Opinion

Edhe një propozim i pakërkuar i kryeministrit Rama

Ndihma më e madhe që Shqipëria mund t’i bëjë vetes dhe kombit në tërësi është që të zhvillojë me përpikëri reformat e vështira për t’u anëtarësuar në BE. Përzierja në punë të brendshme të Kosovës – si e një zbuluesi të “terra incognita” apo e fëmijës që hap lodrën për të parë se si funksionon mekanizmi i saj dhe pastaj nuk mund ta kthejë në gjendjen e mëparshme – merr energji të nevojshme nga drejtimi strategjik evropian i Shqipërisë dhe i Kosovës si dy shtete të pavarura.

Nga VETON SURROI

Kryeministri Rama përgjatë disa viteve të kaluara ka bërë propozime publike nga më të ndryshmet se si duhet të veprojë Kosova në relacion me Serbinë.

Propozimi i fundit i bërë në Kuvendin të Kosovës me rastin e takimeve të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte një lloj mbindërtimi i një ideje të ofruar më herët nga disa diplomatë perëndimorë dhe nga presidentja Osmani. Në formën e vet origjinale, ideja thotë që Kosova do të duhej të zbatonte në formë unilaterale Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit. Në formën e vet të mbindërtuar, z. Rama thotë se Kosova “duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me BE-në.” Kosova duhet ta japë “provën e padiskutueshme të vullnetit e të përkatësisë së vet në gjirin e Evropës së Bashkuar e të NATO-s, duke i përmbushur, unilateralisht, të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”.

Propozimi i z. Rama është jo i duhur në disa rrafshe.

Fillimisht, Kosova ka nevojë t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Marrëdhëniet e panormalizuara me BE-në e me NATO-n nuk janë produkt i mungesës së përmbushjes së kritereve të Kopenhagës për demokraci e sundim të ligjit apo të mungesës së kontrollit civil ndaj forcave të armatosura – Kosova në këtë aspekt e në aspektin e konvergjencës me politikën e jashtme të NATO-s e të BE-së është më përpara se disa prej fqinjëve dhe disa prej shteteve anëtare të BE-së e NATO-s. Marrëdhëniet e panormalizuara me NATO-n e me BE-në janë fryt i drejtpërdrejtë i gjendjes së marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

Rrjedhimisht, pos që Kosova ka nevojë për normalizim me fqinjin e vet e ta përmbyllë konfliktin, përmbushja unilaterale e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nuk bën ndryshimin thelbësor ndaj gjendjes së tanishme në relacion me BE-në dhe NATO-n. Në mungesë të një akti të certifikuar normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë arsyetim formal për ta njohur. Për më tepër, edhe me zbatimin unilateral, të plotë, pikë e presje, të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, kjo nuk do ta pengonte Serbinë që në një moment të ardhshëm të bëjë kërkesa plotësuese të përcjella me deklarimin se edhe ashtu kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur.

Kështu do të dilte se Kosova duhet të ngarkohej me barrën e Serbisë e mosgatishmërisë së saj të deritanishme për dialog.

2.

Arsyetimi që i është bërë kësaj ideje, qoftë në formën origjinale, qoftë atë të mbindërtuar të kryeministrit Rama, thirret në precedentin e negociatave të kaluara, në Rambouillet dhe Vjenë. Atëbotë, Kosova mori përsipër të zbatojë në formë unilaterale marrëveshjet, për të cilat qe zotuar dhe fitoi. Në rastin e parë fitoi çlirimin e vendit falë ndërhyrjes së shteteve të NATO-s dhe vendosjen nën administrim ndërkombëtar si formë përgatitore për vendosjen e statusit të përhershëm. Në rastin e dytë, Kosova fitoi përkrahjen për shpalljen e dakorduar të pavarësisë së bashku me një pjesë të madhe të botës demokratike.

Në rastin e tanishëm nuk ekziston një objektiv i identifikueshëm që do të bënte transformimin dhe kjo për një arsye të thjeshtë: normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së e NATO-s (që do të ishte momenti transformativ) varet nga shtetet anëtare. Në konstelacionin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, disa prej shteteve anëtare të BE-së e NATO-s janë më larg vlerave të BE-së e NATO-s sesa Kosova – vështirë të binden se interesi i tyre është ta shtyjnë përpara Kosovën. Edhe ato që janë atlanticiste e evropianiste (si Spanja e Greqia, për shembull) e kanë vështirë ta përkrahin Kosovën me marrëdhënie të panormalizuara me Serbinë.

Për më tepër, konceptualisht është më lehtë të shpjegohet kështu: Kosova ka mundur të çlirohet nga Serbia pa vullnetin e Serbisë, Kosova ka shpallur pavarësinë dhe është shtet i pavarur pa vullnetin e Serbisë, por Kosova nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Serbinë pa vullnetin e Serbisë. Këtë relacion të fundit kryeministri Rama e ka quajtur “kërthizë të reciprocitetit nacionalist”. Përshkrimi besoj është i gabuar, sepse nuk ekziston reciprocitet: Kosova nuk ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë Serbinë. Përkundrazi, Kosova ka shprehur se është e gatshme të vendosë marrëdhënie diplomatike e të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë.

