Fati i Afganistanit është në duart e 11 mijë ushtarëve
Ushtria e rregullt e vendit çalon në kryerjen me saktësi të punës së saj. Ajo është kritikuar për paaftësi, për shkak të gabimeve, frikës dhe një lidhjeje të paqëndrueshme mes qendrës dhe forcave në terren. Komandot dhe forcat speciale të vendit janë të afta të mbushin atë boshllëk dhe do t’i rikthejnë sigurinë afganëve nervozë
Rreshteri Jawed Hazara, bashkë me një njësi elitare të forcave komando afgane, rrufiti një pije energjike, rroku armën e tij automatike M-4 dhe kërceu në ulësen e shoferit të një kamionçine ushtarake. Djaloshi 24-vjeçar ishte drejtues i grupit, gjatë një kontrolli natën në pjesën veriore të periferisë së Kabulit, kryeqytetit të Afganistanit.
“Tani do të bëjmë punën time”, tha Hazara ndërsa po kërkonte radion e tij dhe me shpejtësi u largua nga baza. “Për hir të Zotit të madhërishëm, unë do të bëj një punë të mirë”.
Realisht, nëse në Afganistan duhet që të sigurohen dhe lirohen pjesë të mëdha të territorit, kjo punë me shumë mundësi do t’i kërkohet që të bëhet rreshterit 24-vjeçar dhe 11500 forcave të tjera komando afgane. Atdheu i tyre vazhdon që të vuajë, 15 vite pasi talebanët u mposhtën me ndihmën e forcave amerikane.
Pavarësisht investimit prej 35 miliardë dollarësh që SHBA-ja ka dhënë për këtë vend që prej 2001-it, kur talebanët u zbuan nga pushteti, prapë ushtria e rregullt e vendit çalon në kryerjen me saktësi të punës së saj. Ajo është kritikuar për paaftësi, për shkak të gabimeve, frikës dhe një lidhjeje të paqëndrueshme mes qendrës dhe forcave në terren.
Por zyrtarët amerikanë dhe ata afganë mendojnë se komandot dhe forcat speciale të vendit mund të mbushin atë boshllëk dhe do të jenë të mjaftueshme që t’u rikthejnë sigurinë afganëve nervozë, që talebanët nuk do të jenë aq të zotë sa të rikthehen prapë në pushtet.
“Të gjitha ato lajme që lexoni në media, njësitë që parandalojnë që një punë të shkojë keq, nuk janë tjetër, veçse komandot dhe forcat speciale”, tha koloneli i ushtrisë amerikane Joe Duncan, komandant i grupit këshillues të operacioneve speciale, që mbështet komandën e operacioneve speciale të ushtrisë kombëtare afgane. “Nuk do të gjesh ndonjëherë komando që hedhin armët dhe refuzojnë që të luftojnë”, tha ai.
Por kjo varësi e vendit te forcat elitare ka sjellë shumë debate dhe kritika. Forca e sigurisë së vendit përbëhet nga 320 mijë ushtarë dhe policë, të cilët deri tani kanë dështuar që t’u ofrojnë siguri shtetasve të tyre.
Sipas pohimeve të shërbimit të fshehtë afgan, forcat e talebanëve përbëhen nga 45 mijë deri në 65 mijë luftëtarë.
Por ata nuk janë i vetmi problem, pasi kërcënime vendi ka pasur edhe nga terroristët e Shtetit Islamik, si edhe të Al-Kaedës, që po nis të riforcohet prapë. Përveç kësaj, është edhe lufta miliarda dollarëshe e opiumit.
Në verën e kaluar, pasi Presidenti Barack Obama tërhoqi forcat amerikane, talebanët mësynë provincat lindore dhe verilindore duke turpëruar ushtrinë lokale. Talebanët morën qytetin e madh të Kunduz-it. U desh ndërhyrja e komandove për të risjellë sërish qetësinë dhe stabilitetin. Forcat elitare ishin shumë të rëndësishme edhe në marrjen e provincave të Badakhshan-it, Kunar-it dhe të Nangaharit-it.
“Nuk bëjmë dot asgjë pa ata”, tha Qahar Aram-i, zëdhënësi i Batalionit 209 në Afganistanin Verior.
Shqetësimi i komandove është se talebanët nuk përballen me ata drejtpërdrejt, por organizojnë atentate me eksploziv. Për këtë arsye, kontrollet në vende të dyshimta dhe njerëz të dyshimtë janë të domosdoshme.
Por kjo varësi te komandot ka rritur shqetësimet se forcat ushtarake nuk po stërviten njëlloj.
