Opinion

Edi Rama duhet të mësojë të zgjedhë burra!

Desada Metaj
Desada Metaj

Kur burrat janë të pafuqishëm të zgjedhin një emër burri dhe kur ca burra të tjerë nuk kanë guximin as të pyesin nëse janë ata të zgjedhurit… atëherë hyjnë në lojë gratë. Ose më saktë, emrat e tyre dhe përdorimi që i bëhet në rastet kur debati shterpë dhe mungesa e alternativave i bën burrat e politikes dhe të ndjeshëm ndaj kuotave dhe përfaqësimit të grave në politike.
Dhe kjo bëhet edhe më pak e besueshme kur thirrja për të zgjedhur një grua vjen nga Baton Haxhiu, gazetari i afërt me qeveritë e Tiranës. Nëse Batoni nuk e di apo s’e kupton, Edi Rama ka zgjedhur jo pak gra në poste të larta shtetërore. Ato drejtojnë sot sektorë shumë të rëndësishëm, edhe pse CV e tyre kanë qenë të njohura vetëm për Kryeministrin. Një nga drejtoreshat e Ramës vetëm pak ditë më parë dha leksione rrugaçërie përpara Komisionit të Ligjeve, duke demonstruar qartazi forcën që kanë të zgjedhurat personale të Kryeministrit. Ndaj mendoj se Batoni nuk e ka kuptuar mirë sa i kujdesshëm është Rama që jo vetëm të zgjedhë gra që drejtojnë në qeverinë e tij, por madje t’i ketë dhe të “forta”, model që ai e kritikoi aq shumë kur ishte në opozitë.
Me kujdes po aq të madh Kryeministri ka zgjedhur dhe burra të urtë e të qetë, gati-gati të pafjalë dhe të pazotë për të pyetur për javë të tëra se kush dreqin do të jetë ai që do të përfaqësojë maxhorancën për të drejtuar Tiranën; Aq sa profili i tyre me ngjan me ato gratë tipike shqiptare të paraluftës, që qëndrojnë mbyllur në shtëpi dhe presin gojëkyçur vendimin që do marrë kryetari i familjes, që sigurisht është një burrë.
Ndaj, i dashur Baton, zgjedhja e një gruaje apo jo në këtë rast ka të bëjë vetëm me seksin, por jo me procesin, politikën dhe aq më pak me konkurrencën. Sepse, në një garë të madhe, ato që vendosin janë vlerat dhe konkurrenca, jo kënaqësitë perverse që dikush provon duke parë bashkëpunëtorët e tij të përpëliten në mëdyshje dhe ëndrra kandidatësh. Aq më tepër ky mesazh vlen dhe për opozitën. Krejtësisht apatike dhe e paqartë në çdo lëvizje të saj. Ku sigurisht përfaqësimi me një grua për Tiranën do ta nderonte dhe ndihmonte në marrjen e votave, por assesi nuk mund të konsiderohej një vlerë për zbatimin e kuotave.
Jam e bindur që në këtë vend gratë janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë, më të arsimuara, të edukuara dhe mendjehapura. Deri në momentin kur një burrë vendos që ato të merren me politikë, duke i përcaktuar pozicionin dhe karrierën, fillimin dhe fundin e karrierës që në asnjë rast nuk ka lidhje me kuotat për të cilat ato përpiqen kaq shumë. Sepse në fund të ditës janë 2 burra të gjatë, që do të vendosin pa asnjë lloj kriteri apo konkurrence nëse ato vlejnë apo jo për vendin qe është bosh. Sikundër dhe në këtë rast, po luajnë për Tiranën. E mirëkuptoj dhe shqetësimin e kolegut Haxhiu për të nxitur në këtë rast më shumë Lulzim Bashën të vendosë për të zgjedhur një grua për Tiranën, por sërish mendoj se e ka adresuar gabim kërkesën e tij. Dhe, sa për Kryeministrin, nuk kam asnjë merak që ai do të vijojë të zgjedhë gra për të qeverisur, madje do të tejkalojë dhe kuotat e përcaktuara. Merakun më të madh e kam kur të zgjedhë burrat, që, veç karakterit, i duhet t’u shohë dhe dëshminë e penalitetit. Ndaj, më shumë se kuota për përfaqësim të grave, është më mirë të kërkojmë kuota për burrat që, në çdo rast, të mos jenë më shumë se 50% dhe të paktën vetëm 10% e tyre të dinë të sillen si të tillë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button