Farage në mitingun e Trump: Ai mund t’i rrëzojë sondazhet në zgjedhje
Lideri në ikje i partisë nacionaliste britanike UKIP, Nigel Farage u ka bërë thirrje republikanëve amerikanë që t’i vihen punës dhe të mbështesin kandidatin Donald Trump për president.
Farage u shfaq përpara 15 mijë aktivistëve të mbledhur në një miting në Xhekson të Misisipit, ku u prezantua dhe ndau skenën me miliarderin amerikan. Ai tha se, kandidati republikan mund t’i mposhtë sondazhet në garën presidenciale.
Nga ana e tij, Trump, i cili po lufton që të kapë rivalen Hillary Clinton në sondazhe, mbështeti daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.
Ai e prezantoi Farage si njeriun që “në mënyrë brilante” udhëhoqi partinë UKIP për të siguruar një votë për të ardhmen e anëtarësisë 40-vjeçare të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian.
Farage e nisi fijalimin e tij duke thënë se kishte një “mesazh shprese dhe optimizmi” për Partinë Republikane. Ai hoqi paralele mes garës së Trump për Shtëpinë e Bardhë dhe fushatës së Brexit.
“Një ushtri njerëzish të zakonshëm u angazhuan në një betejë të suksesshme me të parët e vendit për të vendosur nëse do të qëndronin ose jo në BE”, tha Farage.
“Nëse ju doni që ta ndryshoni këtë vend, atëherë bëni mirë të mbathni këpucët dhe të dilni në fushatë. Dhe mbani mend, çdo gjë është e mundur nëse njerëzit e duhur janë gati t’i bëjnë ballë themeleve të shtetit”, tha më tej lideri i UKIP.