Kronika

Dy kontingjente të ushtrisë shqiptare nisen në Afganistan

Në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e përcjelljes së dy kontigjenteve të Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të NATO-s, Resolute Support Mission në Kabul dhe Herat të Afganistanit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë forcash, zëvendësambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, Sinan Cem Baş, atasheu ushtarak italian në Tiranë, si përfaqësuesit e dy vendeve nën komandën e të cilëve do të jenë ushtarakët shqiptarë.

Komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani vuri në dukje vështirësitë e këtyre misioneve, megjithatë kërkoi nga efektivët shqiptarë të tregojnë aftësitë dhe vlerat e tyre më të mira, për të nderuar flamurin shqiptar.

Nga ana e saj ministrja Kodheli vlerësoi angazhimin e ushtarakëve shqiptarë në Afganistan qysh prej 15 vitesh, por edhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit. “Si pjesë e Aleancës me të cilën na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë, ne nuk mjaftohemi vetëm me solidaritetin me viktimat dhe të goditurit prej terrorizmit, por kontribuojmë aktivisht në luftën kundër tij.”

Ministrja Kodheli vlerësoi përgatitjen e këtyre dy kontigjenteve dhe shprehu mbështetjen e veçantë për ta dhe familjet e tyre gjatë angazhimit në operacion. “Tashmë, pas përmbushjes me sukses të angazhimit në Forcën Reaguese të Gatishmërisë tepër të lartë të NATO-s, nisim efektivat e kompanisë së parë. Ata morën pjesë me sukses në stërvitjen e NATO-s me vizibilitet të lartë “Trident Juncture-15”, në Capo Teulada, Itali, si dhe në stërvitjet e tjera dislokuese në Poloni, apo Gjermani.”

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Kodheli nuk la pa falënderuar Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë dhe Italisë për mbështetjen e pakursyer të Forcave të Armatosura shqiptare të dislokuara në operacionet jashtë vendit.

Dy kontigjentet shqiptare janë pjesë e Kompanisë I “zemërluanët” e Batalionit II të Këmbësorisë (k1b2k) dhe do të shërbejnë për një periudhë gjashtëmujore në Kabul nën komandën e Forcave të Armatosura turke dhe në Herat nën komandën e Forcave të Armatosura italiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button