Moda

Elsa Schiaparelli rikthimi i një miti

E para stiliste femër në kopertinën e Time. Rivale e përjetshme e Coco Chanel. Rilind Maison Schiaparelli.

Nëse Franca do të kishte një mit të padiskutueshem si Coco Chanel, një Itali e tërë do të krenohej me “rivalen” e saj…Elsa Schiaparelli. E cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të botës së modës në periudhën midis dy luftrave, historia e Elsës rrjedh krejtësisht ndryshe nga ajo e rivales së saj parisiene. Inteligjente, kryeneçe, adhuruese e kuzhinës së mirë, kurioze kundrejt gjithçkaje që nxiste fantazinë e saj, aristokrate (mamaja e saj Maria Luisa ishte një aristokrate napoletane), Elsa ishte një nga stilistet e para e cila zhvilloi konceptin e fustanit të përshtatshëm për çdo trup, pa kopsa që lidhej në njërën anë. Teknikë sot e përdorur gjerësisht nga Diane Von Furstenberg për krijimet e saj tejet femërore. Adhuruese e surrealizmit dhe mikeshë e ngushtë e Salvador Dali-së apo Jean Cocteau-së, krijimet e saj ishin të influencuara gjerësisht nga kjo rrymë. Tejet praktike, pa asnjë llojteknike të konsiderueshme në qepje apo në stilim (shpeshherë ajo stilonte veshjet e saj duke i provuar në trupin e saj), veshjet e krijuara ishin komode, elegante, të sofistikuara, të përshtatura për gruan moderne të kohës e cila ishte gjithnjë në ndryshim. Në 1939, e njohur gjerësisht në rrethin e intelektualeve të Parisit (qytet në të cilin ishte transferuar disa vite më parë), Elsa ishte emblemë e modernes, të resë. Poetë të kohës i dedikonin asaj vargje dhe hapësira të dedikuara enkas. Me nisjen e Luftës së Dytë Botërore Elsa vendoset në New York. Me mbarimin e kësaj lufte, vendos të kthehet sërish në Paris ku asgjë nuk ishte më si më parë. Parisi, një qytet përjetësisht në evolucion, nuk i përkiste më asaj. Ai që do të pushtonte modën e atyre viteve do të ishte një djalë, një artist, një tjetër talent…Christian Dior. Në dhjetor të 1954-ës Schiap Shop, ashtu siç quhej boutique i Elsës, do të mbyllej përfundimisht. Ky do te ishte dhe viti kur “rivalja” e saj e përjetshme, Chanel, do t’i kthehej sërish biznesit. Për shkak të mbylljes së biznesit, emri i saj nuk ruajti dot ndër vite famën e dikurshme ashtu sikurse kishte ndodhur me Coco Chanel, edhe pse revista Time e atyre viteve vendoste në plan të dytë Chanel dhe e cilësonte Elsën “si më origjinalen e të tërë bashkohësve të saj” si dhe “gruan ku fjala gjeniale i përshtatej më së miri”. Pas një sërë vitesh në harresë, ku breza të tërë krijuesish të rinj do të formoheshin mbase pa ditur as ekzistencën e saj, do të ishte një tjetër italian që do të risillte mitin Schiaparelli, Diego Della Valle, i cili mori të drejtat e markës dhe vendosi të risjellë ne jetë “The House of Schiaparelli”. Në janar të vitit 2014 kjo shtëpi mode prezantoi sfilatën e saj të parë. Në këto dy vite Elsa Schiaparelli fitoi sërish vendin e merituar, majën e industrisë së modës botërore duke u kthyer në Paris në një prej markave më ekszkluzive, për të provuar veshjet e së cilës duhet të lësh një takim enkas disa ditë më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button