Edhe italianët “zbulojnë” bujqësinë shqiptare
Nuk janë vetëm sipërmarrësit shqiptarë ata që kanë kthyer sytë nga bujqësia, si sektori i të ardhmes. Kosto e reduktuar me 10 herë e fuqisë punëtore, taksat pesë herë më të ulëta, klima, lehtësia për të siguruar ujitjen po fillojnë të tërheqin edhe investitorët italianë. Një investim i gjelbër, mbjellja e pemës së klonuar paulonia, që përdoret në industrinë e mobilieve, po gjen terren në zona të ndryshme të Shqipërisë. Problem mbetet copëzimi i tokës bujqësore. Roberta dhe Cristian, një çift i ri italian, prej 3 vjetësh kanë gjetur “tokën e premtuar”. Nuk iu desh të kalonin oqeanin dhe si nëpër filmat western të vraponin për të fituar terrenin ku do të hidhnin themelet e aktivitetit të tyre. Iu mjaftoi të kalonin Adriatikun për të gjetur copëzat e parajsës. Erdhën në Shqipëri tre vjet më parë, duke tentuar të vazhdonin aktivitetin e familjes për prodhimin e drurit. Por, ndalimi i eksportit të drurit, në një përpjekje të qeverisë së re shqiptare për të ruajtur pyjet, ia prishi përkohësisht planet. Por, nuk u dorëzuan. Projekti u tjetërsua: kultivimin e paulonia, një pemë e klonuar, me rendiment tepër të lartë, që përdoret masivisht në industrinë e përpunimit të drurit, ku një nga klientët kryesorë është sipërmarrja globale e prodhimit të mobilieve, IKEA. Sot, ata përfaqësojnë interesat e një grupi investitorësh italianë, përmes kompanisë Sjlwa sh.p.k (Distributor zyrtar i Balkans Paulownia Clone) teksa kanë mbjellë 15 hektarë me këtë lloj peme, në zonën e fshatit Rinia të Durrësit, ku janë të punësuar aktualisht rreth 15 punëtorë. Sipërfaqja ka vetëm pak javë që është mbjellë dhe pemët nuk e kanë arritur një metër. Roberta kujdeset që çdo bimë të marrë shërbimin e duhur, në mënyrë që kthimi nga investimi të jetë maksimal, teksa shpreson që të tërheqë investitorë të tjerë italianë në këtë sektor.
Leverdia e paulonias
Në një sipërfaqe prej 1 hektar mund të mbillen 600 bimë, me një investim fillestar, që kryhet vetëm një herë prej 6000 eurosh, që përfshin dhe asistencën për mbjelljen e bimës, që duhet të kultivohen në distancë katrore 4 metra nga njëra-tjetra. Distanca e largët mundëson dhe shfrytëzimin e tokës për mbjelljen e bimëve të tjera. Investime të tjera dhe këto që kryhen vetëm një herë janë plugimi, freza dhe ndërtimi i sistemit të ujitjes, që arrijnë rreth 500 euro. Më pas, kostot e mirëmbajtjes janë minimale. Druri i paulonias, duke qenë i klonuar, rritet shpejt dhe brenda 6 muajsh shkon në 2 metra. Pas 6 muajsh ai duhet të pritet, duke e lënë vetëm 10 cm. Më pas, ai kërkon një mirëmbajtje minimale, vetëm ujitje dhe plehërim. I testuar dhe e prodhuar në laborator, bima e paulonias është rezistente ndaj agjentëve atmosferikë, të ftohtit, ndërsa duhet të kihet kujdes nga përmbytjet. Pas tre vitesh, ai rritet në 15-18 metra dhe është gati për t’i marrë prodhimin, që arrin në 450 metra kub, nga e cila del për shitje 200 metra kub, e cila shitet në treg me 30 euro metra kub, çka nënkupton se pas tre vitesh, merr të ardhura prej 18 mijë eurosh, nëse e shet të papërpunuar. Nëse përpunohet, çka do të kërkonte investime të mëtejshme, rritet vlera e shtuar dhe mund të shitet me 500-700 euro/m3.
