Dy episode në harkun e dy minutave në pjesën e parë i dhanë fitoren e çmuar 1-0 Flamurtarit kundër Vllaznisë dhe ngjitjen në vendin e parafundit, duke lënë pas Tiranën, pas 27 javëve. Alessandro Bolzan shënoi golin e vetëm të takimit, ndërkohë që thuajse menjëherë më pas Vllaznia mbeti me dhjetë lojtarë, për shkak të kartonit të kuq të Bismark.
Kryesuesit e kampionatit e nisën lojën me qarkullim të topit dhe me vështrimin nga zona vlonjate. Bajrami provoi me kokë në minutën e 7-të, ndërsa në të 26-tën ishte Jago që gjuajti brenda zonës, por mbi tra. Dy minuta më pas, Maksuti pason në zonë te Peralta që me të majtën e nxjerr topin jashtë ngjitur me shtyllën, rasti i parë për Flamurtarin.
Në minutën e 35-të, Maksuti me kokë pason te Bolzan që gjuan me kthesë me të djathtën dhe çon topin në rrjetë. Flamurtari kalon në epërsi e pas dy minutash edhe numerikisht, pasi Bismark bën një faull të marrë kundër Trashit dhe gjyqtari Enea Jorgji i jep menjëherë kartonin e kuq.
Avantazh i dyfishtë për vendasit, që megjithatë nuk dinë të imponohen në lojë për të shënuar një gol sigurie. Është Vllaznia, që edhe me një lojtar më pak, kërkon me ngulm golin e barazimit, por gjuajtjet drejt portës i ka kryesisht nga jashtë zonës dhe pa shumë rrezik.
Flamurtari provon kundërsulmet, por pa arritur asnjëherë t’i përfundojë, si në minutën e 72-të, me Maksutin. Gjithsesi, kuqezinjtë kanë sukses në mbajtjen e sulmit shkodran larg portës dhe e ruajnë me fanatizëm fitoren deri në sekondën e fundit. Është fitorja e dytë kundër Vllaznisë, me të njëjtin rezultat dhe tani Flamurtari është dy pikë poshtë vendit të tetë, që mbahet nga Vora. Vllaznia mban kreun por sheh t’i afrohet Elbasani, në pritje të Egnatias që luan të hënën.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.