Dosja e Valdrin Pjetrit i shkon Prokurorisë së Tiranës, u dënua dhe dëbua nga Italia
Sipas verifikimeve Valdrin Pjetri është deklaruar fajtor për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe dënimi i është pezulluar.
I është revokuar leja e qëndrmit më 3 shkurt 2003 nga kuestura e Firences dhe është dëbuar nga Italia një ditë më pas. Afati i dëbimit përfundoi më datë 24.07.2015.
Në lidhje me mosdeklarimet prej subjektit në Formularët e Vetëdeklarimeve të fakteve të konstatuara materialet i kaluan për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Në përfundim të verifikimeve të kryera është provuar se subjekti Valdrin Luigj Pjetri:
- Është arrestuar në flagrancë nga personeli i Policisë së Shtetit së Firences në datën 27.01.2003 së bashku me një shtetas tjetër shqiptar për shkelje të ligjeve mbi lëndën narkotike bazuar në ex art 73 DPR 309/90.
- Me vendimin penal Nr.474 të Gjykatës së Firences, subjekti Valdrin Luigj Pjetri është deklaruar fajtor për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal Italian dhe nga neni 73 paragrafi i 1i Dekretit të Presidentit të Republikës të Republikës së Italisë, nr.309/90 dhe është dënuar me 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 2000 (dymijë) Euro, të zbritur për shkak të njohjes së rrethanave lehtësuese të përgjithshme, në 27 (njëzet e shtatë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.500 (njëmijë e pesëqind) Euro, e cila është zbritur për shkak të llojit të gjykimit në 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.000 (njëmijë) Euro. Pezullim të dënimit dhe mospërmendje. Vendim i formës së prerë.
- I është revokuar leja e qëndrimit më datë 03.02.2003 nga Kuestori i Firencës.
- Është dëbuar nga territori Italian më datë 04.02.2003, masë e marrë nga Prefekti i Firences. Afati i dëbimit përfundoi më datë 24.07.2015.
Mbi këtë bazë dhe referuar parashikimeve të ligjit Nr.138/2015, si dhe Vendimit të Kuvendit Nr.17/2016 është arritur në konkluzionet se:
Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri,përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 pika 1 gërma “a” e ligjit Nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, për shkak tëdënimit nga Gjykata e Firences me vendim të formës së prerë.
Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri,përfshihet dhe në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, Kreu III-të, i Vendimit Nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mosdeklarimit prej tij në Formularët e Vetëdeklarimit të arrestit në flagrancë, ndjekjes penale ndaj tij në Itali, mosdeklarimit të dënimit penal të formës së prerë dhënë ndaj tij nga Gjykata e Firences dhe mosdeklarimit të masës së dëbimit nga shteti Italian.