FOKUS – BM mbron vendimin për ndalimin e tregtisë me vendbanimet izraelite
LONDËR, 9 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Andy Burnham mbrojti sot vendimin e qeverisë së tij për të ndaluar tregtinë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, duke deklaruar para deputetëve se Britania e Madhe “duhet të qëndrojë për diçka” në një botë gjithnjë e më të vështirë.
Ndalimi, i shpallur dje nga ministri i Jashtëm Ed Miliband, ka shkaktuar një përplasje diplomatike me Izraelin dhe kritika nga figura të opozitës britanike.
Burnham tha se vendimi tregon “lidership në skenën botërore” dhe se Britania e Madhe duhet të mbështesë drejtësinë përballë padrejtësisë.
Kryeministri kritikoi politikanët britanikë që prej dekadash kanë deklaruar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete, duke argumentuar se fjalët nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete.
Ai tha se Britania e Madhedo të qëndrojë në krah të njerëzve që “po dëbohen nga shtëpitë e tyre” dhe po përballen me intimidim.
Miliband tha se një qasje e re ishte e nevojshme, pasi projekti i zhvillimit E1 në Bregun Perëndimor rrezikon ta bëjë të pazbatueshme zgjidhjen me dy shtete, duke “çarë zemrën e Palestinës”.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë izraelite se ka lejuar një rritje të madhe të vendbanimeve dhe kritikoi atë që e cilësoi si “terrorizëm të shfrenuar të kolonëve” dhe mbyllje sysh ndaj “spastrimit etnik”.
Izraeli reagoi ashpër. Ministri i Jashtëm Gideon Saar njoftoi mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalemin Lindor dhe ndalimin e hyrjes në Izrael për 11 deputetë britanikë, mes tyre ish-liderin e Labour, Jeremy Corbyn.
Edhe nga Shtetet e Bashkuara pati kritika. Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, e cilësoi ndalimin si një “akt irracional”. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio nuk dha një koment të drejtpërdrejtë, por bëri të qartë se SHBA-ja “natyrisht” nuk do të ndiqte të njëjtën politikë.
Presidenti Donald Trump ende nuk ka komentuar publikisht.
Miliband tha se i vjen keq për reagimin izraelit dhe pranoi se mbyllja e konsullatës do të jetë “e dëmshme”.
Megjithatë, ai këmbënguli se qeveria i kishte peshuar paraprakisht kostot dhe përfitimet dhe kishte arritur në përfundimin se ndalimi ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.