Fotografia, një histori e evolucionit njerëzor
Epoka e dixhitalizimit dhe globalizmi po bëjnë që të harrohen shpesh rrënjët e zhvillimit njerëzor. Kështu po ndodh edhe me shpikjet e mëdha siç është fotografia, që përbën njërën ndër arritjet më të mëdha të shkencës për njerëzimin ndër shekuj, pasi me anë të saj dihet se u arrit dokumentimi dhe trajtimi artistik i natyrës njerëzore – dhe jo vetëm
Epoka e dixhitalizimit dhe globalizmi po bëjnë që të harrohen shpesh rrënjët e zhvillimit njerëzor. Kështu po ndodh edhe me shpikjet e mëdha siç është fotografia, që përbën njërën ndër arritjet më të
mëdha të shkencës për njerëzimin ndër shekuj, pasi me anë të saj dihet se u arrit dokumentimi dhe trajtimi artistik i natyrës njerëzore – dhe jo vetëm – ashtu siç ajo paraqitet në origjinal.
Kështu ndodh që shumëkush edhe sot e kësaj dite, megjithëse i vetëdijshëm për avancimin e botës dixhitale e kompjuterike, nuk preferon të bëjë foto me kamera të tilla, sado të lartë ta kenë rezolucionin e pamjes. Bota e kamerave filmike duket në zhdukje e sipër, por profesionistët e vërtetë dinë ta ruajnë e ta vlerësojnë akoma me të njëjtën dashuri fotografinë e ardhur nga celuloidi.
Edhe për një arsye tjetër, jo vetëm atë artistike (shumë prej tyre shprehen se cilësinë e fotografimit me film nuk mund ta arrijnë dot kurrë pikselat e dixhitalit), porse ajo ka dhe një histori të madhe e interesante. Ajo në vetvete përbën evolucionin njerëzor.
Gjeneza e fotografisë
Rrënjët e saj u takojnë kontributeve të dy francezëve, Nicèphor Niepce dhe Louis Daguerre, të cilët konsiderohen si zbuluesit e fotografisë. Ata zhvilluan teknikën e parë dhe procesin kimik, që mundësonte kësisoj ruajtjen e pamjeve. Më pas, erdhën dekada të tëra me zhvillime teknike. Me prezantimin e parë të aparatit “Kodak” në vitin 1889, ky zhvillim arriti një pikë, të themi kulmore e të qenësishme, e cila është arritur të mbahet gjallë deri më sot.
Siç e theksuam më lart, vetëm elektronika dhe dixhitalizimi kanë sjellë më së fundi një metodë të re fotografike, e cila gjithsesi, e ka revolucionarizuar fotografinë dhe e ka bërë më masive, duke e shndërruar në domen të më shumë vetëve dhe gjithashtu më të lirë.
Niepce, suksesi dhe dështimet
Francezi Jozef Nicefor Niepce (1765 -1833) konsiderohet, si njeriu i parë që krijoi foton me shtresë të ndjeshme nga drita. Ai mori një “Camera Obscura” për ndihmë, një aparat i njohur më parë, me të cilin bëri të mundur projektimin e peizazheve. Atij i erdhi për shtat që këto foto t’i mbante në letër klor-argjendi. Por ato nuk ishin të rezistueshme ndaj dritës. U pa shpejt se prisheshin pas një kohe të shkurtër.
Vetëm më 1826, Niepce ia doli mbanë që të mbaronte foton e parë të rezistueshme. Fotoja tregon pamjen nga dritarja e dhomës së tij. Me një kohë ndriçimi tetëorësh, ishte e pamundur që të fotografoheshin njerëz dhe objekte të lëvizshme. Dageri, një piktor i suksesshëm teatri, mori vesh për punën e Niepces dhe ishte aq i pasionuar, saqë u bë shok i tij. Me shumë etje, ata provonin që të gjenin, pa u lodhur edhe nga dështimet, një rrugë për shkurtimin e kohës së ndriçimit.
Luis Zhak Mande Dager (1787 – 1851) pas shumë vitesh mundimi zbuloi metodën me ndriçim të shkurtër të një pllake prej jod-argjendi që tregon një foto latente (të padukshme), e cila mbahet e fiksuar nga shtypja me zhivë.
Luis Dageri ndriçoi një pllakë, por e ndali progresin e tij, sepse moti (klima) nuk po i vinte në ndihmë. Ai po e ruante pllakën e tij në dollapin e tij të kemikaleve. Ndërsa po e nxirrte atë më vonë, çuditërisht kuptoi se në të ishte “vizatuar” një foto.
Ishte diçka në atë dollap që e kishte shkurtuar kohën e ndriçimit. Ai i largoi një nga një të gjitha kemikalet nga dollapi dhe nisi të fusë gjithnjë pllaka të freskëta, për të kuptuar se cila nga ato kemikale e kishte shkaktuar atë efekt.
Në fund mbetën vetëm disa pika zhivë (merkur). Kjo, siç e mendonte edhe vetë Dageri, ishte zgjidhja e kësaj enigme. Fotopllakat e përpunuara me zhivë kishin shumë më pak kohë nevojë për ndriçim sesa ato të përpunuara pa zhivë. Atij i shkoi ndërmend që këtë kohë të ndriçimit ta reduktonte në 4 minuta në verë dhe 15 në dimër.
Dageri dhe Isidore Niepce, djali i pionierit të vdekur të fotografisë, bënë një marrëveshje në vitin 1839 me qeverinë franceze, përmes së cilës ata morën të drejtën ta publikonin të ashtuquajturën “Daguereotipe”. Qeveria frënge këtë zbulim e mori me aq shumë seriozitet, saqë u premtoi atyre se do të bënin përpjekje për të rritur sa më shumë popullaritetin e shpikjes së tyre.
