IntervistaKronika

Flet nga qelia i dënuari përjetë për vrasjen e Azem Hajdarit (VIDEO)

Rrëfim nga qelia i Jaho Mulosmanit. Intervista e parë – Video pas 14 vitesh burg me të dënuarin përjetë për vrasje n e Azem Hajdarit

Intervistoi: Mira KAZHANI

Kam dashur gjithmonë që si gazetare të mundja të intervistoja Jaho Salihi Mulosmanin. Një kuriozitet i pashpjegueshëëm ndaj këtij profili. Për herë të parë e kontaktova dy vite më parë, por përgjigja e tij ishte nje lajm i keq dhe një i mirë. Lajmi i keq ishte refuzimi. Por lajmi i mire ishte një premtim: Nëse do të vendos që të flas një ditë, do t’ju lajmëroj vetë. Jam tropojan që e mbaj fjalën e dhënë, më pat thënë ai. Para një jave u gjenda para nje telefonate e cila më çoi pas 3 ditësh në burgun e Burrelit. Jaho Salihi vjen i veshur me kostum të zi dhe një këmishë ngjyrë pink i shoqëruar nga dy efektivë të cilët thjesht bënin detyrën teksa e mbanin për krahu por që dukshëm silleshin me respekt ndaj tij. Ai ka fituar gjithë simpatinë e burgut. E përshkruajnë si të disiplinuar, të qetë dhe të distancuar nga të gjithë të tjerët. Në këtë rrëfim të parë para një kamere ai shfaqet i qetë dhe i rrjedhshëm. Flet ngadale, ndonjëherë fshin djersën në ballë, sidomos ku fjala shkon të dy vajzat e tij, që i ka nga martesa me ish- Miss Tropojën, që nuk i ka parë prej 14 vitesh, që kur u arrestua dhe dënua me burgim të përjetshëm. Është arrestuar në moshën 24 vjeç dhe këtë prill ka mbushur 37. Në bisedën 60 minuteshe me të ai flet për të djeshmen dhe të sotmen, por guxon të flasë edhe për të ardhmen. Thotë se në burg dinë shumë sekrete jo vetëm të Tropojës por edhe të 21 janarit, apo të ngjarjeve të tjera që kanë ndodhur vitet e fundit në Tiranë. Çfarë di Jaho Salihi Mulosmani që ne të tjerët nuk e dimë? Pse ai beson tek pafajësia e tij. Pse Sali Berisha nuk u përball me të në sallën e gjyqit? Rrugës për në kthim, kameramani më tha se ne në Tiranë jemi ndoshta më të burgosur sesa Jaho. Nuk e kuptova mirë se çfarë donte të thoshte me këtë kolegu im, por me siguri kur të lexoni këtë intervistë do kuptoni më shumë. Nuk di nëse i mora të gjitha përgjigjet dhe bëra çdo pyetje që do donte kryeredaktori i DITA-s, Thano. Nuk e di as nëse duhet t’i besojmë gjithçkaje që thotë Jaho. Ndoshta intervistova një vrasës, ndoshta një njeri të pafajshëm. Shapin nga sheqeri thonë që duhet ta ndajë vetëm Drejtësia. Vetë Jaho beson shumë tek një njeri në këtë vend. Cili është ai?

Mira Kazhani: Jaho Salihi, apo Jaho Mulosmani? Si t’ju drejtohem?

Jaho Mulosmani: Mbiemri im është Mulosmani.

Mira Kazhani: Pse ju njohim me mbiemrin Salihi?

Jaho Mulosmani: Ashtu më prezantoi Doktori…

 

Mira Kazhani: Kishte ndonjë qëllim të caktuar?

Jaho Mulosmani: Po besoj do ketë pas ndonjë arsye. Ne si fis jemi edhe të ndam’pak, dikush majtas e dikush djathtas, dikush nga mbreti. S’ka dash, ndoshta me dëmtu të tjerët. Sokolin (Mulosmanin) e kam kushëri dy herë edhe nga familja por edhe babai e ka pas çun teze. Edhe kemi shkuar shumë mirë me të. Ndoshta s’ka dashur të dëmtojë atë. Ose, ashtu ja kanë thënë emrin. Ashtu është ai, po i tha dikush diçka e nxjerr fill, s’e mban. Them që kjo është arsyeja, por nuk e di jo… Nuk e di as sot arsyet pse ai më thirri kështu. Jaho Salihi është emri i xhaxhait të babës që ka vdek në luftë në -44.

