Spiecapag: Si po shtrojmë 215 km tuba në Shqipëri
Flet Guillaume Batut, menaxher projekti i Spiecapag në Shqipëri
Me disa përjashtime që do të ndërtohen vitin e ardhshëm, i gjithë segment i gazsjellësit TAP midis Fierit dhe Beratit ka përfunduar, ndërsa aktiviteti kryesor i ndërtimit është përqendruar tani në zonën e Devollit, Maliqit dhe Korçës. Pas përfundimit të kësaj faze, do të nisë ndërtimi në zonat e vështira malore, ku është edhe pjesa më sfiduese.
Guillaume Batut, menaxher projekti i Spiecapag në Shqipëri, – kompanisë që fitoi të drejtën për të qenë kontraktor i projektit TAP për të ndërtuar segmentin tokësor të gazsjellësit në Shqipëri, 215 km- në një intervistë për Monitor flet lidhur me ecurinë e projektit të gazsjellësit.
Gati një vit më parë, kompania Spiecapag fitoi të drejtën për të qenë kontraktor i projektit TAP për të ndërtuar segmentin tokësor të gazsjellësit në Shqipëri, 215 km. Cila është rëndësia e kësaj kontrate për Spiecapag dhe cili është progresi aktual i punimeve?
Spiecapag ka mbi 90 vjet përvojë në ndërtimin e tubacioneve dhe objekteve përçuese në të gjithë botën. Kompania Spiecapag ka ndërtuar mbi 50,000 km tubacione në mbi 60 vende. TAP është një projekt i rëndësishëm i infrastrukturës së naftës gazit. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag. Ne synojmë që emri ynë të lidhet me projekte prestigjioze dhe TAP është një nga ato mundësi që nuk duhej humbur.
Sot, pothuajse i gjithë projekti inxhinierik ka përfunduar, ndërsa ka nisur procesi i prokurimit. Ne jemi ende duke adresuar disa rregullime për shkak të disa ndryshimeve në kushte, por ato nuk do të ndikojnë në aftësinë tonë për të vazhduar me ndërtimin.
Aktualisht punimet paraprake, duke përfshirë përgatitjen për magazinimin e tubave, platforma e kampit, si dhe një pjesë e mirëmbajtjes së rrugëve ka përfunduar në masën 30%, në përputhje me nevojat e ndërtimit të tubacionit.
Për ndërtimin e tubacionit, ne jemi mobilizuar plotësisht dhe aktualisht kemi arritur të realizojmë 15% të punimeve të ndërtimit.
Me disa përjashtime që do të ndërtohen vitin e ardhshëm, i gjithë segmenti midis Fierit dhe Beratit ka përfunduar, ndërsa aktiviteti kryesor i ndërtimit është përqendruar tani në zonën e Devollit, Maliqit dhe Korçës. Pas përfundimit të kësaj faze, ne do të nisim me ndërtimin në zonat e vështira malore, ku është edhe pjesa më sfiduese.
A kanë arritur kontraktorët/nënkontraktorët lokalë të angazhuar në ndërtimin e tubacionit ose objekte të tjera të përmbushin pritshmëritë tuaja? A zbatojnë ata standardet e kërkuara ndërkombëtare? Cilat janë kompanitë më të mëdha shqiptare që janë të kontraktuara nga Spiecapag?
Ne kemi pritshmëri të lartë për standardet QHSE që ua kërkojmë edhe nënkontraktuesve tanë t’i përmbushin. Çdo herë që ne angazhojmë një nënkontraktor, i japim mbështetje dhe trajnime të rëndësishme, duke i integruar në ekipin tonë sa më shumë që të jetë e mundur. Kompanitë me të cilat kemi punuar janë të përgjegjshme, tregojnë vullnet për t’u angazhuar, si dhe qasje pozitive. Ndërsa lista e kompanive shqiptare me të cilat ne punojmë është e gjatë, ku mund të përmendim: Salillari, Albstar, Emante, Sterkaj, Diamant, Nazzeri, etj.
Sa punonjës janë të punësuar nga Spiecapag? Sa prej tyre janë shqiptarë dhe se si do ta vlerësonit performancën e tyre?
Aktualisht, ne kemi të punësuar direkt rreth 700 punëtorë shqiptarë. Nënkontraktuesit tanë gjithashtu kanë të punësuar përafërsisht të njëjtën shifër.
Ne kemi konstatuar se punëtorët shqiptarë janë të përkushtuar dhe punojnë fort, janë mendjehapur ndaj qasjeve që mund të mos jenë të zakonshme për ta, duke përfshirë standardet e shëndetit dhe sigurisë. Ne ofrojmë trajnime në klasa, por edhe në terrenin e punës për të rritur aftësitë dhe kualifikimin e punëtorëve shqiptarë. Kjo do t’i ndihmojë ata që standardet t’i zbatojnë edhe në të ardhmen në përvoja të tjera.
Cilat janë problemet kryesore me të cilat Spiecapag është ndeshur në Shqipëri?
Ne po përballemi me disa kushte të vështira gjeologjike, gjeoteknike, por edhe aksesi në Shqipëri. Kemi shpenzuar kohë dhe përpjekje për të siguruar një rrugë finale të tubacionit, për ta ndërtuar në mënyrë të sigurt dhe për t’i garantuar jetëgjatësi tubacionit. Nga mesi i vitit 2017, ne do të përfundojmë ndërtimin në zonat e ulëta dhe fushore e më pas do të nisim me ato malore. Për ne, sfida jonë më e madhe është të arrijmë të instalojmë të sigurt tuba me diametër 48″, në një terren të pjerrët dhe shkëmbor.
Qeveria shqiptare ka paraqitur planin e saj ambicioz të gazifikimit, a shikoni ju mundësi për t’u përfshirë në projekte të tjera në Shqipëri?
Çdo gazsjellës është një mundësi për ne. Në këto kushte, edhe plani i gazifikimit të Shqipërisë është padyshim një mundësi për ne. Ne besojmë se përvoja jonë gjatë punës në Shqipëri mund të jetë një mbështetje e rëndësishme për këtë projekt.
A besoni se Spiecapag do të lërë një trashëgimi në Shqipëri?
Të gjithë punëtorët, të cilët punojnë me ne, po trajnohen si me kurse, ashtu edhe në terren. Pjesë e trashëgimisë është edhe ajo çfarë kanë arritur këta punëtorë me njohuritë dhe aftësimin e tyre, të cilët do të jenë në gjendje të mbështetin në të ardhmen zhvillimin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, si pjesë e objektivave tona, duhet të theksojmë edhe faktin se ne kemi 78 km rrugë për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur. Por, trashëgimia më e madhe dhe më kryesore është vetë gazsjellësi që do të jetë pjesë e infrastrukturës kryesore të Shqipërisë.