Numri i ushtarakëve amerikanë ka shkuar në 9800. Ata trajnojnë forcat afgane në baza të mëdha, por kur bëhet fjalë për komandot, një vëmendje të madhe i kushtohet edhe stërvitjes taktike.
“Kur amerikanët janë me ne, ndihemi më rehat, sepse ata kanë mbështetjen më të mirë ajrore”, tha kapiteni Gul Mohammad Abrahimi, zëdhënësi i Batalionit të 6-të të ANASOC-ut. “Por gjërat nuk janë më si më parë. Dikur ata s’na ndaheshin, kurse tani rrinë 1/10 e rasteve, krahasuar me atë kohë”
Në bazën qendrore të “ANASOC-ut”, forcat e koalicionit bashkë me mentorët afganë mbikëqyrin shkollën e ekselencës. Aty trajnohen studentët si të menaxhojnë sulmet ajrore, asistojnë mbikëqyrjen dhe mësojnë si të manovrojnë mjetet e mëdha të transportit të personelit”.
Forcat komando janë stërvitur për operacione që maksimumi zgjasin 72 orë. Por në terren, ndërhyrjet e tyre shkojnë deri në 20 ditë.
“Ushtarët nuk janë të aftë ta bëjnë punën e tyre mirë dhe po ashtu edhe policia. Kjo është arsyeja se përse ne dërgojmë komandot”, tha kolonel Abdul Jabar Wafa, që drejton “Shkollën e Ekselencës”. “Kur jemi në mision, nuk dërgohen forca të tjera mbështetëse, pra ne detyrohemi që të rrimë aty”.
Në të tillë situatë, shqetësimi i drejtuesve ushtarakë është se mos forcat elitare janë përdorur më shumë seç duhet.
Edhe numri i komandove të vrarë është rritur. Ndërmjet prillit të shkuar deri më 29 shkurt humbën jetën 130 ushtarë të këtyre njësive, gati dyfishi i viktimave në vitin 2014.
Prapë forcat elitare të ANASOC kanë 90% sukses gjatë operacioneve të tyre.
Por edhe ushtarët më të mirë afganë kanë vështirësi në punën e tyre. “Shkolla e Ekselencës” edhe pse kushtoi 19 milionë dollarë dhuratë nga amerikanët prapë ka problem. Mungesa e elektricitetit bën që të kufizohet stërvitja vetëm në 6 orë në ditë për leksionet në sistemet e reja të armatimit, taktika dhe ndihma e parë. Pastaj nuk ka mjaftueshëm uniforma, tualete dhe vendi është ndërtuar për të akomoduar 600 ushtarë dhe jo më shumë. Aktualisht, në shkollë janë 1000 kadetë të rinj.
Por në luftë, një rëndësi të madhe ka edhe municioni. Për t’u bërë ekspert si qitës, çdo komando duhet që të gjuajë deri në 5 mijë fishekë për rreth tre muaj, por aktualisht për çdo kadet ka 800 plumba në dispozicion. Ministria e Mbrojtjes u përgjigjet kërkesave të drejtuesve të shkollës se municioni mungon dhe ata po vuajnë për të furnizuar ushtarët profesionistë.
Sipas inspektorit të përgjithshëm për rindërtimin e Afganistanit, John F. Sopko, mungesa e municionit reflekton korrupsionin dhe mosfunksionimin brenda ushtrisë afgane.
“Ne sigurojmë mjaftueshëm para, por problemi është se fondi nuk përfundon në vendin e duhur. Për më tepër, tërheqja e forcave ushtarake, ka bërë që tani ta kemi më të vështirë të monitorojmë ku shkojnë paratë. Shumica e atyre që merren me logjistikën, janë analfabetë, kështu që është e vështirë që ta bëjmë këtë punë siç duhet”, tha ai.
Por për komandot, të cilët inkurajohen të mësojnë edhe anglishten, gjetja e furnizimeve është pjesë e punës.
Rreshteri Hazara në patrullim ka dhjetëra fishekë, thikë dhe granata tymuese të varura në xhaketën e tij. Kur pa një kamionçinë të ndezur që nuk po lëvizte, ai bashkë me 6 komando të tjerë e kontrolluan menjëherë, për të parë që aty nuk kishte eksploziv.
Mjeti rezultoi i rregullt, por prapë ai vendosi një pikë kontrolli, edhe pse policia ishte e pranishme pak më tutje në një kryqëzim.
“Ata mund të pushojnë”, tha Hazara “Ne jemi më të fortë sesa talebanët”.