Mira Kazhani: Mulosmanët janë shtëpi pushke në Tropojë, janë bajraktarët e Krasniqës…

Jaho Mulosmani: Si rregull Krasniqa, është dallu më shumë për mendjen sesa thjesht pushkën. Pushka është mjeti i fundit kur zgjidhen problemet…

Mira Kazhani: Keni qënë familje e madhe dhe e respektuar. Kjo është arsyeja që Fatmir Haklaj ju zgjodhi shef të antikrimit në moshën 21 vjeçare. Ishit kaq i ri për atë detyrë?

Jaho Mulosmani: Jo jo, ka pas shumë abuzime me këtë histori. Me Fatmirin kemi qënë nip e dajë. Kemi qënë shumë të lidhur unë dhe ai. Por nuk më zgjodhi Fatmiri mua në atë detyrë…

Mira Kazhani: Kush ju zgjodhi?

Jaho Mulosmani: Më zgjodhën në një kohë që askush nuk e pranonte atë detyrë. Nuk më ka interesuar ndonjëherë të bëj karrierrë në polici.

Mira Kazhani: Pse nuk e merrte askush përsipër këtë detyrë në atë kohë në Tropojë?

Jaho Mulosmani: Ishte lufta e Kosovës, plus ngjarjet që nisën në Tropojë, problemet familje me familjet… Mua ma lanë në derë atë detyrë në një farë mënyre. Kisha një moshë që nuk mendoja për të bërë karrierë, të jem i sinqertë isha shumë i ri për të menduar për karrierën aq më tepër kur nuk e ke në gjak atë.

Mira Kazhani: 21 vjeç… Duhej vetëm guxim dhe jo shumë mençuri për të thënë po?

Jaho Mulosmani: Bëmë atë që mundëm me bë… Bëra atë që munda me bë. Nuk po them se bëra më të mirën, po për kohën askush nuk e mori përsipër. Asnjë Ministër i Brendshëm nuk vinte në Tropojë në ato kohëra. Edhe ish-shefin e policise Fatmir Metaj e sollën me ndëshkim në Tropojë.

Mira Kazhani: Sa qëndruat në detyrë?

Jaho Mulosmani: 18 muaj.

 

Jaho Mulosmani gjatë intervistës për gazetaren e DITA, Mira Kazhani

Mira Kazhani: Çfarë mendoni se e bëtë mirë?

Jaho Mulosmani: Shmanga gjakderdhjen aty ku mund të shmangej.

 

Mira Kazhani: Ku nuk mundët ta shmangnit?

Jaho Mulosmani: Kishte raste ku nuk shmangej dot. Në Tropojë ishte çdo njeri me armë në brez, jo vetëm policia e shtetit. Nga ana tjetër ishte lufta e Kosovës dhe nuk kuptoje kush ishte ushtar i UÇK, kush civil. Mundëm atë që ishte e mundur me u bë. Ka dhe diçka që s’e injoron dot, hasmëritë mes familjeve në Tropojë nuk i zgjidhte dot policia. Mund të ndërhynte kur kishte një informacion, por asnjëherënuk e dije se kush do vriste, dhe ku!

Mira Kazhani: Sot një pjesë e mirë e tyre janë shuar… A ke informacion për Tropojën e sotme?

Jaho Mulosmani: Tani gjërat janë qetësuar atje, por e kam ditur si ka qënë dikur. Sikundër e dinë edhe strukturat e shtetit, edhe të qeverisë së majtë edhe të djathtë. E dinë ata se çfarë ka ndodhur me Tropojën. Tek e djathta e dinë se i ka nxit konfliktet vetë. Ku ka patur një konflikt ata e kanë nxit edhe më shumë. Dihet ajo punë.

Mira Kazhani: Si është e mundur që Berisha e ka patur të vështirë të vij në Tropojë?

Jaho Mulosmani: Berishën s’e ka ndal askush të vijë në Tropojë. Ne e kemi shoqëruar ngado. Biles edhe në -97 kur ka ardh në Tropojë, hera e fundit deri kur u rikthye ne 2009 atje, e kemi shoqëruar.

