Eurosig: Kryem pagesën prej 2.2 miliarde lekë për blerjen e INSIG
Morina garanton klientët e punonjësit e INSIG për vazhdimësi të punës, e përmirësim të cilësisë së shërbimit…
Kompania e sigurimeve Eurosig ka blerë shoqërinë publike të sigurimeve Insig për një vlerë prej 16.1 milionë euro. Eurosig ka njoftuar në faqen e vet zyrtare në facebook se sapo ka shlyer pagesën në vlerën e plotë prej 2.2 miliardë lekë. Kjo i hap rrugë kalimit të pronësisë së INSIG te sipërmarrja private Eurosig, kalim që pritet të përmbyllet javës tjetër.
Oferta e Eurosig për shoqërinë publike të sigurimeve, ishte më e larta mes katër ofertave të paraqitura për blerjen. Në këtë mënyrë, INSIG do të zotërohet nga Eurosig sh.a. kompani me kapital 100% vendas.
Eurosig është një kompani që ka shënuar rritjen më të madhe në treg vitet e fundit, duke zgjeruar me 50% çdo vit (në tre vitet e fundit) volumin e primeve dhe pagesave të dëmeve. Aktualisht Eurosig ka rreth 17% të tregut të sigurimeve të jo jetës, sipas primeve të shkruara bruto, duke u renditur i dyti pas Sigal, që ka aktualisht gati 29% të tregut, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në mars 2016. Me blerjen e Insig, pjesa e tij e tregut pritet të shkojë 23%, duke ngushtuar diferencën me kryesuesin.
Në tregun e sigurimeve të jetës, Insig ka vetëm 6.5% të tregut, sipas të dhënave deri në fund të marsit 2016, duke u renditur i fundit nga tre shoqëritë që operojnë në këtë segment.
Eurosig është aktive në tregun e sigurimeve prej vitit 2004. Aktiviteti i saj shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë me një vlerë investimi prej 20 milionë euro, me një staf prej 800 të punësuarish, të cilët shërbejnë për më shumë se 500 mijë klientë.
Kompania Insig, e para e sigurimeve në Shqipëri zotëron 4 licenca për sigurim jete dhe jo jete. Pas 25 vitesh përvojë, ajo u shërben rreth 500 mijë klientëve.
Kadri Morina sipërmarrësi i ri tashmë edhe i Insig, thotë për “Monitor”, se “siguron të gjithë klientët aktualë të Insig se do të vazhdojë të jetë në shërbim të tyre duke përmirësuar dhe zgjeruar gamën e produkteve e investimeve që ofron”. Ai fton edhe kientët e larguar nga Insig, të rikthen për të gjetur shërbime më cilësore e një përkujdesje të veçantë. Insig do të vazhdojë të operojë më vete, me të njëjtin e emër e me bord të veçantë drejtues të saj. Z.Morina ka siguruar gjithashtu edhe mbarëvajtjen e punonjësve aktuale në këtë shoqëri, ndërsa do të rritet llogaridhënia.