Bota

Dosja e Panamasë, dy miliardët e fshehur të carit

Përgënjeshtrimi, i pakërkuar, kishte ardhur që javën e kaluar: “Po vjen një sulm i rëndë mediatik kundër presidentit Putin, i ndërtuar mbi falsitete dhe gënjeshtra krejt të sajuara”.

Ditë nervozizmi për besnikët, të cilët sigurisht që nuk u qetësuan pas “të shtënave të para”, “thashethemeve” pothuaj naive mbi një marrëdhënie të supozuar të udhëheqësit të tyre me Uendi Debg, ish bashkëshortja e Rupert Murdoch.

Goditjet e vërteta, ato që prekin të gjithë klanin e Kremlinit dhe largojnë shpresat e një përmirësimi të afërt të marrëdhënieve me perëndimin, janë ato të Panama Papers të botuara dje, një rindërtim i detajuar i kasafortës private të padronëve të vërtetë të Rusisë, që e sheh Putinin në qendër të një intrige llogarish jashtë vendit, prej dy miliardë eurosh, dhe që ushqejnë pasuri dhe pushtet.

Personazhe të njohur, të diskutuar por deri tani të paprekshëm që vërtiten përreth presidentit, që nga kohërat e shkollës dikur në Leningrad.

I vetmi, relativisht pak i njohur, është Sergej Roldugin, violinçelist i vlerësuar në teatrin mitik Marinskij të Shën Petërsburgut.

Operacionet e tij përmes llogarive të fshehta arrijnë vlera qindra miliona euro.

Të përdorur për blerjen e aseteve kombëtare me shumë prestigj, si për shembull fabrika e autotrenave Kamaz.

I famshëm për koncerte brilantë privatë në shtëpinë presidenciale, Roldugini ka tiparet ideale të Njeriut të Shefit.

Ashtu si pothuaj gjithë të tjerët është nga Shën Petërsburgu dhe ka një të kaluar në radhët e silovikëve, pjesëtarët e strukturave të forcës.

Në rastin e tij, ka më tepër edhe militimin në shërbimin famëkeq KGB, pikërisht në Gjermaninë Lindore, bashkë me vetë Putinin.

Kolegë dhe miq, aq sa pikërisht Roldugini u bë kumbar i vajzës së parë të Putinit, Marias.

Të tjerët janë të njohur tashmë dhe të gjithë të përfshirë në listat e zeza të sanksioneve amerikane dhe europiane, pas pushtimit të Krimesë.

Protagonist i Panama Papers është padyshim Jurij Kovalcjuk, president i Banka Rossija me asete 13 miliardë euro.

Kovalcjuk është pjesë e kooperativës Ozero, falë të cilës i riu Putin, në fillimet e ngjitjes së tij të pandalshme, ndërtoi një fshat shtëpish mbi një liqen pranë Carelias.

Bankier me pasion për televizionin, Kovalcjuk konsiderohet bankieri personal i Putinit.

Rossija është ofruar të zgjidhë problemet e parë të Krimesë dhe u shpërblye me favore të mëdha nga qeveria.

Zbulimet e Panama Papers të shpien edhe tek Rcb, degë e bankës shtetërore Vtb, me seli në Qipro dhe e destinuar për akumulimin jashtë vendit të kapitaleve të milionerëve rusë të lidhur me të njëjtin rreth.

Grup miqsh dhe ortakësh që alternohen në pozicione kyçe të pushtetit rus, duke kontrolluar shitjen e gazit dhe naftës, hekurudhat, punët publike.

Të gjitha këto duke bërë një jetë pa shumë limite, siç tregohet në festat dhe pushimet në vende ekskluzive si rezorti Igora, ku u festua martesa private e bijës së dytë të Putinit, Katerinës.

Rikthehen kështu në faqet e para personazhe si Gennadij Tymchenko, apo vëllezërit Rotenberg, gjithnjë të gatshëm të ndihmojnë financiarisht Kremlinin dhe të bëjnë investime, qoftë edhe me humbje, vetëm për të përmirësuar imazhin.

Përgënjeshtrime të mëtejshëm, përtej atyre paraprakë, priten në orët e ardhshme.

Prova nuk ka, thonë ata të stafit.

Aludojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Putinit në këtë lumë të nëndheshëm parash.

Por kuadri i grushtit të miqve që janë bërë të pasur dhe të fuqishëm nën hijen e presidentit të tyre, i bën të gjithë gjithnjë e më shumë nervozë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button