Mira Kazhani: Ju shfaqeni në disa video të kohës në krah të tij…

Jaho Mulosmani: Në 97 une dhë Fatmiri (Haklaj) e kemi pritur Berishën. Flas për kohën kur u prish mitingu dhe të jem i sinqertë mitingu nuk u prish me kast për Berishën, kishte diçka tjetër. Kish ndodh një fatkeqësi. Janë keqkuptuar vëllezërit e Fatmirit. Unë e kam ndërmjetësu nëpërmjet Sokolit dhe Halilit, ky i fundit vëllai i Fatmirit, për me ardh Berisha në qytet se kish ndal tek trageti. Madje kujtoj Halilin që i tha Fatmirit: – Si, ka hy ky dhe nuk ka hy Doktori? E kishte fjalën për Azemin se në atë çast kaloi makina e Azemit.

 

Mira Kazhani: Kush e pengonte atë të hynte në qytet?

Jaho Mulosmani: Frika. Mendoj që ja kishin interpretuar keq. Që gjasme do të pengojnë ty, do të ndalojnë. Nuk ka qënë në asnjë rast problem me hy Berisha në Tropojë. Kemi shkuar tek trageti atë ditë, unë, Sokoli dhe 2 çuna të tjerë. Kam qënë kaq afër siç jam me ty sot, kur Sokoli foli me të. Sokoli i tha: – Doktor nuk kanë punë me ty. – A je i sigurt, – e pyeti Berisha. A mund të hyj në qytet? – Doktor nuk ka askush punë me ty, – e siguroi Sokol Mulosmani.

Mira Kazhani: Kish frikë Berisha, është natyrë që ka frikë?

Jaho Mulosmani: Normal që ka frikë! Sidomos kur je njeri që e ndjen jetën. Aq më tepër kur e di që ke probleme. Familja e Fatmirit nuk është dosido në Tropojë.

Mira Kazhani: Ju e donit Berishën në atë kohë?

Jaho Mulosmani : Unë e kam respektuar shumë në fakt. Edhe për arsye personale. Atë ditë e di që e ka ndërmjetësu Sokoli, e kujtoj si sot kur ju mbushën sytë me lotë. Mendoj që në atë kohë Berishën e keqinformonin. Duhet ta kenë keqinformuar për atë ditë. Aty është manipulu dhe për fat të keq Berisha manipulohet kollaj.

 

Mira Kazhani: Kush e manipulonte?

Jaho Mulosmani: Nuk e di mendoj se kur doli në qytet e keqinformuan për prishjen e mitingut.

 

Mira Kazhani:Ka një percepetim se ka patur një konfrontim, provokim nga vëllai i Fatmir Haklajt në atë miting?

Jaho Mulosmani: Aty ka një keqkuptim. Atë ditë atyre u ishte vrarë djali i xhaxhait tek Ura e Milotit, në Lezhë, nga një bande grabitesish. Kanë dalë me i grabit dhe në përleshje e sipër nuk e kanë dit kush janë dhe i kanë qëllu. Nga kjo gjendje mendoj se është kriju edhe keqkuptimi. Kam dëgju shumë budallalliqe që kanë dash me prish mitingun, kanë dash me vra Berishën… Nuk janë të vërteta!

Mira Kazhani: Po çfarë ndodhte në Tropojën e atyre viteve? Më saktë kush ishte pikënisja e vrasjeve?

Jaho Mulosmani: Vrasja e vëllait të Fatmirit në një pritë me 17 persona ishte fillesa. Falë pozicionit që kisha, njohjeve shoqërore unë dija gjithcka ndodhte në Tropojë. Morem pjesë 17 veta për ta vrarë atë. 360 gëzhoja armë u gjetën në vendngjarje. Shumica ishin tropojanë. Interesant është fakti që është vrarë në orën 4 dhe në 4 e 5 minuta, jemi njoftuar. Tirana ka njoftuar Bajram Currin që është vrarë Shkëlqim Haklaj. Nga zyrat e PD në Tiranë u bë njoftimi…

Mira Kazhani: Dhe pas kësaj ngjarjeje ju gjendeni në 12 shtator në Tiranë. Pse para selise së PD? Kë kërkonit të takonit?