Fotot e mbaruara me “Daguereotipie” ishin “unikate”. Më pas, këtë problem e zgjidhi William Henry Fox Talbot me të ashtuquajturën “Kalotipie”, një lloj letre me metodë negativ-pozitiv. Kualiteti dhe brilanca nuk krahasohen me “Daguereotipie”-në, por me këtë të fundit mundësohej shumëfishimi i kopjeve.
Metoda me pllaka
Metoda e Talbotit kishte një shpërndarje të dobët dhe ishte me teka të mëdha. Frederik Scott Archer e mënjanoi këtë handikap më 1851-shin me “metodën e kolodiumit të lagur” të shpikur prej tij. Ky emër rrjedh nga leshi i shprishur në eter (colodium), i cili ishte përdorur për këtë qëllim. Tani, shpërndarja ishte me distancë, më e mirë, por përpjekja mbeti gjithsesi e madhe për ta përmirësuar edhe më tej.
Kolodiumi është një masë ngjitëse pa ngjyrë, e cila në kontakt me ajrin, forcohet relativisht shpejt. Ndriçimi dhe përfitimi i pamjes duhej të kryhej para se të tirrej materiali.
Përmirësimi apo avancimi i radhës i erdhi ndërmend më 1871 Richard Leach Maddox-it. Me një shtresë xhelatinoze brom-argjendi, ai arriti të krijonte një pllakë të terur, të cilën pllaka e lagur nuk mund ta përshkonte dot për nga ndjeshmëria.
Lëvizja dhe filmi
Pllakat, të cilat ishin përdorur në vitet e para të fotografisë si mbajtëse për shtresën e ndjeshme ndaj dritës, ishin problemi kryesor për përdorim. Nuk ishte vetëm pesha që pengonte, por për çdo foto duhej të futej nga një pllakë e re në fotoaparat. George Eastman zbuloi, së bashku më një partner më 1889, filmin lëvizës. Tani ishte bërë e mundur bërja e fotove njëra pas tjetrës.
Filmi lëvizës ishte po ashtu edhe premisa kryesore për Thomas Alva Edison, që të ndërtonte kamerën e parë filmike. George Eastman ishte po ai, të cilit i erdhi ideja që fotografëve t’ua lehtësonte procesin e vështirë të zhvillimit dhe ndërrimit.
Kush e kishte mbushur filmin lëvizës të tij, ai mundej që ta dërgonte te “Kodak” dhe pas një kohe merrte kopjet dhe një kamerë të mbushur me film të ri. Në thelb, kjo është edhe arsyeja kryesore se pse fotografia, edhe pas kaq viteve, arriti të mbijetojë si një “sport” masiv.
Miniaparatet dhe filmat me ngjyra
Përmes përmirësimit të ndjeshmërisë së filmave ndaj dritës, u bë e mundur që në dekadën e parë të shek 20-të të prodhoheshin aparatet e vegjël (ose miniaparatet, në kuptimin e atëhershëm). Në vitin 1905, Oskar Barnack kishte idenë se si ta zvogëlonte formatin negativ dhe të zmadhonte fotografinë. Si lider i zbulimit te “Leica”, një firmë e njohur optike e fotografike gjermane kjo, pas 10 vitesh ai prezantoi aparatin e parë të vogël në botë. Lufta I Botërore e pengoi zhvillimin e mëtejshëm dhe gjërat në këtë aspekt mbetën në vend. Në vitet ‘20-të, Barnack përfundoi “Leica”-n e parë, e cila zyrtarisht u publikua më Ishte një aparat me objektiv 50 mm hapje, një standard që më vonë u kopjua njëqindfish. Pas këtij aparati të parë të vogël, u mundësua që pas viteve ‘50-të të krijohej edhe aparati refleks – pasqyrë. Principi: hyrja e dritës pasqyrohet në “kërkues”. Përmes kësaj mund të shihej me saktësi se si do të dukej fotoja më vonë. Një gur të rëndësishëm në zhvillimin e fotografisë dha firma “Agfa”, e cila më 1936 zhvilloi filmin me ngjyra. Në 1939, në treg u shfaqën filmat e parë negativë – pozitivë me ngjyra.
Revolucioni dixhital dhe fotografia
Përbën fillimin dhe fundin e kësaj historie. Bëhet fjalë për revolucionin dixhital. Elektronizimi i gjithanshëm ka bërë të mundur që edhe fotoaparatet të bëhen gjithnjë e më komode. Më 1963, firma “Canon” prezantoi aparatin e parë automatik. Pas dhjetë vjetëve pasoi aparati plotësisht elektronik nga “Rollei”, me të cilin mund të editoheshin ngjyrat, “dritaret” etj. Nga fundi i shekullit të kaluar, e gjithë teknika fotografike u revolucionarizua edhe njëherë përmes dixhitalizimit. Tani jo vetëm që fotot mund të ruheshin si material filmik, por edhe në formate dixhitalë. Kjo është e lirë dhe e lehtëson punën me to. Mund të kontrollohet direkt dhe mund të fshihet menjëherë. Interneti po ashtu e lehtëson shkëmbimin e fotove, të cilat dërgohen si dokumente. Software-ët për përpunimin e fotove po ashtu lehtësojnë përpunimin dhe mundësojnë përmirësimin e gabimeve në foto. Sot, çdo njeri me anë të një software-i të thjeshtë mund të përmirësojë fotot e kujtimet e veta, e madje t’i manipulojë ato. Mund të krijosh albume online e të përdorësh karta memorie që arrijnë të mbajnë me qindra foto-imazhe etj.