Dilemat e deputetëve që firmosin për Berishën dhe s’duan t’i quash “berishistë”
Është e paqartë ende përse Gazment Bardhi dhe disa deputetë të tjerë nxituan të përgënjeshtrojnë faktin se i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë procedurën ndaj Sali Berishës, nën dyshimet se masa fillestare e marrë nga Gjykata ndaj tij është tejkalim i Kushtetutës.
Është normale që çdokush që mbështet Berishën, madje dhe vet Berisha, mund t’i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim qysh ditën e parë që u mor masa ndaj tij. Madje këtë i këshilluan të gjithë jo “mos bindjen civile” ndaj gjykatës, duke u fshehur në banjë kur vjen policia.
Sali Berisha nuk e bëri se donte t’u tregonte mbështetësve të tij se nuk e prish traditën e mos respektimit të drejtësisë prej 33 vitesh.
Dhe tani është para masës së arrestit propozuar nga SPAK.
Këta deputetë mund ta kishin bërë këtë qysh në fillim, nëse Berishës i vinte zor.
Fakti që e bënë tani dhe akoma më keq fakti që bëjnë sikur nuk e kanë bërë, tregon dyzimin e personalitetit të tyre dhe mëdyshjet e mëdha që kanë nëse ja vlen ende të sakrifikojnë, ose jo, për Sali Berishën.
Është e qartë se disa deputetëve u është thënë që nuk është për Sali Berishën, por për të interpretuar nenin 72.
Edhe sikur t’ua thoshin të vërtetën, që do ishte për Berishën, ata do ta kishin shumë të vështirë me aq trimëri sa kanë dëshmuar, që të thoshin nuk e firmos.
Por ua kanë bërë të lehtë dhe nuk ua kanë përmendur Berishën, ndërkohë që e kanë shtuar në mënyrë eksplicite një paragraph, që tregon se ankesa synon që Gjykata Kushtetuese të pezullojë procedurën ndaj Sali Berishës.
Tani kërkesa është bërë publike bashkë me firmat dhe e vetmja gjë e paqartë ka mbetur përse 24 orë pasi e dorëzoi, Gazment Bardhi dhe disa deputetë sulmonin mediat që e botuan, se kërkesa nuk është për Sali Berishën.
Jo për gjë, po kështu u shkon dhe mundimi kot, pasi dhe Berishës ja bëjnë shërbimin, dhe nuk ua di nderin.
Në raste të tilla siç ka vepruar dhe herë të tjera, Gazment Bardhi dhe lista e tij mund të tërhiqet nga firma. E kanë bërë këtë me Avokatin e Popullit, që pasi firmosën njëherë për Ilir Rusmalin, u bërtiti Berisha dhe i tërhoqën firmat.
Dhe mirë bënë, se nuk kanë pse prishen me Berishën për një firmë.
Edhe në këtë rast, nëse e kanë hedhur pa dashje apo janë të gënjyer, mund ta tërheqin, se nuk është ndonjë dramë e madhe. Vetë kanë deklaruar se deputeti mund të tërhiet nga nënshkrimi në çḑo kohë.
Nuk është se ua këshilloj ta bëjnë, por thjesht t’ua kujtoj si opsion që mos të fillojnë prapë nesër të sulmojnë mediat, pse u kujtojnë që janë ushtarë të Berishës në betejën e tij personale e familjare kundër drejtësisë, SHBA dhe Perëndimit në tëresi.