Jaho Mulosmani: Kërkonim të takonim një mik, i cili sot e kësaj dite është afër atyre (e ka fjalën për PD-në). Nuk ishim aty për të vrarë Azemin. Të gjithë flasin sot, Azemi, Azemi por kurrkush nuk e çon në fund atë. Askush nuk bën përpjekje ta zbardhur vrasjen e tij. Nuk ishim aty për ngjarjen që ndodhi as për ndonjë të mundshme sic aludohet ndonjëherë. Po kërkonim të sqaronim diçka. 10 ditë para babai i Fatmirit kish taku Azemin me kërkesë të këtij të fundit,. Babai i Fatmirit e ka regjistru të gjithë bisedën. Aty dëgjohet Azemi që ka lyp me ardh me jetu në Tropojë, dhe ka shfajësu veten për vrasjen e Shkëlqimit (vëllai i Fatmir Haklaj). Azemi në të gjitha mënyrat e mundshme ka shfajësu veten duke thënë se ai nuk kish lidhje me atë vrasje, dhe ka fol dhe disa gjëra të tjera për të cilat nuk është momenti me fol sepse kur nuk t’i merr askush për baze nuk kanë vlerë të thuhen…

Mira Kazhani: Ekziston ajo kasetë edhe sot?

Jaho Mulosmani: Po po, kaseta ekziston. Azemi ka fol plot gjëra edhe brenda zyrave të PD, po më së shumti ai donte të shfajësohej dhe të vinte i qetë në Tropojë.

Mira Kazhani: Ju nuk e tregoni emrin e mikut që donit të takonit atë ditë? E kurseni atë emër edhe pse vetë jeni i dënuar përjetë për një krim që nuk pranoni ta keni kryer. Kaq bujar jeni?

Jaho Mulosmani: Ai ka jetën e tij tashmë. Kur të vijë momenti dhe kur të kuptoj se duan vërtet ta zbardhin ngjarjen, normal që do ta them. Normal që edhe ai do të merret në pyetje. Kërkonim të merrnin nga ai një opinion sesa e vërtetë është fjala e këtij dhe sa ishte fjala e të tjerëve. Dhe që të jem i sinqertë për vëllain e vrarë të Fatmirit, dyshimet dhe akuzat kanë qënë për Berishën dhe Azemin. Janë akuzu zyrat e PD. Sepse në orën 4 ndodhi vrasja në Tropojë dhe ne atje, në Tropojë u njoftuam nga selia e PD në Tiranë. Fatmiri e mori vesh nga Tirana, kur ngjarja kish ndodhur 2 km larg qytetit në vijë të drejtë. Aq afër sa mund të ndiheshin edhe krismat!

Mira Kazhani: Kërkoi atë ditë Fatmir Haklaj të takohej me Berishën ose Azemin?

Jaho Mulosmani : Jo fare, as atë ditë dhe asnjë ditë nuk ka kërkuar t’i takojë. Unë e kam thënë edhe në sallë të gjyqit, ai për mua ishte një incident. Pse u desh që ne të vinim aty, me një makinë të bënim një vrasje dhe të shkonim në Tropojë? Unë isha shef krimesh, kisha një komisariat në dispozicion, pse u desh të vija të bëja një vrasje në Tiranë para PD? Nëse ishte diçka me paramendim mund të kishim gjet një mënyrë tjetër.

 

Mira Kazhani: Vinte në Tropojë Azemi lirisht?

Jaho Mulosmani: Po vinte krejt lirisht. Dhe sikur të mos vinte, ai lëvizte nëpër rrugët e Shqipërisë krej lirshëm, e kishe gjithë ditën rrugëve. Mua kush më ndalte të shkoja ta gjeja kudo?

Mira Kazhani: Atë ditë komunikuat, patët një bisedë me zotin Hajdari?

Jaho Mulosmani: Ky është një tjetër manipulim i madh. Një manipulim edhe në gjyq. Po për gjyqin e dinë të gjithë që ishte një manipulim. Ju do thoni, pse nuk i thatë në gjyq ato që dini? Nuk i thashë sepse e kam dit prej fillimit sesi do ishte fundi. Nuk e pashë të arsyeshme të flisja. Unë kam pa shumë e dëgjuar, por një emision për çëshjtjen Hajdari më ka lënë shije të hidhur, një Opinion nga Blendi Fevziu. Kam shumë informacion edhe për mënyrën sesi dhe pse u bë ai emision. Por nuk dua të flas sot.

