporë nuk e vlejnë presionet dhe propaganda e lodhshme; lipset një tjetër kulturë e qasje në raportet me të. Them që ende s’e kemi kuptuar këtë. Ngastrat e politikës, ngaqë e kanë të vështirë t’u drejtohen njerëzve me arritje, me fakte, me argumente bindëse, u flasin atyre kodra pas bregut. Kujtoj, në një takim të zhvilluar kohë më parë në Toronto, një nga krerët e PS, z. Balla, deklaronte goja plot: “Shqipëria do hyjë e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.” Meqë s’gjendesha atje – dhe s’gjendem askund ku bërtasin politikanët shqiptarë – pyetja, atëherë dhe sot, është kaq e thjeshtë: Kujt do t’ia kalojë Shqipëria me këtë rast? Pra, eksponenti i lartë i partisë në pushtet – e cila sot po rreh të organizojë një tjetër forum me Diasporën e, me siguri, kartën e anëtarësimit në BE do ta përdorë prapë – ka parasysh Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kosovën… A e vlen gara me këto vende? (Për më tepër, me sa shihet, me Malin e Zi e kemi të humbur atë qysh në nisje.)
Neve nuk na duhet patriotizmi i rremë dhe as romantizmat politike; na duhet qytetaria, një qytetari e re, ndryshe nga ajo që kemi trashëguar në këto kohë tranzicioni. Nëse e shohim Diasporën si një komunitet që mund të qaset disi në problematikën shqiptare, duke sjellë përvojën e saj nga ku jeton, duke i dhënë asaj një rol realisht mbështetës, duke mësuar nga ajo, kjo shkon mirë. Por nëse duam ta (keq)përdorim atë për interesat e qeverisë apo të një partie, këtu gjendemi jo thjesht në gabim, por edhe në faj. Dhe asnjë lloj propagande nuk mund të justifikojë bërtitjen në emër të patriotizmit fals përkundër kulturës qytetare. (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve”. Samuel Xhonson)
Fjala është që me Diasporë nuk e vlejnë presionet dhe propaganda e lodhshme; lipset një tjetër kulturë e qasje në raportet me të. Ngastrat e politikës, ngaqë e kanë të vështirë t’u drejtohen njerëzve me arritje, me fakte.Kujtoj, në një takim të zhvilluar kohë më parë në Toronto, një nga krerët e PS, z. Balla, deklaronte goja plot: “Shqipëria do hyjë e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.”Pyetja, atëherë dhe sot, është kaq e thjeshtë: Kujt do t’ia kalojë Shqipëria me këtë rast?
Nxitja me kahje politike dhe gostitja me sherret që kemi mes vedi, nuk i bën nder Diasporës. Kjo qasje prej shejtani politik, e trazon vendin (tonë) edhe më keq, e shton mosbesimin te palët, rrit kaosin. Ndërkohë, duke qëlluar valencën e fenomenit, eksportohen problemet dhe sherret e “atdhetarshme” edhe në vendet respektive, duke krijuar atmosferë jo të mirë për ata që janë më të ekuilibruar ose presin që shqiptarët të mos luajnë më me biografi bashkëqytetarësh e të mësohen me një mënyrë tjetër qasjeje në problematikat e vendit; me fjalë të tjera, ndryshe nga prindërit e tyre të agjituar, t’i japin politikës aq vëmendje sa ajo meriton, jo më shumë. (Kjo lipset, nëse nuk duam që “çudia” e Samitit të zgjasë vetëm tre ditë.)
Duke qortuar çdo paramendim e keqpërdorim (nga qeveritë) në këtë çështje, nuk se i kalojmë lehtë problemet që vetë Diaspora përjeton. Atje, një pjesë tejet aktive e emigrantëve shqiptarë, janë njerëz që duan të duken, shtiren si shkrimtarë, si politikanë, si analistë, ndonjëherë edhe si filozofë, historianë, gjuhëtarë; çfarë të duash i gjen, vetëm profesionin që praktikojnë realisht nuk e di askush dhe nuk e thonë. S’e dimë gjithashtu nëse janë aq atdhetarë sa shiten. Një pjesë, për hir të bindjeve politike, kanë për borxh të të vrasin për atë (liderin?!) që e ndjekin verbërisht; të tjerë, luftojnë me gjeste dhe me llafe kundër vendit të tyre, kundër shtetit të tyre, kundër historisë së tyre. Shpesh ka një egërsi të paparë në sjelljen e disave ndaj së shkuarës dhe përgjithësisht ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Shumë prej këtyre “vëzhguesve” të palodhur as që e dinë se qysh shkojnë punët realisht… Disa mund të kenë hobi të shkruarat e të sharat dhe reflektojnë edhe mllefe e urrejtje të vjetra, hatërmbetje a kushedi ç’tjetër. Kurse ata që kanë arritje reale, si biznesmenë, si artistë, si sportistë, si punëtorë, ata ndjehen më pak. Kjo është ajka e Diasporës.
Pra, nëse bëhet fjalë për forume, kontakte e lidhje serioze, duhet ditur që ato lypin ajkën e Diasporës dhe jo një turmë zhurmuesish e patronazhistësh. Nuk dua të flas për veten, se nuk është në natyrën time të lyp e të ankohem; (edhe pse kam publikuar qindra opinione të paanshme dhe kam një sërë botime në shqip e në gjuhë të huaja, të vlerësuara si jo më kthjellët nga Publiku dhe nga Mendimi Letrar). Por kujtoj që në Kanada e ShBA janë disa intelektualë të spikatur, shkrimtarë, njerëz të artit, miq me të cilët komunikoj rregullisht… por që nuk i kam parë asnjëherë të angazhuar në këto samite. Dhe kjo nuk mund të kalohet ashtu symbyllur.
Lind sërish pyetja: Ç’është Diaspora? Janë ata që njeh apo do Kryeministri ose vartësit e tij, janë patronazhistë e “influencër”, shtuar aq shumë këto kohë? Apo të tjerë, që vërtet i bëjnë nder vendit nga vijnë, që e kanë thënë dhe vazhdojnë ta thonë fjalën me dinjitet, në shqip dhe në gjuhë të tjera, pa u anuar (partish) andej-këtej dhe pa e vënë veshin pa le a mund ta kenë emrin në listat e dyshimta të qeverisë; të qeverive, në daçi…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.