FIFA refuzon kërkesën e Iranit për të zhvendosur ndeshjet në Meksikë për shkak të konfliktit në SHBA
FIFA ka vendosur kundër zhvendosjes së ndeshjeve të Kupës së Botës të Iranit nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë, pavarësisht luftës në Lindjen e Mesme, tha sot presidentja meksikane Claudia Sheinbaum.
Irani kërkoi të mos luante tre ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA, pasi SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt në luftime që kanë ndaluar vetëm ditët e fundit në një armëpushim të brishtë, me Uashingtonin që kërcënon të vazhdojë sulmet e tij.
“FIFA vendosi përfundimisht që ndeshjet nuk mund të zhvendosen nga vendet e tyre origjinale”, tha Sheinbaum në një konferencë për shtyp.
”Nga perspektiva e FIFA-s, kjo do të kishte përfshirë një përpjekje të madhe logjistike”, tha ajo.
Organizata qeverisëse botërore e futbollit kishte shprehur më parë rezerva në lidhje me kërkesën e Iranit për të zhvendosur ndeshjet e tyre kundër Belgjikës, Zelandës së Re dhe Egjiptit në Botërorin e 11 qershorit – 19 korrikut në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte bërë presion që Irani të merrte pjesë, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara midis Teheranit dhe Uashingtonit.
“Ne duam që Irani të luajë; dhe Irani do të luajë në Kupën e Botës. Nuk ka plan B, C ose D – ekziston vetëm plani A”, tha Infantino për transmetuesit meksikanë ”N+ Univision”, dy javë më parë.
Presidenti i federatës iraniane të futbollit, Mehdi Taj, kohët e fundit tha se ekipi po bojkoton SHBA-në, por jo Kupën e Botës, pa dhënë detaje të mëtejshme, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.
Mes armëpushimit, të shpallur të martën, bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit për një zgjidhje të qëndrueshme paqeje do të zhvillohen në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, që nga e premtja.
Irani u hakmor pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën, duke përfshirë shënjestrimin e shteteve të Gjirit dhe duke mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç detar./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.