Politika

“Fokusohemi te zgjedhjet e 14 majit”, Alibeaj pas mbledhjes së kryesisë: Të vendosur për t’ia dalë t’ia dalë me demokratët pa dallim

Enkelejd Alibeaj, që beson se vendimi i Gjykatës së Apelit ishte në favor të tij, pas mbledhjes së kryesisë, grupit parlamentar dhe kolegjit të kryetarëve u shpreh se “nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit”. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se Kryesia do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes për kandidatët për këshilltarë bashkiakë.

Ndërsa për kandidatët për kryetarë të bashkive, Alibeaj ftoi në aleancë grupin e Rithemelimit, me qëllim daljen me kandidatë të përbashkët. “PD merr përsipër t’i prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale”, u shpreh Alibeaj.

Deklarata e Enkelejd Alibeajt:

Vendimi i Gjykatës së Apelit, përbën për Partinë Demokratike, për të gjithë ne, një moment të veçantë përgjegjësie për të rimarrë me energji të reja kursin e forcimit, rritjes dhe fitores.

Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por jemi me të vendosur se kurrë për t’ia dalë me demokratët pa dallim, me zgjedhësit tanë, me qytetarët shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë perëndimorë, me SHBA, vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe.

Nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike;

Afirmimin e Partisë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri;

T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike;

Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve.

Për këtë:

1-Në lidhje me kandidatët për këshilltarë bashkiakë:
Të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshiltarëve të PD-së në bashkitë respektive. Paralelisht, kjo Kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë.

2- Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive;
Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në menyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik.

3-Në lidhje me aleancat;
PD merr përsipër t’i prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon identitetin e vet polititk brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe Perëndimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button