Ekonomi, vizitë në Panairin HoReCa: Standardizim strukturave akomoduese
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, mori pjesë në panairin HoReCa, (Hotel Restaurants Cafe) i cili hapi dyert nga 3 -5 mars në Pallatin e Kongreseve.
Pasi vizitoi gjithë pavijonet e panairit, ministrja Ekonomi mori pjesë në një konferencë ku u mblodhën përfaqësues të këtyre bizneseve pjesëmarrëse, përfaqësues të shoqatave të hoteleri-turizëm etj. Në këtë konferencë Ministrja shpjegoi rëndësinë e standardizimit të strukturave akomoduese, një proces që tashmë ka nisur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ky proces, që kërkon pak kohë, starton me vetëdeklarimin e hoteleve për standardet që ata kanë në një sistem online të aksesuar në AKSH, dhe më pas një grup verifikuesish zbret në terren tek këto hotele për të parë nëse janë ato standarde të vetëdeklaruara. Më pas procesi përfundon me vendosjen e yjeve përkatëse për hotelet. Ministrja tha se ky standardizim do të ketë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të turizmit, pasi në radhë të parë e formalizon këtë sektor. Duke pasur të dhëna e statistika të sakta për këtë sektor, qeveria më pas mund të përdorë dhe incentivat për hotelet, duke marrë shembull dhe nga praktikat e vendeve të tjera.
Konferenca vijoi si një dialog i hapur me pyetje për çështje të ndryshme rreth sektorit, të cilat morën përgjigjet nga Ministrja Ekonomi. Ministrja u uroi punë të mbarë përfaqësuesve të bizneseve në ekspozimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në këtë panair.
Ky është edicioni i 4-t i panairit HoReCa, ku morën pjesë rreth 140, afro 40% e të cilëve ekspozues ndërkombëtarë. Në tre edicionet e kaluara, HoReCa është kthyer në lider për ekspozimin e kompanive të ketij segmenti në vend, ku zhvillohen dhe takime B2B midis kompanive prodhuese apo shërbyese dhe klientëve më të mirë.