Socialistët kanë leje të zihen me njëri-tjetrin
Nga Mero Baze
Niko Peleshi është nën akuzë se ka censuruar deputetin Ulsi Manja të replikonte në Kuvend. Lajmi mori dhenë. Ulsiu iu kundërpërgjigj ashpër nga vendi, duke e akuzuar se nuk po e lë të sulmojë Sali Berishën. Nikua i tha që “po i mbaj shënim udhëzimet e tua”, por nuk lejohet. Nuk i tha “të të vijë rëndë të të vijë”, siç mund t’i thoshte një korçar në këto raste.
Tani këtu lajmi nuk ishte as thirrja e Ulsiut “mbamëni se do ta vras”, e as urtësia e Nikos, por fakti që socialistët kanë leje të zihen me njëri-tjetrin.
Dhe për çfarë?
Për një moment, kur dëgjova që kanë bërë sherr, mendova se Niko i ka përmendur korrupsionin në burgje kur ishte ministër, apo rrjetin e tij nepotik në administratë, që mund ta kuptosh vetëm po shkove në ndonjë qoftëlarg vdekje në fis të Ulsiut. Aty kupton se çfarë janë me njëri-tjetrin dhe të gjithë bashkë me Ulsiun, shumë drejtorë të lartë në administratën e shtetit.
Por pastaj u sqarua situata. Berisha i kish bërë listën e akuzave të zakonshme të tij dhe Ulsiu donte t’i përgjigjej. Nikua kish zbatuar rregulloren dhe e kish ndaluar.
Pra, thënë shkurt, Ulsiu ndjehej i fyer që nuk kishte përdorur dot pushtetin ta bënte copë Sali Berishën në Kuvend.
Kjo më qetësoi, pasi kisha frikë se mos Nikua kishte ndaluar luftën mes socialistëve. U qetësova më shumë kur pashë që Erion Braçe e bëri copë atë ministrin e Bujqësisë që i ishte fshehur nga interpelanca dhe Elisa nuk kishte rënë në kurthin e provokimeve të Berishës për sherret e saj me Edi Ramën.
Tani pres që Ulsiu të bëjë pagesën e muajit tek portali i Fundërrinës së Saliut, të cilin e ka përdorur kundër çdo socialisti që e quan rival në grup parlamentar, që ai ta pajtojë dhe me Nikon dhe me Doktorin dhe të mbyllet ky keqkuptim.
Pas kësaj duhet të postojë dhe një selfie tjetër me Belindën, që t’i mbushë mendjen dhe Ramës që është në pozita të shëndosha politike.
Ditë më pas priten shpërthime të reja dhe më të egra. Duket që Braçja po i afrohet betejës me Ogertën. Sa të mbarojë punë me këtë ministrin e Bujqësisë, të cilin ndryshe nga ministrat e tjerë të Bujqësisë e ka marrë inat se është fshatari i fundit i suksesshëm që ka lënë fshatin dhe është bërë ministër bujqësie i paaftë, duke ulur numrin e banorëve në fshat dhe duke shtuar numrin e të paaftëve në qeveri. Dhe këtë nuk ia fal Ramës.
Elisa po ashtu po mendohet për bubullimën e radhës, por ia ka prishur punë ky Ferit Hoxha që po prodhon lajme jodiplomatike më shumë se ajo që u përpoq t’i kuronte mirë takimet ndërkombëtare. Ky po trondit vendin me WhatsApp, pa lëre të përdorte dhe rrjetet sociale si Elisa.
Edhe Belinda, që mbahet si më autoritarja nga drejtuesit politikë, nuk i ka mirë punët se po i zihen deputetët e Fierit me njëri-tjetrin. Madje kanë kaluar në ekstrem duke përdorur aq pushtet sa kanë kundër njëri-tjetrit, sa ajo ankesa e Elisës për kontroll tatimor duket si gudulisje.
Çuçi duket se i ka më stabël punët në Vlorë, përveç sqarimeve që duhet t’i japë Ardi Bidos, që të mos sillet si kryetar i Bashkisë së Delvinës, Sarandës dhe Konispolit, se nuk janë bashkuar akoma. Edhe pse Rama e ka këshilluar të mësojë nga Damiani, duket se nuk vë mend.
Mirela në Gjirokastër ishte mirë e bukur, po shkoi Edi Rama dhe i trazoi ujërat me Tërmetin dhe tani ajo duhet të bashkojë Tepelenën me Lunxhërinë dhe Libohovën në një bashki, siç ka qenë në kohë të Turqisë, që të shpëtojë nga rivaliteti i Tërmetit me Flamurin.
Klosi është më rehat në Durrës, se pas ikjes së Gjysit është dhe komisar dhe komandant, por do pak kohë sa të njohë deputetët dhe mos t’u ngatërrojë fytyrat. Por të paktën nuk ka sherre brenda familjes.
Ky Taulant Balla ka avancuar shumë, se vazhdon të udhëheqë dhe diasporën e Shqipërisë, dhe diasporën e Tropojës dhe Dibrës në Kamëz, dhe banorët autoktonë të Kavajës. Madje ka futur dhe Merkelin si pjesë të diasporës dhe e përshëndet rregullisht nga Kamza bashkë me Rakip Sulin.
Ky i fundit del gjithmonë me 2 mijë vota para kur votohet si kryetar dhe 2 mijë vota mangut kur votohet për parlament. Dhe Taulanti po përpiqet të gjejë kush janë këta demokratë që tradhtojnë partinë për Rakipin dhe nuk e tradhtojnë dhe për atë.
Ndryshe është situata në Kavajë dhe Rrogozhinë. Aty demokratët e tradhtojnë PD-në për Taulantin, por jo për bashkitë.
Në Lezhë Pjerini e quan fyerje që një ish-zyrtari të lartë të policisë i kanë çuar drejtues politik një rishtar të Mbrojtjes, por po përmbahet derisa të konfirmohet si kandidat. Pastaj “me të pa e me të ba”, por dihet që ai s’ka punë të fusë hundët në Lezhë.
Në Shkodër Beneti po përpiqet të mbështesë sa mundet Enean, pasuesin e Belindës në ministri, meqë e ka dhe shkodran, por po sfidohet nga një deputete tjetër, ajo e Dukagjinit. Duke qenë se Beneti është djali i një prej gjuhëtarëve më të mëdhenj të Shqipërisë, Prof. Dr. Bahri Becit, po ia merr flamurin e gegnishtes deputetja e Dukagjinit, që dhe kecave u flet gegnisht dhe kjo e ka vënë në pozitë të vështirë, pasi do t’i duhet t’ia dorëzojë bibliotekën e librave të tij Marjanës.
Dhe kur e sheh kështu në tërësi, socialistët gumëzhijnë nga debatet dhe luftërat brenda tyre, dhe kjo i bën ata të ndjehen të gjallë në pushtet dhe opozitarë njëkohësisht. Ndaj dhe opozita flet budallallëqe se nuk merret me problemet reale për të cilat socialistët zihen me njëri-tjetrin. Madje vetë opozita ua lehtëson këtë duke deklaruar përditë se Edi Rama qeveris Shqipërinë si një pashallëk.
Epo po qe se thoni se është pashallëk, lejohen luftërat brenda llojit, madje janë forcë kryesore zhvillimi për pashallëkun. E kanë këtë leje të zihen e rrihen me njëri-tjetrin. Se po të mos bënin kështu, kush do raportonin në SPAK njëri-tjetrin pastaj? Do na dështonte dhe Reforma në Drejtësi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.