Politika

Diplomati i Ministrisë së Jashtme: Zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon, asgjë e re për Shqipërinë

Anëtari i grupit negociator me Greqinë dhe diplomat në Ministrinë e Jashtme, Gledin Dervishi përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon nuk është asgjë e re për Shqipërinë.
Në seancën parlamentare që do të mbahet ditën e sotme në Greqi do të ratifikohen dy marrëveshje shumë të rëndësishme për delimitiminzonave detare në basenin e Mesdheut, Greqi – Itali për ZEE dhe Greqi – Egjypt për Shelfin Kontinental dhe sicc shkruan Dervishi, kryeministri grek ka deklaruar se parlamentit do ti vijë dekreti për zgjerimin Greqi – Itali për ZEE dhe Greqi – Egjypt për Shelfin Kontinental.

“Çështja e zgjerimit të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë është një çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe jo një çështje negociate mes shteteve. Shtetet që janë palë të Konventës së UNCLOS 1982 si Shqipëria, Greqia, Italia, Egjypti apo edhe shumë të tjerë kur nisin proceset e delimitimit e kryejnë automatikisht negociatën me parimin e 12 miljeve detare, pra nuk ka negociate mes shteteve anëtare nëse njëra palë do ja njohi palës tjetër të drejtën e zgjerimit në 12 milje!”, shkruan ai më tej.

Dervishi shton se në rastin e delimitit në Detin Jon mes Shqipërisë dhe Greqisë parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur Deti Territorial i një shteti nuk mbivendoset me Detin Territorial të shtetit fqinj, më konkretisht kjo gjerësi aplikohet vetëm në hapësirat detare ku distancat midis dy shteteve janë mbi 24 milje detare.

Postimi i plotë:

Zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon, asgje e re për Shqipërinë

Gjatë seancës së sotme të Parlamantit grek në të cilën do të ratifikohen dy marrëveshje shumë të rëndësishme për delimitimin e zonave detare në basenin e Mesdheut, Greqi – Itali për ZEE dhe Greqi – Egjypt për Shelfin Kontinental, Kryeministri grek Mitsotakis deklaroi se menjëher Parlamentit grek do ti vijë dekreti për zgjerimin e ujrave territoriale greke nga 6 në 12 milje në Detin Jon.

Natyrshëm që të gjithë ata që i kanë ndjekur zhvillimet e fundit në këtë fushë ku janë dominuar nga një sërë përplasjesh politike, diplomatike apo edhe incidente ushtarake mes Greqisë dhe Turqisë, apo marrëveshjeve në fushën e delimitimit detar si Greqi-Itali, Greqi-Egjypt apo marrëveshja shumë e kontestuar Turqi-Libi, dëshirojnë të kuptojnë pse kjo lëvizje e Greqisë në këtë moment dhe impakti i zgjerimit të ujrave territoriale greke në Detin Jon, rajon detar ky strategjik për ne.
Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982 përcakton se hapësirat detare mes shteteve përbëhen nga tre komponentë kryesor:

– Neni 3. Deti Territorial, që janë ujërat e brendshme të një shteti dhe që shkojnë maksimumi deri në 12 milje nga vija e drejtë bazë ose vija natyrale e ujit.
– Neni 76. Shelfi Kontinental (tabani i fundit i detit deri në thellësitë e shfrytëzimit teknik) që shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së tij merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial.
– Neni 55. Zona Ekskluzive Ekonomike (ZEE), që vendoset mbi Shelfin Kontinental, e cila shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së saj merret milja e 12-të e kufirit të Detit Territorial. ZEE-ja shtrihet nga tabani i detit deri në sipërfaqen e ujit.

Republika e Greqisë, më 1 qershor 1994, ratifikoi Konventën e Montego Bay, ku përcaktoi se ajo zbaton vijën normale (natyrale që është buza e ujti të çdo bregu) dhe i njohu vetes të drejtën e zgjerimit të Detit Territorial nga 6 në 12 milje, por zgjerimi në 12 milje do të kryhet në një moment të përshtatshëm. Pamundësia e zgjerimit të Detit Territorial në Egje përballë Turqisë e ka detyruar Greqinë që të zbatojë përkohësisht gjerësinë e 6 miljeve të ujërave territoriale bazuar në Konventën e Montego Bay. Ky vendim i Greqisë ka qënë i tillë për një kohë të gjatë për të mbajtur gjerësinë e 6 miljeve në total në të gjitha hapësirat e saja detare në Jon, Egje dhe Mesdhe Lindor si një mesazh drejtuar Turqisë por edhe prej faktit që Greqia ka dashur ta nis zgjerimin edhe për simbolikë së pari nga Egjeu, Mesdheu Lindor e më pas në Jon, ndonëse nuk ka pasur asnjë pengesë ta bëjë këtë gjë në Detin Jon. Ky qëndrim tashmë ka ndryshuar dhe opinionit publik në Greqi në këto momente delikate i duhet dhënë një motiv shprese dhe ND duhet të kapitalizoi politikisht në vazhdën e marrëveshjeve të përmbyllura Greqi – Itali dhe Greqi – Egjypt.

