Ekonomia

Edhe në Vodafone Albania vijnë hungarezë: Balázs Révész do të jetë CEO i ri i kompanisë

Balázs Révész aktualisht mban detyrën e Drejtorit Komercial dhe Drejtuesit të Njësisë së Biznesit Konsumator në Vodafone Hungari. Në fillim të këtij viti, Vodafone Hungari doli nga ombrella e grupit Vodafone dhe u ble nga një konsorcium i përbërë nga kompania hungareze 4iG dhe qeveria hungareze, për gati 1.8 miliardë euro. 4iG është i pranishëm edhe në tregun shqiptar prej vitit të kaluar, pasi bleu operatorët Albtelecom dhe One Telecommunications, që prej këtij viti të bashkuar në One Albania.

Administratorja aktuale e Vodafone Albania, Kathia Stathaki, mori zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Vodafone në korrik të vitit 2021. Gjatë periudhës relativisht të shkurtër të drejtimit të saj Vodafone shënoi një rritje të lehtë në pjesën e tregut sipas përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare (47.1% në fund të 2022 nga 46.9% në fund të 2020) dhe një rritje shumë më domethënëse në segmentin e shërbimeve me linja fikse, ku në fund të vitit të kaluar Vodafone Albania zotëronte 21.7% të abonentëve (nga 19.2% në fund të vitit 2020), duke marrë njëkohësisht edhe kryesimin e tregut të innternetit broadband me linja fikse nga Albtelecom/One Albania.

Të dhënat financiare për vitin 2022 nuk janë publikuar ende, ndërkohë që për vitin 2021 Vodafone Albania realizoi të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike (fix+mobile) në vlerën e 15.33 miliardë lekëve, në rritje me 7% krahasuar me vitin 2020. Ndërkohë, rezultati financiar për vitin 2021 rezultoi me humbje të thellë në vlerën e 1 miliardë lekëve.

Balázs Révész do ta marrë drejtimin e Vodafone Albania në një moment të rëndësishëm për tregun celular. Që nga fillimi i këtij viti, tregu celular do të ketë vetëm dy operatorë, pas bashkimit të ONE Telecommunication me Albtelecom nën ombrellën e grupit hungarez 4iG, në kompaninë e re, One Albania. Për Vodafone kjo nënkupton një konkurrent më të madh dhe me kapacitete më të rëndësishme investuese, jo vetëm në shërbimet celulare, por edhe në ato fikse, ku gjithashtu dy operatorët e mësipërm janë dominues të tregut. Operatori i ri, One Albania, tashmë është operatori më i madh për nga numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare (52.9% në fund të vitit 2022)

Përveç ndryshimit në strukturë, tregu i komunikimeve celulare ndodhet para një tjetër kapërcimi të rëndësishëm në teknologji. Këtë vit pritet të zvillohet tenderi i parë për frekuencat e teknologjisë 5G në Shqipëri. Kalimi në teknologjinë 5G do të shtojë nevojën për investime, të lidhura si me blerjen e të drejtave për shfrytëzimin e frekuencave, ashtu edhe me investimet në infrastrukturë rrjeti dhe teknologji.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button