FOKUS – Irani kërcënon të bllokojë rrugë të tjera tregtare, ndërsa SHBA–ja nis sulme të reja
– Irani ka kërcënuar se do të mbyllë rrugë të tjera tregtare në rajon, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, sipas BBC.
Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të ndalojë “aktet e saj të agresionit”.
Ajo paralajmëroi gjithashtu, se mund të bllokohen edhe kanale të tjera rajonale të eksportit të naftës dhe gazit.
Paralajmërimi erdhi pasi Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane (Centcom) njoftoi se kishte kryer sot në mëngjes sulme me dronë, avionë dhe mjete detare kundër Iranit, pas një operacioni shtatëorësh gjatë natës.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se SHBA-ja do të godasë urat dhe hidrocentralet e Iranit, javën e ardhshme, nëse Teherani nuk rikthehet në bisedime.
“Do t’i lë objektivat energjetike për në fund, por në fund do t’i godasim edhe ato”, tha Trump në një intervistë për emisionin “Special Report with Bret Baier”, të transmetuar të dje në mbrëmje.
Përshkallëzimi i deklaratave vjen pasi Trump tha se, tarifa prej 20% për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, me të cilën kishte kërcënuar më parë, do të zëvendësohej me marrëveshje “masive” tregtare dhe investimesh me vendet e Gjirit.
Dje në mbrëmje, SHBA-ja rivendosi një bllokadë ndaj porteve iraniane, duke ndaluar anijet të hyjnë ose të dalin nga portet dhe zonat bregdetare të Iranit.
Në përgjigje, Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi SHBA-në, se duhet të “presë mbylljen e rrugëve të tjera të eksportit të naftës dhe gazit, që u shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj”.
Garda nuk specifikoi se cilat rrugë mund të preken. Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se ushtria e Iranit kishte kryer sulme të veçanta ndaj objektivave amerikane, në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein.
Këto vende aleate të SHBA-së thanë gjithashtu se kishin rrëzuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.