Fisi Rraja dhunë në Krujë, Çuçi: E papranueshme, askush nuk është mbi ligjin
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për dhunën që anëtarë të fisit të deputetit socialist Rrahman Rraja kanë ushtruar në Krujë, ndaj dy kushërinjve Maja, pas ankesave të tyre për shpërthimet në një gurore.
Në një postim në rrjetet sociale, Bledi Çuçi shkruan se pamjet e dhunës në Krujë janë të papranueshme, ndërsa bën të qartë se askush nuk është mbi ligjin.
“Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë”, shkruan Çuçi.