Mira Kazhani: Po pse të mos i themi sot? Cfarë informacionesh keni ju?

Jaho Mulosmani: Dalin kolegë të tu dhe bëjnë ekspertin e armëve, kur s’kanë mundur ta bëjnë këtë profesionistët, ekspertët më të mirë që ka pas prokuroria e përgjithshme, ta bëj një gazetar që s’ka prek armë me dorë?! Pak rëndësi ka… Se më vonë e kish pranuar edhe ai vetë me një të afërm timin, që nuk ishte e  vërtetë si e tha ai historinë por s’ka lidhje ajo punë. Gjërat sqarohen avash-avash. Aty lihej të kuptohej se ne kemi shkuar me paramendim. Por nuk është ashtu. Ne donim të takonim personin X, ta thashë nuk është etike t’i përmendim emrin tani që ai ka një jetë të përditshme, ka jetu e punu edhe gjatë kohës së pushtetit te atyre me ata. Ai ka qënë njeri dashamirës edhe i joni edhe i Azemit të tjerëve. Ai ka dash me bë ndërmjetësin për diçka të mirë. Ka dash të bëj diçka të mirë.

Mira Kazhani: Atëherë çfarë ndodhi?

…Azemi atë ditë ka dalë nga zyrat e PD dhe ka ardh drejt nesh. Ma thuaj ti… Ti je në makinën tënde, rri e pret dikë tjetër. Unë kam qënë civil sikur jam edhe sot. Po vetëm këmisha ka qënë blu në atë kohë, (sot ka veshur një këmishë ngjyrë pink). Nuk kisha as armë në trup, nuk e mbaja për shkak të kostumit atë ditë.

 

Mira Kazhani: Ju pa armë në ato kohë?! Si është e mundur?

Jaho: Jo pa armë, jo. E mbaja në makinë por nuk e kisha në trup. Fatmiri po, kishte armë në trup. Ai ishte punonjës i policisë. Vërtet ishte ulur në gradë por ka qënë punonjës dhe e mbante. Ai (Azemi) vjen me pistoletë silenciator. Tash çfarë duhet të mendonte Fatmiri, të ma tregojë dikush mua? Një person që deri dje e ke akuzu për vëllain dhe sot ai të drejtohet me armë? Për këtë them unë që aty ka qënë incident. A e thirri kush Azemin të dal? Ne s’e thirrëm! As miku i përbashkët nuk e ka thirr…

Mira Kazhani: Pse doli Azem Hajdari. Kush e thirri? Cfarë informacionesh keni ju?

Jaho Mulosmani: Unë e di të vërtetën!

 

Mira Kazhani: Të vërtetën tuaj…

Jaho Mulosmani: Dihet ajo. E dinë të gjithë në PD dhe nuk flet askush me zë. Askush nuk tregon që atë ditë Azemi ka qënë në drekë në Lushnje. Ka ngrënë drekë me ca djem që mbaheshin si për të fortë në Lushnje. Ka qënë edhe me Genc Pollon atje. E ka thirr doktori në telefon. Fillimisht ka qënë me doktorin ku kanë mbaru mitingun në Fier dhe janë nda, më pas krejt papritur doktori e ka marr dhe i ka thënë hajde urgjent në Tiranë. Pse nuk ja tha këtë në Fier? Ata ishin bashkë! Pse nuk ja tha dy orë përpara?

Mira Kazhani: Pse e thirri sipas jush?

Jaho Mulosmani: Atë e di ai. Kush e thuri intrigën? Këtë është dash me e zbulu prokuroria. Unë s’e kam mohu ndonjëherë se kam qënë në vendngjarje.

Mira Kazhani: Sa orë qëndruat aty?

Jaho: Gjysëm ore… Tani i rikthehem sërish pyetjes: çfarë duhet të mendonte Fatmiri kur dikush i vjen me armë në dorë gati me qëllue. Një deputet i parlamentit që mban pistoletë me silenciator dihet pse e mban. Pse nuk e kishim ne një të tillë me vete? Unë kisha në shtëpi 3 ose 4 copë po s’i mbaja me vete.

