Siguri e shtuar gjatë sezonit turistik! Hita takon drejtuesit e policisë në qarqe: Angazhim maksimal për parandalimin e krim
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtorët e departamenteve, me fokus vlerësimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike, si dhe përcaktimin e detyrave prioritare për periudhën në vijim.
Gjatë takimit, kryepolici kërkoi angazhim maksimal të të gjitha strukturave policore për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e tyre në kohë dhe ndjekjen në dinamikë të çdo shqetësimi të adresuar nga qytetarët, duke theksuar se çdo rast duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe profesionalizëm, deri në përfundimin e plotë të veprimeve procedurale dhe hetimore.
Në vijim, Hita kërkoi rritjen e efikasitetit të shërbimeve për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe rritjen e prezencës së Policisë në terren, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke siguruar reagim të menjëhershëm dhe mbështetje për qytetarët dhe turistët në çdo rast nevoje.
Hita theksoi domosdoshmërinë e respektimit të etikës policore, integritetit dhe rritjes së performancës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, kërkoi intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si në ambiente të mbyllura me llamba, ashtu dhe në terren, si dhe goditjen pa kompromis të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke e konsideruar këtë fenomen një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe për të ardhmen e të rinjve.
Drejtori i Përgjithshëm urdhëroi vijimin me intensitet të goditjes së armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, goditjen e lojërave të fatit të paligjshme, luftën kundër krimeve mjedisore, si dhe rritjen e rezultateve në çdo drejtim të veprimtarisë policore.
Në kuadër të situatës së zjarreve në vend, Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin e tyre, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të çdo rasti zjarrvënieje, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet prioritet i Policisë së Shtetit.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që drejtuesit e drejtorive vendore dhe shefat e komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të shtojnë praninë në terren aty ku ka problematika, të ushtrojnë drejtim dhe menaxhim efektiv të strukturave që drejtojnë, si dhe të forcojnë bashkëpunimin me të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë vendin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.