Çështja e zgjerimit të gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë është një çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe jo një çështje negociate mes shteteve. Shtetet që janë palë të Konventës së UNCLOS 1982 si Shqipëria, Greqia, Italia, Egjypti apo edhe shumë të tjerë kur nisin proceset e delimitimit e kryejnë automatikisht negociatën me parimin e 12 miljeve detare, pra nuk ka negociate mes shteteve anëtare nëse njëra palë do ja njohi palës tjetër të drejtën e zgjerimit në 12 milje! Madje kur shtet palë të Konventës negociojnë për të ndarë detin Konventa nuk merr parasysh fare sa e ke gjerësinë e Detit Territorial me ligje të brendshëm, pra nëse e ke me ligj të brendshëm 0 milje, 3 milje, 6 milje apo 12 milje, Konventa të thotë që pavarësisht gjerësisë që ti ke me ligjin tënd, kur të negociosh do përdorësh vijën e mesit (vija me distanca të barabarta nga vijat bazë të bregdetit të dy shteteve, por kjo vijë më pas modifikohet, duke pasur parasysh edhe rrethanat e veçanta të konfigurimit të bregdetit). Sepse ndryshimi me ligje të brendshme nuk duhet të pasohet me ndryshime të marrëveshjeve, më konkretisht Italia me Greqinë e kanë delimituar me parimin e 12 miljeve të Detit Territorial si pika ku fillon matja e Shelfit Kontinental dhe ZEE edhe pse Greqia e ka 6 milje me ligj, por kur Greqia ta ndryshoi me ligj të brendshëm të mos detyrohen më pas të ndryshojnë marrëveshjen që sapo arritën.

Në rastin e delimitit në Detin Jon mes Shqipërisë dhe Greqisë parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur Deti Territorial i një shteti nuk mbivendoset me Detin Territorial të shtetit fqinj, më konkretisht kjo gjerësi aplikohet vetëm në hapësirat detare ku distancat midis dy shteteve janë mbi 24 milje detare.

Distanca nga brigjet midis Shqipërisë dhe Greqia është më pak se 24 milje në të gjithë gjatësinë e Detit Territorial mes tyre, madje në Kanalin e Korfuzit ajo varion nga 1 deri në 6 milje detare. Në këto kushte gjerësia prej 12 miljesh e Detit Territorial të dy vendeve nuk gjen zbatim për Detin Territorial, pasi këtu Konventa thotë që ndarja bëhet sipas vijës së mesit me distanca të barabarta nga bregu, por që do të modifikohet për rrethana të veçanta (vijë e drejtë bazë, gji natyror, tituj historik).

Shqipëria dhe Italia janë mbi 24 milje (më konkretisht distanca minimale Shqipëri-Itali është 40,9 milje) dhe nuk mbivendosen Detet Territoriale të dy shteteve. (Për këtë arsye Shqipëria dhe Italia nuk kanë ndarë Det Territorial sepse hapësirat nuk mbivendosen dhe janë mbi 24 milje, ndryshe nga rasti i Shqipërisë me Greqinë). Por edhe pse janë mbi 24 milje automatikisht Shqipëria dhe Italia e kanë gjerësinë e Detit Territorial 12 milje.

Shqipëria e ka deklaruar dhe depozituar në OKB gjerësinë prej 12 miljesh detare me Dekretin nr. 7366, datë 9 mars 1990, i cili ka vlerë edhe sot, i cili paraqet edhe vijën e drejtë bazë me emrat e kepave më të dalë të bregdetit, mbi të cilët është ndërtuar hapësira e Detit Territorial të Republikës së Shqipërisë (Në këtë kuptim Shqipëria ka depozituar si vijën e drejtë bazë në detin Adriatik dhe detin Jon, si dhe gjerësinë e detit territorial prej 12 miljesh detare, duke marrë legjitimitet ndërkombëtar).

Madje kur Shqipëria e ka depozituar në OKB, asnjë nga fqinjët tanë detar nuk e kanë kontestuar gjerësinë tonë të Detit Territorial, pasi kjo është një e drejtë që buron nga Konventa. Vlen për tu përmendur fakti që edhe Mali i Zi po ashtu e ka 12 milje detare gjerësinë e Detit Territorial, edhe pse ne me Malin e Zi ashtu si me Greqinë ne duhet të kryejmë delimitimin e hapësirave detare. Por edhe nëse nuk do ta kishte me ligj të brendshëm 12 milje, sërish hyn në lojë Konventa që automatikisht të njeh 12 milje.

“Efekti” i 12 miljeve greke në Detin Jon në thelb nuk e prek fare Detin Territorial të Shqipërisë në Detin Jon, madje në hartën e mëposhtëme duket qartë që ky efekt shtrihet në zonën nga Antikithra në Othoni, shumë larg ujrave territoriale shqiptare, madje duket qartë që shtrihet gjeografikisht në zonën mes Palermos dhe Libisë ku distanca është me dhjetra milje mes Greqisë dhe këtyre vendeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button