Diplomohen 104 studentët e Akademisë së Sigurisë, Lamallari: Mbajeni uniformën me krenari!
104 studentë të Akademisë së Sigurisë janë diplomuar këtë të premte, në një ceremoni ku morën pjesë ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, si edhe drejtues institucionesh, pedagogë dhe familjarë të studentëve.
Në fjalën e tij, ministri Lamallari tha mes të tjerash se Shqipëria fiton sot “104 shërbëtorë të rinj të ligjit”, të cilët kanë zgjedhur një nga profesionet më të vështira dhe më të nderuara në një shoqëri demokratike.
Ai u shpreh se Policia e Shtetit është një institucion që “mban shtetin”, ndërsa iu drejtua oficerëve të rinj me mesazhin se misioni i tyre është të jenë “dritë sigurie për qytetarët” dhe garanci që ligji funksionon.
Duke folur për transformimin e Policisë së Shtetit, ministri theksoi se Shqipëria ka sot një polici më moderne, më profesionale dhe më pranë qytetarëve, falë investimeve të realizuara në teknologji, inteligjencë policore, digjitalizim, laboratorë modernë dhe trajnime me partnerë ndërkombëtarë.
“Policia e Shtetit nuk duhet parë thjesht si një forcë që garanton rendin, por si një shërbim publik në funksion të qytetarit. Autoriteti i policisë nuk matet nga frika që krijon, por nga besimi që ndërton”, deklaroi Lamallari.
Ministri i Brendshëm vuri theksin edhe tek modernizimi teknologjik i Policisë së Shtetit, duke përmendur projektin “Smart City Albania”, instalimin e kamerave inteligjente, kamerave trupore për efektivët, sistemeve të analizës në kohë reale dhe forcimin e strukturave të sigurisë kibernetike.
Sipas tij, modernizimi nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por edhe me mentalitetin dhe mënyrën e komunikimit me qytetarët. “Qytetarët nuk kërkojnë vetëm një polici të fortë. Ata kërkojnë një polici të drejtë”, u shpreh ministri.
Në përfundim të fjalës, Lamallari u bëri thirrje oficerëve të rinj të ruajnë integritetin dhe të mos harrojnë asnjëherë se respekti fitohet çdo ditë përmes profesionalizmit, ndershmërisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
“Shteti ka detyrimin të jetë në krahun tuaj. Ne jemi në krahun tuaj”, deklaroi ministri, duke nënvizuar politikat për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe investimet në karrierën dhe mirëqenien e efektivëve të Policisë së Shtetit.
“Mbajeni uniformën me krenari, por mos lejoni kurrë që krenaria të kthehet në arrogancë. Mbani autoritet, por mos humbni njerëzoren. Jini të fortë përballë krimit, por të drejtë përballë qytetarëve. Sepse në fund të fundit, një polici e mirë nuk matet vetëm nga numri i operacioneve apo statistikave. Ajo matet nga besimi që qytetarët kanë tek ajo. Dhe unë besoj fort se Shqipëria ka sot arsye të besojë tek ju. Ju uroj suksese në këtë mision fisnik. I shërbefshi vendit me dinjitet, guxim dhe ndershmëri”, tha ministri Lamallari.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.