Ekonomia

Ekspertët: TAP mundësi për ekonominë, por duhet diversifikuar portofoli i IHD-ve

Nuk ka asnjë dyshim që projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline do të jetë domethënës për Investimet e Huaja Direkte për Shqipërinë, veçanërisht për vitin 2017.

Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se investimet për gazsjellësin TAP sollën rreth 40% të totalit të Investimeve të Huaja Direkte për vitin 2016, duke amortizuar tkurrjen e ndjeshme të industrisë nxjerrëse.

Më herët, edhe agjencia vlerësuese Standard & Poor’s (S&P) për Shqipërinë, vlerësoi se duke qenë se pjesa më e madhe e projektit TAP do të ekzekutohet në 2017, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) do të arrijë në mbi 11% të PBB-së në 2017-n. Flukse të tjera hyrëse të investimeve të huaja janë të lidhura me sektorin e energjisë, veçanërisht projektet në ndërtimin e hidrocentraleve”.
Sipas S&P, investimet në raport me PBB-në në 2017-n pritet të arrijnë në 11.2%, nga 9.5% në 2016-n, ndërsa më pas do të bien në 10% të PBB-së në 2019-2020.

Por, S&P paralajmëron se kjo rritje po vjen si rrjedhojë e projekteve të mëdha dhe që vendi duhet të bëjë përpjekje për të tërhequr investime të tjera.

TAP pritet të investojë në Shqipëri rreth 1.5 miliardë euro.
Përqendrimi më i madh i tyre do të jetë në 2017-n, kur pritet të arrijnë nga 400-450 milionë euro, shumë kjo e barabartë me gati gjysmën e investimeve të huaja që merr Shqipëria mesatarisht në një vit.

Por, çfarë thonë ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare në lidhje me ndikimin e këtij projekti të madh, që e fut për herë të parë Shqipërinë në hartën botërore të gazit? Cili është opinioni i tyre në lidhje me ndikimin në ekonomi dhe nevojat që ne kemi për investime me vlerë të shtuar.

Matteo ColagneliBERZH: Gati ta mbështesim me asistencë teknike

Flet Matteo Colangeli, drejtor i BERZH-it për Shqipërinë

BERZH parashikon që të angazhohet edhe në projektin TAP. Kredia parashikohet të jetë në 1.5 miliardë euro, më e larta e akorduar ndonjëherë.
Nga kjo shumë, 500 milionë euro do të akordohen si një kontribut direkt i BERZH-it, ndërsa pjesa tjetër do të jepet përmes një huaje sindikale nga bankat tregtare. Rreth 50% e kësaj huaje do të përdoret për projektin në Shqipëri.

A mendoni se TAP ka një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare, përveç faktit se do të shërbejë për të rritur shifrën e Investimeve të Huaja Direkte?

Unë mendoj se 2017-a do të jetë një vit i rëndësishëm për ndërtimin e TAP-it, kur do të realizohet një pjesë intensive e punimeve. Kjo do të ofrojë mundësi të mira për nënkontraktorët shqiptarë, për të siguruar tenderë dhe kontrata dhe do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv edhe në punësim.
Zhvillimi i një tregu për gazin në Shqipëri që do të mundësohet nga TAP, por edhe nga kërkimet e vazhdueshme në sektorin e hidrokarbureve në vend do të duhet të plotësohet nga një kuadër ligjor dhe një set institucional për rregullimin dhe operimin në këtë sektor të ri të ekonomisë shqiptare. Krijimi i Albgaz, si operatori i sistemit të transmetimit të gazit në vend, është një nga hapat e parë në këtë drejtim. Ne mund të shqyrtojmë mundësinë që ta mbështesim këtë proces me asistencë teknike. Kjo do të krijonte një mundësi të mirë për transferimin e njohurive dhe aftësive të reja në vend, bashkë me mundësi punësimi për fuqi punëtore të kualifikuar.

 

selami-xhepaNdikimet janë ekzagjeruar, Koha për të diversifikuar portofolin

Flet Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë

Roli i projektit TAP është me rëndësi të madhe ekonomike dhe politike për vendin, por ndikimet e tij në periudhën afatshkurtër duket se janë ekzagjeruar. Gjatë dy-tre viteve të fundit është nënvizuar se rritja ekonomike e vendit i atribuohet këtij projekti, duke shtuar edhe projektin e Statkraft-it në Devoll.

Mendoj se është e pamundur që rritja ekonomike të jetë kaq fort e ndikuar nga ky investim dhe se efektet e tij në punësim dhe në sistemin fiskal nuk japin ndonjë indikacion që ta mbështesë këtë tezë. Por, në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, ndikimet e tij mund të jenë të paneglizhueshme.

Fakti që Shqipëria do të bëhet një vend transit i mallrave strategjike, siç është gazi, e bën vendin tonë një korridor të rëndësishëm strategjik dhe e shton vëmendjen e vendeve të tjera ndaj problemit të sigurisë dhe stabilitetit. Këta faktorë janë gjithashtu në vetvete të rëndësishëm për rritjen ekonomike.

Në një lidhje më të drejtpërdrejtë, lidhja me rrjetin e gazit, i jep vendit akses te burimet energjetike më të lira e që rrjedhimisht mund të diversifikojnë prodhimin e elektricitetit dhe të furnizojnë ekonominë me burime me kosto më të lirë.
Të gjithë këta faktorë janë pozitivë dhe e mbështesin fort suksesin e realizimit sa më shpejt të projektit.
Megjithatë po të studiojmë nga afër strukturat e investimeve të huaja në vendin tonë vëmë re se ajo është e dominuar nga sektori shërbimeve, i telefonisë, bankat, sigurimet.

Në këtë kuptim, efektet e FDI-ve kanë qenë shumë modeste në diversifikimin e sektorit të manifakturës, në punësim, në nivelin e pagave, etj. Pra, IHD-të nuk kanë pasur ndikim të dallueshëm në diversifikimin e strukturës ekonomike dhe modernizimin e ekonomisë. Projekte si TAP, sigurisht që janë me rëndësi vitale, pasi ato janë pjesë e modernizimit të infrastrukturës bazë mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj do të duhej të bëhej e mundur që IHD-të të diversifikohen, duke u shtrirë më shumë në sektorin e prodhimit dhe të industrisë, e nga ana tjetër duke bërë të mundur plotësimin e infrastrukturës bazë: energji, transport, komunikim, që janë prerekuizita për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për një efekt më të fortë të IHD-ve në modernizimin e ekonomisë së vendit.

 

suzanan guxholliShqipëria kërkon përpjekje më të mëdha

Flet Suzana Guxholli, eksperte ekonomie

Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri përfaqësohen nga projekti TAP që sjell shuma të konsiderueshme në 2-3 vjet, që është edhe periudha kur ndërtohet tubacioni, por nuk lë aktivitete të mëtejshme e punësim të qëndrueshëm, pra vetëm sezonal.

Shqipërisë i duhen përpjekje të mëdha për ta nxjerrë nga varfëria relative (40% e popullsisë), etj.
Si rrjedhim, ekonomia do të vazhdojë rritjen anemike të pabazuar në prodhim e produktivitet, por në investime sporadike publike dhe të huaja (veç TAP- it).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button