Mira Kazhani: Ju jeni shprehur se keni disa gjëra për t’i thënë zotit Berisha por do ja thoni vetëm në sallën e gjyqit. Ai nuk erdhi kurrë të dëshmojë, dhe sot që flasim ndoshta ajo seancë nuk do bëhët kurrë….

Jaho: Kurrë mos thuaj kurrë! Janë disa gjëra teknike që nëse nuk shqyrtohen nga hetues të mirë kot sa i thua se shumica thonë, po kërkon të shfajësohet. Ndoshta edhe kur të shikojnë këtë intervistë do thonë : – Asht ka shfajsohet! Unë nuk dua të shfajësohem. Kam bërë 14 vjet burg. Do të bëj edhe më. S’kam më interes të shfajsohem. Por të gjitha ata që e kanë dash vërtet Azemin, duhet me lyp me u hetu çështja. Kush u bë shkaktar me u vra Azemi?! Unë e kam thënë edhe në shoqëri e kudo që Fatmiri nuk do e kish vra Azemin!

Mira Kazhani: Por po thoni se atë ditë e vrau për vetëmbrojtje?

Jaho: Në ato momente çfarë do bënte tjetër?! Të vjen dikush me armë. Dhe është një person që mendon se mund të të këtë organizu vrasjen e vëllait, çfarë do bënte ai? Më thoni ju? Cdokush do mbronte jetën e vet. Prandaj këmbngul unë që atë ditë ishte incident vrasja, në çdo rrethanë tjetër mund të kish qënë e paramenduar. Por jo atë ditë!

Mira Kazhani: Nuk u vërtetua asnjëherë nga drejtësia por edhe nga të gjithë leximet që kam bërë para kësaj interviste nuk rezulton që ju të keni qënë qitësi. Pse nuk u akuzua asnjëherë Fatmir Haklaj por u akuzuat ju? Pse u përdor emri juaj, gjithmonë nëse kjo është e vërteta!

Jaho: E para njëherë, aty janë gjet vetëm një palë gëzhoja, që nënkupton se është përdorur vetëm një armë. Ato gëzhoja ose i ka qit Fatmiri ose i kam qit unë. Domëthenë të dy nuk gjuajmë dot njëkohësisht. Gjuan njëri dhe ja kalon armët tjetrit, kjo është e pamundur të ndodh. Nëse do më ishte rreziku jeta dhe mua, normal që ashtu do kisha vepru. Plus që ata që njohin Fatmirin e dinë që aty ka ndodh diçka e castit. Unë isha në timon dhe po flisja në telefon. Unë kam zbrit nga makina pasi ka ndodh ngjarja. Aty u desh të gjendej një fajtor, të dënohej dikush. U desh një kokë turku. Me Fatmirin nuk e bënin dot, se kishin frikë. Unë isha në marrëdhënie pune, shef i policise, kë do akuzonin? E shikon sot çfarë bëhet për një polic të thjeshtë? Dhe duhet përdor dhe një llogjikë të thjeshtë, kush ja pa hajrin vdekjes së Azemit? Ja pamë ne? Ja panë socialistët? Fatos Nano? Absolutisht.

Mira Kazhani: Thuhet se ishte një marrëveshja e juaj me Fatos Nanon, disa thonë me Shik-un e kohës dorëzimi juaj në këmbim të mbrojtjes së familjes e cila u dërgua jashtë. Me premtimin se gjatë rrugës do përfitonit amnisti dhe një ditë do e merrnit lirinë. Por jeni brenda. Kush ju tradhëtoi?Jeni penduar që u dorëzuat?

Jaho: Është mania me gjetë gjithmonë një tradhtar. Absolutisht. E para mundet edhe me më tradhtu por unë nuk besoj tek dikush që mundet të më tradhtojë një ditë. E dyta dhe më e rëndësishmja është se familja ime ka ik në mënyrë tjetër jashtë shtetit. Nuk ka qënë shteti shqiptar që më ka garantuar familjen, por është bërë në mënyrë private. Nuk ka asnjë lidhje shteti shqiptar me largimin e mbrojtjen e familjes time. Familja ime është largu nga Shqipëria nga miqtë e mi. Jetojnë jashtë dhe kanë jetën e tyre sot. Nuk ka asnjë dokument që vërteton se shteti shqiptar është angazhuar për mbrojtjen e familjes time. Mua më kanë arrestuar. Janë përralla ato që thuhen lart e poshtë. Nuk ka asnjë dëshmitar që të thotë se ndonjë strukturë e shtetit mbrojti familjen time.

