“Më drejtoi armën dhe më kërcënoi”, çobani rrëfen çfarë ndodhte në stanin e Braçellarit
Lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 4 qershor, në fshatin Bode, të rrethit të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Andri, ka dëshmuar çobani që punonte në stanin e autorit.
Sipas deklarimeve të tij para hetuesve, ai ka treguar se kishte nisur punë në Bode tek stani i Violand Braçellarit në mesin e muajit maj të vitit 2026, pasi i ishte ofruar një pagë mujore prej rreth 1200 eurosh për të bërë punën e çobanit.
Ai ka deklaruar se gjatë gjithë kohës që ka qëndruar në stan për disa javë, Braçellari mbante vazhdimisht me vete armë zjarri konkretisht një armë automatike kallashnikov dhe një armë gjahu çifte.
Në dëshminë e tij çobani ka pohuar se kishte vënë re sjelljen e Braçellarit i cili kujdesej ndaj çdo lëvizje të personave të tjerë pranë stanit dhe se ky i fundit largohej shpesh drejt malit sapo merrte telefonata që e paralajmëronin për lëvizje të dyshimta në zonë.
Sipas tij disa ditë para ngjarjes Braçellari ishte larguar me armë pasi ishte njoftuar se në drejtim të stanit po ngjiteshin automjete të panjohura.
Një tjetër moment që ai përmend është pikërisht konflikti i tij që ka ndodhur në 3 qershor 2026. Çobani ka deklaruar se kishte kërkuar të largohej për disa ditë për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, por kërkesa ishte kundërshtuar nga Braçellari.
Sipas tij debati u përshkallëzua në fyerje kërcënime dhe dhunë fizike ndërsa ai pretendon se Braçellari i drejtoi disa herë armën duke e kërcënuar me vdekje.
Më tej ai ka deklaruar se është larguar me frikë nga stani, duke marrë me vete sendet personale pasi kishte parë shumë gjëra të dyshimta që i kërcënonin jetën.
Më pas ai ka bërë kallëzim në polici, kallëzim që u bë një nga elementët që çuan në organizimin e operacionit për kapjen e Violand Braçellarit.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 4 qershor, ku gjatë një operacioni për kapjen e Violand Braçellarit, i cili ishte i dënuar me 10 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike, mbeti i vrarë efektivi i “Shqiponjave” Enea Mekolli dhe u plagos efektivi tjetër, Edison Andri.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.