Forcat e Armatosura, 204 kandidatë fitues nisen në Shkollën e Trupës në Bunavi
Në mjediset e garnizonit “Skënderbej“ u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes për në Shkollën e Trupës në Bunavi të 204 kandidatëve fitues, për tu rekrutuar në Forcat e Armatosura. Në këtë ceremoni ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm etj.
Pas paraqitjes së forcës që bëri komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit, kolonel Leonard Çoku, ministrja e Mbrojtjes Kodheli përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ndër të tjera ajo tha: “Ajo pse unë kërkova me insistim që ne të takoheshim sot ka të bëjë më mënyrën që ju u përzgjodhët. Ndryshuam të gjitha praktikat, ndryshoi mënyra, ndryshoi qasja dhe ajo ç’ka ndryshoi më shumë se çdo gjë tjetër ishte transparenca më të cilën ju u përzgjodhët, duke mos i ngrënë hakun askërkujt, sepse ky vend, përveç se ka nevojë për siguri, ka nevojë për drejtësi dhe drejtësia fillon që këtu, nga ky ambient ku ne punojmë e jetojmë çdo ditë. Ju nesër do të jeni ata që drejtësinë do ta mbroni, do ta vini në vend dhe nuk mund të bëni drejtësi në qoftë se drejtësia nuk është bërë më ju që në momentin e parë që hyni për të qenë pjesë aktive e FA”.
Më tej, ministrja Kodheli, duke u fokusuar në përzgjedhjen që iu bë kontingjentit për rekrut, nënvizoi se, aplikuan mbi 600 të rinj dhe të reja me shkollë të lartë dhe të mesme, prej të cilëve fituan 204 dhe 24 janë me shkollë të lartë, ndërsa 9 janë vajza, të cilat znj. Kodheli i përshëndeti në mënyrë të veçantë. “Keni kaluar një konkurs të fortë, por ju do të vazhdoni të mbeteni pjesë e konkurseve, trajnimeve, konkurrencës brenda jush, por në fund mos harroni se shansi që ju jepet për të qenë pjesë e FA është shumë i madh për tu bërë oficer, nënoficer, për të pasur karrierë, për të studiuar brenda dhe jashtë vendit dhe shansi i të gjitha shanseve për t’i shërbyer Republikës së Shqipërisë si askush tjetër”, është shprehur ministrja Kodheli.
Duke folur për karrierën që i pret këta rekrut, Kodheli theksoi se, vetë diviza që do të vishni është ajo e cila do t’ju mbushi me krenari, me besim që karriera juaj sot dhe në të ardhmen është një karrierë që nuk do të cënohet as nga politika, as nga keqbërësit, sepse ju jeni më të mirët. Duke qenë pjesë e FA, jo vetëm do të shërbeni, por do të keni dhe mundësi të fitoni statusin e ushtarakut, do të keni mundësi që kur të krijoni familjet tuaja ato të kenë trajtim të veçantë, do të keni mundësi për të pasur shërbim shëndetësor falas, do të keni mundësi për të pasur strehim ndryshe nga të tjerët, do të keni mundësi për të zhvilluar aftësitë tuaja fizike dhe intelektuale jashtë dhe brenda vendit, do të keni mundësi të bëni karrierë dhe kjo është një shtysë po aq e mirë për tu bërë ju të besoni që keni bërë zgjedhjen më të mirë. “Do ta kuptoni shumë shpejt që fakti që do t’i shërbeni Shqipërisë, familjeve tuaja, njerëzve tuaj, fëmijëve tuaj nesër është gjëja më e mrekullueshme që mund të ndodh në jetën dhe karrierën e një njeriu. Personalisht e bëj këtë nga një pozicion tjetër, po jam po aq dëshirëplotë për t‘i shërbyer këtij vendi të jashtëzakonshëm, që është shtëpia jonë e përbashkët dhe është vendi më i mirë ku mund të jetohet, Shqipëria. Shumë suksese dhe karrierë të mbarë“, përfundoi fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
Më pas 204 kandidatët fitues u nisën me autobusë drejt Shkollës së Trupës së FA në Bunavi të Vlorës, ku do t’i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, e cila zgjat 9 javë.
Gjatë muajit shkurt 2015 Qendra e Personel Rekrutimit zhvilloi fazën e parë të Planit të Rekrutimit për vitin 2015 në FA, ku në kushte mjaft transparente dhe me kërkesë të fortë profesionale zhvilluan testimet e rreth 600 kandidatëve të regjistruar nga të gjitha rrethet e vendit, nga të cilët fituan 204, prej të cilëve 9 vajza, ndërsa 24 prej tyre me arsim të lartë. Duhet theksuar se, pas tre testimeve, atij fizik, intelektual dhe psikologjik, kandidatët fitues iu nënshtruan edhe testit të gjuhës angleze, i cili u bë me qëllim përzgjedhjen dhe ndjekjen e Kursit të Oficerit që do të zhvillohet në Gardën e Nju Xhersit në SHBA.