Atë që z. Rama e quan “reciprocitet nacionalist” është në fakt konteksti i reciprocitetit evropian: Kosova ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë për hir të marrëdhënieve fqinjësore me të si dhe për normalizimin e marrëdhënieve me BE-në e NATO-n. Serbia ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën për hir të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të si dhe për integrim në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst evropian problem nuk është Kosova. Problem janë hezitimi i Serbisë dhe dobësia diplomatike e Bashkimit Evropian. Serbia hezitoi që të pranojë normalizim me Kosovën siç iu ofrua me Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e Bashkimi Evropian u përpoq ta akomodojë këtë hezitim me akrobacione interpretuese të validitetit të një marrëveshjeje ku njëra palë shpreh hapur rezerva kundër.

3.

Në këso konteksti të procesit negociator e ndërsa hyjmë në një vit ristrukturimi të politikës së BE-së dhe SHBA-së (me Komisionin e ri dhe ardhjen e presidentit Trump) nuk është ide e mirë ajo e kryeministrit Rama që Kosova të ngrijë negociatat me Serbinë. Fillimisht, Kosova ka një traditë tashmë të partnerit të parashikueshëm të Perëndimit dhe përgjatë mbi tridhjetë vjetësh negociata dhe në momente shumë të vështira nuk është ngritur nga tryeza negociatore. Porosia që duhet të vijë nga Kosova nuk është ngrirja, por dinamizimi.

Së dyti, ngrirja (apo ngritja nga tryeza) do të drejtonte dyshimin për dështimet e deritanishme kah Kosova e jo nga rezervat e shprehura të Serbisë dhe paaftësisë diplomatike të Brukselit. Në Bruksel kjo do të shërbente për një ligjërim të ri shfajësues, me të cilin dialogu i Brukselit ka dështuar, sepse Serbia nuk dëshiron ta pranojë në tërësi Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e Kosova po refuzon t’i vazhdojë negociatat, i ka “ngrirë ato në afat të pacaktuar”. Me këtë lehtësi, barra e presionit që objektivisht i bie BE-së lehtë bartet te Kosova.

Dhe së treti, se çfarë është kredibiliteti i Brukselit në trajtimin e përgjegjësisë (për të mos thënë fajësisë) shihet me faktin se Kosova gjendet nën masa ndëshkuese të BE-së përderisa është mbrojtur nga një operacion politik e paraushtarak për destabilizimin e një pjese të vendit. (Koincidentalisht: është mu kjo pjesë e vendit, e cila nuk figuron në fjalimin e kryeministrit Rama kur thotë se shqiptarët “i kemi shtrirë krahët nga Konispoli deri në Mitrovicë”)

4.

Veprimi i fundit i kryeministrit Rama është konsistent përgjatë dhjetë vjetëve të fundit. Ai ka përkrahur idenë që Kosova duhet ta ndajë territorin e saj dhe të arrijë marrëveshje me Serbinë. Përtej “opinioneve vëllazërore” i ka ofruar pa ia kërkuar kush në Kosovë një draftstatut për Bashkësinë e komunave serbe. Ka propozuar, pa u konsultuar me Kosovën , që NATO-ja të marrë nën administrim të vetin pjesën veriore të Kosovës pas trazirave në Zveçan e gjetiu; kështu do të krijoheshin dy zona të sigurisë në Kosovë, me pasojat e veta politike. Ka pezulluar mbledhjen e dy qeverive të vendit që duhej të mbahej në Pejë si shteti i parë që zbatoi sanksione ndaj Kosovës për veprimet e veta, të quajtura “unilaterale”. Së fundmi në mbledhjen e Prishtinës, pos udhëzimeve të tjera për trajtimin e historisë së Kosovës dhe gjyqësisë së saj të ndërlikuar, propozoi ngrirjen e negociatave me Serbinë dhe zbatimin unilateral të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Arsyetimi për këto veprime qe një kombinim mes përgjegjësisë së vetëdeklaruar euro-atlantike të një shteti që filloi negociata me BE-në dhe përgjegjësisë kombëtare. Në të dyja rastet, kryeministrit Rama do t’i bënte favor vetes dhe argumenteve të veta po të ishin pjesë e një këmbimi jopublik mendimesh me homologun e tij dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë. Në të dyja rastet, paraqitjet me spektakël e folklor e tejkalojnë shijen e mirë të bisedës intelektuale dhe kufirin kur mendimi i kryeministrit të një vendi fqinj shndërrohet në thirrje për veprim, gjegjësisht ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Rruga e Shqipërisë për në BE nuk varet as edhe për një fije prej veprimeve të Kosovës, e aq më pak nga dialogu Kosovë–Serbi. Ndihma më e madhe që Shqipëria mund t’i bëjë vetes dhe kombit në tërësi është që të zhvillojë me përpikëri reformat e vështira për t’u anëtarësuar në BE. Përzierja në punë të brendshme të Kosovës – si e një zbuluesi të “terra incognita” apo e fëmijës që hap lodrën për të parë se si funksionon mekanizmi i saj dhe pastaj nuk mund ta kthejë në gjendjen e mëparshme – merr energji të nevojshme nga drejtimi strategjik evropian i Shqipërisë dhe i Kosovës si dy shtete të pavarura.

Kryeministri Rama do t’i bënte favor Shqipërisë, Kosovës dhe rrugës euro-atlanticiste të të dyja vendeve po të mos jetë më konsistent në ofrimin e “ideve vëllazërore”.

Veton Surroi, themelues i Koha Ditore per të cilën e ka shkruar këtë artikullI’

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button