“E mbyta gruan me rrip se pranoi se më kishte tradhtuar para 10 vitesh”
Vrasja në familje në fshatin Shëngjergj të Tiranës ka ndodhur për një tradhti para 10 viteve, ku çifti ishte i ndarë. Megjithatë, kjo se ka penguar Shkëlqim Dishën që të godasë me sende të forta bashkëshorten e tij dhe ta mbysë më pas me rripin e pantallonave. Burime nga Policia e Tiranës pohojnë për gazetën Shqip, se çifti ishte ndarë para 10 vjetësh. Mësohet se ribashkimi i tyre ka ndodhur katër vjet më parë, ndoshta për hatër të katër fëmijëve. Mësohet se çifti ka jetuar në Greqi për një periudhë të gjatë, ku Shkëlqimi punonte në ndërtim, ndërsa gruaja e tij punonte herë pas here si pastruese. Pas krizës në Greqi, çifti kthehet në Shqipëri, ku vendoset në fshatin Shëngjergj.
Burimet policore pohojnë se autori i krimit është marrë në pyetje edhe pasditen e djeshme, ku hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Mësohet se 37-vjeçari ka pranuar se e ka vrarë gruan e tij, pasi ajo i kishte pranuar se e kishte tradhtuar. Por, tradhtia ka ndodhur në kohën kur çifti ishte ndarë. “Prej disa kohësh kisha dëgjuar nga disa fqinjë se gruaja më kishte tradhtuar. Unë nuk e besoja diçka të tillë, pasi ajo është nëna e katër fëmijëve të mi. E kam pyetur disa herë për një thashethem të tillë, dhe ajo ma ka pranuar se më ka tradhtuar. Në këto momente m’u errësuan sytë dhe e kam goditur me ç’të mundja”, ka thënë në polici 37-vjeçari, ndoshta duke u justifikuar për veprimin e kryer. Megjithatë, akti është shumë i rëndë dhe vetë autori është shprehur i penduar për atë çfarë ka bërë. “U pendova, por ishte shumë vonë. Kam telefonuar vetë policinë dhe u kam treguar të gjithë ngjarjen”, thotë Shkëlqimi, i cili tashmë rrezikon një dënim deri në 35 vite burg, teksa Gjykata e Krimeve të Rënda mund t’i vendosë masën e arrestit me burg. Ai tashmë e di se me veprimin që ka kryer ka lënë jetimë fëmijët. Akuza thotë se ka prova të tjera për këtë çështje, megjithëse pas rrëfimit të vetë autorit, dosja do të kalojë shumë shpejt në gjykatë, për gjykimin e çështjes.
Në lidhje me ngjarjen, prokuroria thotë se Shkëlqimi e ka goditur bashkëshorten me një send të fortë, ndoshta dru në kokë. Më pas ka hequr rripin e pantallonave dhe pasi e ka qëlluar disa herë, ia ka lidhur në fyt, duke e mbytur. Për këtë ngjarje ka folur edhe një dëshmitar okular, shoferi i ambulancës, që transportoi trupin në morg.
“Policia e mori, e transportoi, e solli te makina, unë bëra transportin dhe e çova në morg në Tiranë. E pashë kur e zbritën, ishte goditur në kokë me dru dhe sipas të thënave të të shoqit e kishte mbytur me rripin e pantallonave”, ka thënë për mediat, duke shtuar më tej se ishte prezent kur e pyeti policia. “Unë isha aty kur e pyeti policia dhe tha se kam pasur probleme, pasi kanë qenë të ndarë, por ishin bashkuar sërish. Ishte penduar dhe filloi të qante”, dëshmon shoferi i ambulancës.
Ndërkohë, mësohet se trupi i gruas është transportuar drejt qytetit të Lushnjës, ku dhe gruaja kishte familjen dhe banonte më parë. Në qytetin e Lushnjës do të bëhet edhe varrimi, ndërsa familjarët e saj, pikërisht vëllai, nuk ka pranuar që varrimi të bëhej në Shëngjergj. Mësohet se vjehrri i viktimës kishte kërkuar që varrimi të bëhej në fshatin ku dhe banojnë fëmijët, ndërsa për këta të fundit ende është enigmë se ku do të qëndrojnë.