Europa

Evropa mendon për tema deri tani tabu

Më parë mendimet për një ndryshim në procesin e integrimit evropian ishin tabu – por pas Brexitit dhe zhvillimeve të tjera brenda BE-së kjo mundësi diskutohet haptazi.

Në fund të marsit BE-ja do të mblidhet në një samit të posaçëm në Romë, por jo vetëm për të festuar 60-vjetorin e marrëveshjeve të Romës që shënuan fillimin e Bashkimit Evropian, por edhe për të diskutuar për të ardhmen e tij.

Më parë mendimet për një ndryshim në procesin e integrimit evropian ishin tabu – por pas Brexitit dhe zhvillimeve të tjera brenda BE-së kjo mundësi diskutohet haptazi. Presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker prezantoi para samitit si pesë rrugë të mundshme: 1. vazhdim si deri tani, 2. më tepër Evropë (për të gjithë), 3. më pak Evropë (për të gjithë), 4. një treg të mirëfilltë të brendshëm ose 5. një Evropë e shpejtësive të ndryshme në të cilën anëtarë të ndryshëm bashkëpunojnë më ngushtë në fusha të caktuara.

Gjermania dhe Franca favorizojnë opsionin e fundit. Disa evropianolindorë – ndër ta dhe polakët – janë kundër kësaj, sepse kanë frikë se mos mbeten prapa dhe shndërrohen në anëtarë të klasës së dytë. Merkel u përpoq pas takimit që ta shpërbënte këtë përshtypje. Duke folur me gazetarët ajo tha se fjala është për “projekte të përbashkëta”, të cilat janë të hapura për të gjitha shtetet anëtare. Është si në një familje: “Çdo anëtar i familjes ka qasje në projekt, por jo secili merr pjesë në të.”

Edhe Junckeri donte t’u dilte përpara “debateve të rreme” dhe tha se nuk ka bëhet në asnjë mënyrë fjalë për “një perde të re të hekurt mes Lindjes dhe Perëndimit”. Që sot ka fusha të tilla si eurozona apo zona e Shengenit, në të cilat nuk bëjnë pjesë të gjitha vendet.

Kriza të reja, projekte të reja

Kancelarja Merkel tha se një ndër projektet e ardhshme duhet të jetë sipas saj politika e mbrojtjes dhe e sigurisë. Nisur nga kërcënimi në rritje nga Rusia dhe një SHBA që po tërhiqet gjithnjë e më shumë nga roli i një spirance të sigurisë, Merkeli e sheh një bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë evropiane si një detyrë që praktikisht imponohet vetiu.

Por jo vetëm përfytyrimet për të ardhmen e Evropës ndryshojnë shumë. Atyre u shtohet situata konfuze politike në disa shtete anëtare. Për momentin askush nuk e di se çfarë do të ndodhë për një gjysmë viti, e lëre më se çfarë do të ndodhë pas dhjetë vjetësh.

Sa i madh është ndikimi i kundërshtarëve të BE-së?

Për një javë në Holandë zgjidhet një parlament i ri, e disa javë më vonë një presidenti i ri në Francë. Në të dy vendet kemi politikanë si Geert Wilders dhe Marine Le Pen që duan të dalin nga BE-ja.

Edhe pse thuajse askush nuk beson që kjo mund të ndodhë, fakt është që shumica e sondazheve lidhur me referendumin për Brexitin dhe Donald Trumpin ishin të gabuara. Dhe edhe pa fitoren e politikanëve të tillë për momentin fryma mbizotëruese nuk është pro Evropës dhe miqve të saj.

Por asgjë nuk zgjat përgjithmonë, as euroskepticizmi mbizotërues. Jean-Claude Juncker beson tek e ardhmja e Evropës dhe shprehu edhe një ide të guximshme: “Shpresoj se do të vijë dita që britanikët të ngjiten sërish në anijen evropiane.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button