Kronika

Didi: Vrasja e Santos, nga brenda sistemit bankar

Vrasja e bankierit

Kryepolici flet për ekzekutimin e Artan Santos: Dosja ende në prokurori!

santoDy muaj pas ekzekutimit mafioz në zonën e Bllokut në Tiranë të bankierit Artan Santo nga persona ende të paidentifikuar, kreu i policisë shqiptare, Artan Didi, pohon se pista kryesore e kësaj çështje është puna e viktimës në sistemin bankar. Për herë të parë, Didi ka pohuar se policia, në bashkëpunim me prokurorinë, po gërmon në sistemin bankar për motivin e kësaj vrasjeje. “Jemi të interesuar të zbardhim këtë ngjarje, pasi kjo ngjarje nuk na ndihmon thjesht për të zbardhur autorët, por edhe motivet. Mund të na hapë edhe pista të tjera, që të na krijojë mundësi që të shikojmë se çfarë grupesh kriminale veprojnë dhe që lidhen më pas me sistemin bankar apo sistemin financiar”, ka deklaruar Didi për mediat, ndërsa pohon se aktualisht ka disa pista, por më kryesorja mbetet pikërisht ekzekutimi për punën që kryente viktima në një bankë të nivelit të dytë, ku dhe ishte drejtor i përgjithshëm.

Përplasja prokurori-polici

Hetimet për ekzekutimin e bankierit Artan Santo, paraditen e 26 qershorit të këtij viti në zonën e Bllokut në Tiranë, vazhdojnë të jenë problematike për sistemin e drejtësisë. Madje, dy institucionet që duhet të zbardhin këtë vrasje mafioze, policia dhe prokuroria, janë përplasur me njëra-tjetrën. Një muaj më parë, kur kërkoheshin prova për dy kushërinjtë nga Fushë-Kruja si autor të mundshëm, prokuroria tha zyrtarisht se dosja i ka kaluar policisë “për zbulim autori”. Mësohet se akuza ka kontestuar se provat e mbledhura nga policia nuk ishin të mjaftueshme. Madje, hetimet u kthyen në pikën zero, pikërisht pas lirimit të kushërinjve Saimir dhe Klodian Gjozi, të cilët u mbajtën të arrestuar më shumë se 15 ditë dhe më pas rifituan lirinë. Edhe pse Policia e Shtetit tha se në duart e kushërinjve u gjetën shenja baruti, gjykata vendosi t’i lirojë, pasi prokuroria nuk solli para saj prova për implikimin e tyre në krimin e rëndë. Në fakt, vrasja e bankierit Santo konsiderohet si një nga dosjet më të vështira për t’u zbardhur, pasi sipas policisë, vrasësit janë mjaft profesionistë dhe krimi ka qenë i mirorganizuar.

Por, dy muaj pas këtij ekzekutimi, kreu i Policisë ka “thyer heshtjen”, duke pohuar se dosja nuk është kthyer në polici, por ka qenë gjithmonë në prokurori, megjithëse akuza pohon zyrtarisht të kundërtën. “Policia ka disa pista dhe është duke bashkëpunuar me prokurorinë. Dosja nuk është kthyer, por është në prokurori. Dhe, policia së bashku me prokurorinë po veprojnë në bashkëveprim me njëra-tjetrën, ku prokurorët kanë lënë edhe detyra, të cilat i zbatojmë. Por, ne kryejmë edhe veprime të tjera me iniciativë, nëse kemi dyshime për ndonjë autor apo motiv”, tha Didi.

Hetimet dymujore

Disa institucione kanë bashkëpunuar për vrasjen e bankierit Artan Santo, por ende nuk është bërë e mundja zbardhja e kësaj çështjeje mjaft komplekse. Deri më tani, policia dhe prokuroria kanë zbardhur vetëm mekanizmin, kjo falë edhe disa kamerave të sigurisë në disa biznese. Së fundmi, akuza thotë se autorët e kanë ndjekur disa ditë me radhë bankierin, derisa kanë gjetur ditën e përshtatshme për ta ekzekutuar paraditen e 26 qershorit. Hetuesit kanë analizuar filmimet e kamerave nga data 20 deri mëngjesin e 26 qershorit, të zonës pranë Liceut Artistik, ku dhe kishte shtëpinë, në afërsi të TVSH-së, në kryqëzimin mes Kryeministrisë dhe hotel “Rognerit”, për të dalë në Bllok, ku ishte edhe destinacioni përfundimtar i Artan Santos, puna e tij. Në këtë itinerar janë marrë kamerat dhe janë parë me kujdes, ku është faktuar se bankieri është ndjekur edhe ditët para ekzekutimit. Më saktësisht, në këto filmime autorët shfaqen me një motor të ndryshëm nga ai që kishin paraditen e 26 qershorit, ku përshkojnë rrugën nga Liceu te zona e Bllokut në Tiranë. Në këto pamje filmike autorët kanë të njëjtat veshje, me ato të ditës së ngjarjes, por ndryshon vetëm mjeti. “Autorët kanë përshkuar të njëjtën rrugë që bënë edhe më 26 qershor. Madje, ata janë parë ta kryejnë disa herë këtë rrugë, duke bërë edhe lëvizje të shpejta. Pozicionet e tyre në motor nuk ndryshojnë, ku më i dobëti kishte të njëjtën veshje apo edhe kokore. Po ashtu, edhe personi që qëndronte në timonin e motorit ishte i njëjtë, me strukturë të njëjtë trupore. Ndryshimi i vetëm i tyre ka qenë motori, i cili kishte një cilindrat më të vogël nga ai që u përdor ditën e ekzekutimit”, pohojnë burimet. s.ç

Mekanizmi

Vëzhgimi

Mëngjesin e 26 qershorit autorët janë parë të lëvizin me motor pranë shtëpisë së bankierit të njohur, në pritje të daljes së tij

Ndjekja

Ata kanë ndjekur makinën që ka ecur përkrah godinës së RTSH-së, për të dalë më pas përpara tij dhe Ambasadës Italiane

Vendngjarja

Automjeti është drejtuar përpara zyrave të Kuvendit të Shqipërisë për të përfunduar në hyrje të Bllokut, ku u krye edhe ekzekutimi

Ekzekutimi

I gjithë ekzekutimi përpara vendqëndrimit të rojës private dhe një polici me motor që ndodhej disa metra më tej, ka zgjatur 23 sekonda

Largimi

Pas kryerjes së vrasjes, motori me dy personat është larguar me shpejtësi në drejtim të Librit Universitar

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button