Bota

Evropa tronditet nga deklaratat e Donald Trump për NATO-n

Donald Trump, nxiti një fortunë kritikash nga Shtëpia e Bardhë dhe nga zyrtarët e lartë evropianë, pasi deklaroi se ai nuk do t’i mbronte aleatët e NATO-s, nëse ata nuk rrisin buxhetin për mbrojtjen dhe se do ta nxiste Rusinë t’i sulmonte ata.
Trump deklaroi se ai do të inkurajonte Rusinë që t’i bëjë “çfarë të dojë” me një vendi anëtar të NATO-s që nuk i çon shpenzimet për mbrojtjen në 2% të buxhetit. Gjatë një mitingu elektoral, të shtunën, në Carolinën e Jugut ish presidenti amerikan vuri në pikpyetje vetë ekzistencën e Aleancës Atlantike në rast se ai kthehet në krye të shtetit.
Duke evokuar një shkëmbim imagjinar me një kryetar shteti të paidentifikuar evropian, sipas stilit tashmë të mirënjohur kur ai improvizon vetë dialogje të paqena në të cilat bashkëbiseduesit i drejtohen me nderim, ai tha: “Një nga udhëheqësit e një vendi të madh u ngrit dhe më tha: “Zotëri, po qe se ne nuk paguajmë por sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni”?
Trump tregoi edhe përgjigjen e tij: ‘Unë i thashë: “Ju nuk keni paguar, jeni debitor?”
Ai u përgjigj “Po, le ta zëmë se ka ndodhur kështu”.
“Jo une nuk t’ju mbroja. Në fakt, dëgjo: Unë do ta inkurajoja Rusinë të bëjë atë që do ndaj jush. Ju duhet të paguani”.
Kjo deklaratë e fortë vë në pikëpyetje parimin e mbrojtjes kolektive të parashikuar sipas nenit 5 të Aleancës Atlantike, i cili parashikon se “një sulm i armatosur kundër një ose më shumë vendeve anëtare, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve.
Ky artikull është përdorur vetëm një herë, që nga krijimi i NATO-s, për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Ndonëse Donald Trump i ka një sport të vetin të preferuar deklaratat provokative dhe ndonëse armiqësia e tij ndaj NATO-s, është shprehur me kohë, kjo ishte hera e parë që ai i deklaroi kaq hapur qëllimet e tij kundrejt aleancës të vjetër atlantike.
Komentet e tij marrin një peshë të veçantë sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës, në Shkurt 2022. Ato përkojnë edhe me transformimin historik të Partisë Republikane e cila po ndikohet nga fryma izolacioniste e ish presidentit, duke bërë që edhe në kongresin amerikan të mos votohen ndihmat e deritanishme në favor të Ukrainës.

Këto deklarata dhe kjo frymë ka ngjallur një reagim të madh në mbarë perëndimin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andreë Bates, i pyetur për komentet e Trumpit, ka thënë se “inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë të ngushtë nga regjimet vrasëse, është i tmerrshëm dhe rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonominë në shtëpinë tonë”. “Çdo sugjerim që aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin, dëmton sigurinë e të gjithëve, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i rrezikon ushtarët amerikanë dhe ata evropianë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një deklarate me shkrim. “Çdo sulm ndaj NATO-s do të rezultojë me një përgjigje të përbashkët dhe të fuqishme”, ka shtuar ai
Me ironi u hpreh edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Të bëhemi serioz. NATO nuk mund të jetë një aleancë ushtarake a la carte, nuk mund të jetë një aleancë ushtarake që punon sipas tekave të përditshme të presidentit amerikan”, tha Borrell.
“Ose ekziston ose jo”, tha ai, duke shtuar se nuk do të komentojë më “asnjë budallallëk” që do të dalë nga fushata zgjedhore presidenciale amerikane.

Deklaratat e fundit të Trump nuk burojnë nga hiçi. Që nga vjeshta e kaluar, aleatët e tij në Kongres refuzojnë të miratojë të gjitha projektligjet, duke përfshirë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Javën e fundit ata negociuan pa sukses një tentativë të tillë duke e kushtëzuar atë me ashpërsimin e ligjeve kundër emigracionit.
Krahu tradicional i Partisë Republikane, i mishëruar në Senat nga senatori i Kentakit, Mitch McConnell, duket gjithnjë e më i paaftë për të siguruar vazhdimësinë e politikës së jashtme amerikane.
Disa zyrtarë të zgjedhur republikanë i minimizuan komentet e ish-presidentit.
“Donald Trump nuk flet si një politikan tradicional, dhe ne të gjithë e dimë këtë”, tha Marco Rubio, senator republikan nga Florida, në një intervistë për CNN, duke shtuar se “kur Trump ishte president, nuk u tërhoq nga NATO: trupat amerikane qëndruan në të gjithë Evropën, njësoj siç janë edhe sot”.
Por ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Trumpit i marrin shumë më seriozisht fjalët e ish-presidentit.
“Kur thotë se dëshiron të largohet nga NATO, siç bëri gjatë mandatit të vet të parë, dhe siç e përsërit vzhimiht që atëherë, njerëzit bëjnë mirë ta besojnë atë”, paralajmëroi John Bolton, i cili ishte këshilltar për sigurinë kombëtare Donald Trump. Bolton shpjegon në librin e tij me kujtime se Trump ishte afër tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO në 2018.
Marco Rubio, i cili është pjesë e Komisionit të Senatit për Sigurinë dhe njëkohësisht dhe i Komisionit të Punëve të Jashtme, ka propoziuar një dispozitë që e pengon presidentin amerikan ta largojë vendin nga NATO, pa pasur dy të tretat e votave të Senatit, ose pa një votim në Kongres. Por pavarësisht nga kjo, neni 5 i Kartës së NATO-s nuk përbën detyrim ligjor, dhe vendimi për të mbrojtur një vend anëtar, nëse ai sulmohet, mbetet në çdo rast përgjegjësi e pushtetit ekzekutiv.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button