Elbasan/Hoffman: Të gjithë azilkërkuesit do të kthehen në vendin e tyre
Gjatë një turi vizitash në qytetin e Elbasanit, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman ka konfirmuar edhe një herë se rruga e azil kërkimit nuk funksionon.
Sipas tij, “të gjithë ata që kanë një kualifikim të lartë profesional dhe zotërojnë nivelin bazë të gjermanishtes, kanë shanse mjaft të mira për t’u punësuar në Gjermani”.
Ambasadori Hoffman gjatë një vizite në bashkinë e qytetit të Elbasanit, ku është pritur nga kreu i bashkisë, ka prezantuar edhe axhendën e vizitave në qytetin e Elbasanit, siç janë Universiteti “ Aleksandër Xhuvani” , Projekti i Bankës Gjermane KfW (Linja e tensionit të lartë), në firmën turke “ Kurum”, Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja “Mahmud Ali Cungu“, në një firmë gjermane si edhe ka vizituar në këmbë qytetin.
Duke komentuar këto vizita gjatë një deklarate për mediat ambasadori gjerman Hoffman, ka deklaruar se, “me shumë kënaqësi kam nisur një tur në Shqipëri për të kuptuar jetën reale të shqiptarëve përtej Tiranës, kun ë focus të veçantë janë institucionet arsimore. Pata rastin të vizitoj universitetin e Elbasanit, e cila është një nga tre qendrat që ofron nivelin e gjuhës gjermane në nivel akademik, ndaj do përpiqemi ta mbështesim këtë universitet”.
Duke u ndalur tek fluksi i emigrantëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, që nisen drejt Gjermanisë si azilkërkues ambasadori e ka cilësuar si mjaft shqetësues këtë fenomen duke deklaruar se, “janë zhvillime që i ndjekim me shqetësim të madh. Vetëm në muajin janar janë shënuar një numër prej 1650 azil kërkuesish nga Shqipëria. Kjo rrugë nuk funksionon sepse në rastin e tyre janë njerëz që kanë një nivel të ulët arsimor, dhe se shumë shpejt ata do të rikthehen në vendin e tyre. Ne jemi krenarë që kemi pranuar azilkërkues për arsye politike, por nuk do të pranojmë azilantë ekonomikë. Gjermania mbështet fuqishëm përpjekjet e Shqipërisë drejt BE duke e mbështetur edhe nëpërmjet projekteve”.
Ndërsa pyetjes se Gjermanët kanë gati një paketë ballkanike e cila është e ngjashme me planin Marshall e cila ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, por edhe të rajonit ambasadori u përgjigj se, “më lejoni t’u them se Gjermania është mjaft e angazhuar për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, ku vetëm një vit më parë kancelarja Merkel ftoi ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë në një konferecë të përbashkët, e cila do të zhvillohet sërish këtë vit, dhe që do të vazhdojnë deri në vitin 2018. Në kuadër të kësaj konference vitin e shkuar u tha se, mund të identifikohen projektet të cilat mund të ishin të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit. Në këtë drejtim janë duke punuar të gjithë faktorët përkatës, dhe bëhet fjalë për projekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën, hekurudhat, etj”.
Ndërsa përsa i përket klimës politike në Shqipëri pak muaj përpara zgjedhjeve lokale ambasadori Hoffman tha se, “mesazhi im i përgjithshëm është që të gjithë partitë politike të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe se reforma territoriale duhet të jetësohet. Sepse mendoj që kjo reforme është mjaft e rëndësishme e mbështetur nga shumë donatorë, dhe se kjo reformë do të sjellë një zhvillim pozitiv”.