Investitorët synojnë dhe tregun e brendshëm, por gjithsesi eksporti është i garantuar te blerësi më i madh në botë, IKEA, prodhuesi ndëkombëtar i mobilieve me bazë në Suedi. Cikli trevjeçar i prodhimit mund të vazhdojë deri në 25 vjet, megjithëse në përgjithësi, kontratat janë deri në 10 vjet dhe më pas rrënjët mund të rishiten. Një kombinim i sipërfaqeve të mbjella mund të mundësojë marrjen e prodhimit çdo vit. Zhvillimi i bletarisë është një tjetër alternativë që mundëson paulonia, që për 20 ditë në vit çel lule aromatike. Ajo mund të shërbejë dhe si bimë dekorative, ndërkohë që është miqësore me mjedisin dhe në botë është parë si një alternativë shpëtuese për sigurimin e lëndës së parë për industrinë e drurit, pa keqshfrytëzuar pyjet natyrale. Kultivimi i paulonias është një risi për tregun shqiptar, por Roberta pohon se kjo mund të jetë një industri me të ardhme. Bima kërkon shumë dritë, avantazh që Shqipëria, me më shumë se 260 ditë me diell në vit, e plotëson më së miri. Në krahasim me Kinën, që është sot furnizuesi më i madh i Italisë për këtë produkt që përdoret në industrinë e mobilieve, Shqipëria ka avantazhin e afërsisë gjeografike, që redukton ndjeshëm kostot e transportit. Përveçse në Durrës, paulonia ka filluar të mbillet dhe në Gjirokastër e Shkodër.
Shqipëria, një Kinë e vogël?!
Kultivimi i paulonias është një risi për tregun shqiptar, por Roberta pohon se kjo mund të jetë një industri me të ardhme. Bima kërkon shumë dritë, avantazh që Shqipëria, me më shumë se 260 ditë me diell në vit, e plotëson më së miri. Në krahasim me Kinën, që është sot furnizuesi më i madh i Italisë për këtë produkt që përdoret në industrinë e mobilieve, Shqipëria ka avantazhin e afërsisë gjeografike, që redukton ndjeshëm kostot e transportit.
Avantazh, taksat e ulëta dhe kosto e lirë e fuqisë punëtore
Roberta tregon se dy janë elementet kryesore që po tërheqin investitorët italianë në bujqësinë shqiptare: së pari, taksat e ulëta, që janë sa një e pesta e atyre në Itali dhe së dyti, kosto e lirë e fuqisë punëtore, sa një e dhjeta e Italisë. “Këtu një punëtor e paguajmë 150-200 euro, në Itali 1200-1500 euro”, thotë ajo. Aktualisht janë të punësuar rreth 15 punonjës, që janë sezonalë, sipas nevojave për shërbimin dhe kultivimin e bimës. Ndonëse sipërmarrjet italiane që pas viteve ’90 kanë hyrë fuqishëm në Shqipëri, ato janë përqendruar kryesisht në industrinë tekstile dhe shërbime të tjera. “Kur u regjistruam, na thanë që ishim ndër të paktat kompani italiane me fokus bujqësinë”, thotë Roberta. Shqipëria nuk është marrë në konsideratë nga investitorët italianë në fushën e bujqësisë, pasi jo vetëm që nuk e njohin, por dhe janë disi të stepur. Ajo shton se problemi më i madh me të cilin janë hasur është toka e copëzuar, një dukuri kjo që në fakt është tipike e bujqësisë shqiptare (mesatarja e fermave është 1.4 hektarë). Paulonia kërkon sipërfaqe të mëdha, në mënyrë që investimi të jetë eficient.
Plane edhe për agroturizëm
Pozicioni i fushave pak kilometra larg detit në fshatin Rinia, në një zonë ekzotike, pranë brezit të pishave, që u ka shpëtuar ndërtimeve masive që shihen rëndom në bregdetin shqiptar, e bëjnë atë një zonë ideale edhe për agroturizëm. Një pistë ranore për motorë, në ndërtim e sipër, pritet ta bëjë më interesante zonën, që me rritjen e paulonias do të kthehet në një hapësirë të gjelbër. “Planifikojmë të zhvillojmë gara me motorë, që pritet të tërheqin turistë të shumtë italianë”, thotë Cristian, i cili ka gjetur mundësinë të zhvillojë dhe pasionin e tij për këto gara.
Investimet italiane në Shqipëri, kryeson industria përpunuese
Stoku i investimeve italiane në Shqipëri arriti në 526 milionë euro në fund të vitit 2014, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke u renditur e treta, pas Greqisë dhe Kanadasë. Industria përpunuese është sektori që ka tërhequr më shumë sipërmarrjet italiane deri tani, me 23% të totalit të investimeve, e ndjekur nga pasuritë e paluajtshme dhe tregtia. Bizneset e vendit përtej detit ishin të parët pas viteve ‘90, që nxituan të shfrytëzonin avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe aftësive profesionale të industrisë së tekstileve e këpucëve. Vitet e fundit kanë qenë ndërmarrjet e call center ato që kanë marrë revanshin, duke shfrytëzuar sërish koston e lirë të fuqisë dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Numri i kompanive italiane në vitin 2014 u rrit me 19% në krahasim me 2013-n, ku rreth 364 ndërmarrje italiane kanë hapur aktivitetin e tyre rishtas në vendin tonë. Në total, janë rreth 2300 ndërmarrjet italiane ose të përbashkëta në Shqipëri, duke përbërë 42% të totalit të bizneseve të huaja në Shqipëri.