Mira Kazhani: Megjithatë, ka një dëshmitar që implikon emrin tuaj. Është ish badigardi i Azem Hajdarit i cili ka dëshmuar se qëlluat ju ndaj Azem Hajdarit. Ai është në azil politik sot…

Jaho: Ah, ndaj them unë që duhet hetuar dosja Hajdari. Edhe gazetarët u morën më shumë me mua sesa me gjyqet. (M.K.: më poshtë ai i rikthehet dëshmisë së badigardit).

Mira Kazhani: Disa ju shohin si një hero e disa si një killer. Madje femrat ju shihnin në ato vite edhe si djalë të pashëm. Disa ju përshkruanin si gjimnazistin e urtë që u bë killer. Keni vrarë ju ndonjëherë, qoftë edhe për vetëmbrojtje?

Jaho: Nëse gjendesh në një situatë që jeta jote është në pikëpyetje gjithkush do vras. Çfarë mendimi duhet të jap unë, kur tani po vuaj një vendim gjykate. Si thotë Doktori mbi gjykatat nuk është askush. (qesh me ironi)

Mira Kazhani: Gjykata thotë që jeni vrasës…

Jaho: Ta provojmë. Të hapin dosjen, hetimet dhe jam gati të përballem. Dhe nëse gjykata do thotë diçka ndryshe duhet ta pranojnë të gjithë. Gjithmonë flas për një të ardhme.

 

Mira Kazhani: Për cfarë të ardhme e keni fjalën? Ku besoni tek ajo, kur edhe gjykata e Strasburgut e rrëzoi apelit tuaj! Dhe nga ana tjetër duket sikur politika ka frikë të prek këtë dosje, drejtësia gjithashtu…

Jaho: Nuk ka frikë, por në 2001 u bë një fill pazari me dosjen Hajdari. Ishte koha, politika, shumë faktorë me të cilët u bë pazar. Ndërsa Strasburgu bëri një lojë proçeduriale. Ata që njohin aspektin juridik e dinë çfarë loje bëhet. E dinë të gjithë të vërtetën.

Mira Kazhani: Zoti Mulosmani ajo c’ka dinë të gjithë është se ju jeni i dënuari i përjetshëm për vrasjen e deputetit Hajdari…

Jaho Mulosmani: Po thoja që në Strasburg janë bërë shkelje në atë mënyrë që të rrëzohej çështja…

Mira Kazhani: Po akuzoni Strasburgun?

Jaho Mulosmani: Jo jo më vjen keq…Por edhe sikur ta akuzoj nuk është diçka e re. Të gjithë mund të gabojnë. Të paktën dy libra i kam lexu që të kuptoj sesi funksionon shteti, si funksionon bota. Por po thoja, se kur u dërgua çështja ime në Strasburg, këta çuan paralel një çështje tjetër. Lojë proçedurash. Edhe normal cfarë do bëjnë gjyqtarët në Strasburg? Kur ju shkon një çështje tjetër ku thonë se ja edhe për këtë akuzohet ky, çfarë do bëjnë ata? Është bërë lojë proçeduriale. Avokati i shtetit… Avokati im, nuk është njoftuar fare.

 

Mira Kazhani: Ju cfarë mendoni për veten tuaj, ta lëmë mënjane botën se ç’mendon ajo për ju…

Jaho: Jam një njeri normal.

Mira Kazhani: Pa fat?

Jaho: Njeriu fatin e bën vet dhe mua rrethanat më sollën në këto kushte. Duhet të pajtohesh me fatin, s’ke ç’ben.

Mira Kazhani: Po të ktheheshit pas në kohë, në moshën 20 vjeç, do kishit bërë gjërat ndryshe?

Jaho: Do kisha dash me i bë më mirë, por të jem i sinqertë, ajo kohë ashtu ishte. Nuk kishe shanse me bë një jetë tjetër, me vepru ndryshe. Nuk i devijoje shumë, pak gjëra do kisha ndryshu…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button