Politika

‘Fake News’-i nga media italiane/ Rama: Plehrat i’u hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Këta janë opozitarët që…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për lajmin që një faqe italiane lajmesh, Pianeta Italia News, publikoi tre vite më parë, lajmin sipas të cilit 1400 konteinerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për tu groposur.
Lajmi, siç u tha më vonë, ishte i rremë ndërkohë që sot, media italiane flet për një ish senator italian të arrestuar dhe lidhjen e tij shqiptare, që duket se qëndrojnë pas një skeme që kishte si qëllim rrëzimin e qeverisë shqiptare.
Bëhet fjalë për ish senatorin italian, Sergio de Gregori, tashmë të arrestuar, që siç shkruan e përditshmja Il Fatto Quotidiano, në 2017, kishte financuar aktivitetet e një këshilltari aktual të presidentit Ilir Meta, që nga ana tjetër, i kishte ngarkuar atij detyrën të organizonte një fushatë denigruese kundër qeverisë shqiptare. Sipas dokumenteve të operacionit të quajtur ‘Pianeta Italia’, ish parlamentari italian që në 2008 u bë i njohur për kontributin në rënien e qeverisë Prodi, akuzohet për shantazh dhe riciklim parash.
Për lajmin në fjalë Rama ka reaguar në twiiter ku shkruan se: “Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat i’u hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë!”.
***

“Pianeta Italia” quhet edhe operacioni që ka zbuluar përfundimisht se këto lajme ishin të rreme, se qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë Rama dhe se kush qëndronte pas tyre. Gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano”, referuar një hetimi të antimafias së Romës, ia atribuon këtë fushate ish-Senatorit Sergio De Gregorio dhe Ilir Kullës, këshilltarit të Presidentit Ilir Meta. Hetimet në fjalë që çuan në pranga ish-senatorin dhe ish-gazetarin De Gregorio, i njohur për ndihmën në rrëzimin e qeverisë Prodi në vitin 2008 duke kaluar me partinë ‘Forza Italia’ të Berlusconi-t. Ai, sëbashku me 8 persona të tjerë akuzohen për zhvatje dhe pastrim parash.

Gazeta shkruan se në vitin 2017 ish-senatori i partisë “Italianët nëpër bote” kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili nga ana e tij i kishte ngarkuar de Gregorios detyrën “për të organizuar një fushatë denigruese kundër qeverisë shqiptare” me qëllimin për ta rrëzuar atë. Kjo është prapaskena e këtij operacioni. Hetimet e antimafias së Romës kanë zbuluar se ish-senatori i kishte dhënë Ilir Kullës 30 mijë euro, të cilat ia kishte marrë borxh pronarit të një lokali, të quajtur Eraldo Barleta.

Në një telefonatë të përgjuar më 30 Janar të vitit 2017, Barleta, teksa i kërkon borxhin, i thotë se Ilio, siç e thërriste ai Ilir Kullën, i kishte thënë se nuk i kishte marrë këto para.

Por siç rezulton nga përgjimet, lexohet në kërkesën e prokurorisë së Romës, Kulla i kishte dhënë një mandat De Gregorios për të organizuar, përmes njohurive të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë mediatike denigruese për qeverinë shqiptare, me qëllimin që ajo të provokonte rënien e saj.

Vetë Ilir Kulla, thuhet në shkrimin e gazetës ‘Il Fatto Quotidiano’ që u referohet hetimeve të antimafias së Romës, kishte mbërritur në Itali pasditen e 26 Shkurtit 2017 në mënyrë që të ndiqte nga afër çështjen.

Fushatën, ish-senatori De Gregorio e nisi menjëherë më pas në portalin e tij ‘PianetaItaliaNews’. Senatori italian kishte disa kompani jashtë Italisë, të cilat i përdorte për të ricikluar paratë që rridhnin nga aktivitete të paligjshme, si marrja e parave pronarëve të bareve e restoranteve nëpërmjet kërcënimit e shantazhit.

Në dosjen e antimafias së Romës theksohet se De Gregorio kishte marrë përsipër të ndikonte në situatën politike në Shqipëri me qëllimin për të përfituar më pas. Lajmet e rreme të publikuara në portalin e tij ndikuan vërtet në acarimin e situatës politike në Shqipëri, me eksponentë të opozitës që akuzuan qeverinë për një mega-aferë korruptive.

Ndërkohë ka reaguar sot Ilir Kulla i cili ka deklaruar se te gjitha jane shpifje, se njeh senatorin italian si kryetar i Komisionit Parlamentar te Mbrojtjes, por ka hedhur poshte akuzat  për marrje parash.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button